E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Topalli shkeli rregulloren, Kryetarja e Kuvendit: Më kërko falje



Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi dje në Kuvend që deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, të kërkojë falje për deklaratat e tij pasi, sipas saj, ai ka gënjyer në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Topalli, në shoqërinë edhe të transmetimit direkt para deputetëve të sekuencave filmike të shpalljes së komisionit hetimor, ftoi deputetin Xhafaj të kërkojë falje publike. Gjithashtu, Topalli i kërkoi deputetes socialiste Vasilika Hysi të marrë fletën e votimit të seancës së 19 marsit, ku sipas Topallit vërtetohet se Berisha e Meta nuk votuan në seancë siç pretendoi deputetja e PS-së në një konferencë për shtyp. “Zoti Xhafaj, nëse atë ditë nuk e keni pas mendjen, të nesërmen keni pasur mundësi të lexoni në gazeta, se vendimi ka qenë i shpërndarë. Nëse s’e keni pasur vëmendjen, unë ju ftoj ta ndiqni çështjen dhe ju të më kërkoni falje”, tha Topalli. Në fjalën e tij më herët në Kuvend, deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj akuzoi Kryetaren e Parlamentit për shkelje të ligjit dhe rregullores së Kuvendit, për sa i përket votimit të komisionit, ndërkohë që, sipas Xhafajt, nismat u tërhoqën. “Kur të dyja ishin iniciativa ligjore të nënshkruara nga të njëjtët deputetë, me të njëjtin kryetar grupi që artikuloi kërkesën e tërheqjes së dy nismave, pse u pranua vetëm njëra. Do kërkoj nga Topalli të pranojë shkeljen e ligjit dhe rregullores për ngritjen e komisionit hetimor. PS hyri në debat me ju me një ofertë serioze, të përkrahur nga një shumicë dërrmuese, dhe ka ofruar më shumë se një shteg të mundshëm për kompromis të sotëm, për garancinë e të nesërmes”, deklaroi Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›