Kriza, Pitela: Gjeni një zgjidhje
Aristir Lumezi
Zv.presidenti i Parlamentit evropian, Xhovani Pitela i bëri dje apel klasës politike të gjejë zgjidhje për krizën. “Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, shqetësimi për krizën ekonomike sociale, nevoja për të liberalizuar vizat, të gjitha këto sugjerojnë qetësimin e klimës politike në Shqipëri”, u shpreh Pitela. Pas takimit që zhvilloi me Edi Ramën në bashki dhe në selinë e PS-së, Pitela tha se duhet gjetur një ekuilibër politik, nëse duam të zgjidhim krizën politike. “Unë mendoj se një klasë politike inteligjente, që shikon nga Evropa dhe që ka përzemër interesin e komunitetit të vet, duhet të dijë të gjejë një pikë ekuilibri mes kësaj nevoje për transparencë dhe nevojës për qetësim të përgjithshëm të klimës politike”, u shpreh Xhovani Pitela. Zyrtari i lartë i Parlamentit Evropian ndan të njëjtat shqetësime me socialistët shqiptarë, për transparencën e zgjedhjeve. “Unë vlerësoj pozitivisht faktin që Grupi Parlamentar Socialist u kthye në Parlament, bëri propozimet e tij për transparencën dhe uroj që nga kjo përplasje idesh të dy fronteve që po zhvillohet, mund të lindë një zgjidhje që përsëris duhet të garantojë transparencën maksimale në zgjedhjet e ardhshme. Më duket se askush nuk do të vejë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, por është vullneti dhe besoj kërkesa legjitime për të garantuar për të ardhmen zgjedhje transparente, të sigurta, që tregojnë qartësisht se kush është fituesi i vërtetë”, u shpreh Pitela. Zv.presidenti i PE-së, me funksionin e lartë që ka në Bruksel, u angazhua për të bërë të gjitha përpjekjet në përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave të Shqipërisë me BE-në. “Natyrisht, nga ana ime institucionale, mora detyrën për të çuar përpara dy procese shumë të rëndësishme, të cilat i shtruam që në fillim, siç është liberalizimi i vizave dhe integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Menjëherë pas festimeve të Pashkëve, kur të hapet Parlamenti Evropian, do të takoj komisioneren e sektorit dhe zonjën e nderuar Cecilia Malstrom, të cilës do i shpreh nevojën për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Pitela. Ai paralajmëroi klasën politike shqiptare që kriza ekonomike që pritet të vijë deri në fund të këtij viti, duhet ta gjejë politikën shqiptare jashtë krizës politike. “Dua edhe të ndaj shqetësimet e shprehura nga Edi Rama rreth krizës ekonomike dhe sociale, që mund të godasë edhe më ashpër Shqipërinë. Cikloni që plasi nga Amerika dhe që pushtoi më pas Evropën, botën, ende nuk e ka shterur ngarkesën e tij toksike. Dhe do të ishte shumë sipërfaqësore të mendosh që efektet negative që solli, u kaluan. Për fat të keq, nuk është kështu dhe duhet të përgatitemi për kohë të vështira krize ekonomike, krize financiare dhe krize shoqërore”, u shpreh Xhovani Pitela.
Rama
Në ndërhyrjen e tij, kreu socialist Edi Rama tha se qëndrimi i PS-së është bërë i qartë dhe te ndërkombëtarët. “Qëndrimi ynë është i palëkundur. Hapja e kutive është një proces i patjetërsueshëm. Zgjidhja unilaterale e të premtes në mbyllje të debatit nuk ka zgjidhur krizën, por e ka thelluar krizën institucionale, duke përshkallëzuar dhe më krizën ekonomike”, deklaroi lideri i PS-së, duke shtuar se ky muaj është muaji i protestave. Kreu socialist, gjatë konferencës për shtyp me zv.presidentin e PE-së, tha se i kishte kërkuar mikut të tij nxitje të procesit të liberalizimit të vizave. “E falënderova për kontributin e tij të veçantë, personal për të nxitur procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Mora më shumë kënaqësi konfirmimin se jo vetëm ai personalisht, por i gjithë grupi i socialistëve dhe i demokratëve në Parlamentin Evropian, do të vazhdojë intensivisht përpjekjet për të bërë të mundur që ky proces të finalizohet sa më parë, shpresa e të gjithëve dhe urimi ynë është që kjo të ndodhë përpara korrikut”, u shpreh Rama.