E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana qendër, aty ku visarët e historisë nëpërkëmben

Prof.Asc.Sazan GURI

Si askund tjetër në Evropë, Tirana në përgjithësi dhe qendra e saj në veçanti po kërcënohen nga dy projekte, të ashtuquajtur ambiciozë, nga ai francez dhe nga ai belg. Por ama, kurrkush prej tyre nuk ka guxuar ta fusë këtë risi nëpër qytetet evropiane, aq më pak nëpër metropolet e saj, sikundër na pëlqen edhe ne të quajmë Tiranën. Por ja, që këto studio, nën emrin e shteteve nga vijnë, Francë apo Belgjikë, arrijnë lehtësisht të triumfojnë në planifikimin urban alla amerikançe të Tiranës, por pa pasur më parë një planifikim alla evropiançe apo më keq akoma, alla shqiptarçe të saj. Ende sot, Tirana nuk ka planifikim urban të saj, që do të thoshte një përqasje idesh nga grupet e interesit, si të arkitektëve, urbanistëve, sociale, historianësh, etnografësh, mjedisorësh, dhe mandej të kërkohej, pse jo dhe një ballafaqim me ato të huaja. Kjo kurrë s‘u bë dhe ç‘ndodhi? Përplasje e interesave të biznesit me ato sociale dhe me ato të mjedisit, që do të thotë projekte të paqëndrueshëm.
Të dy projektet në fjalë e simbolizojnë qendrën e Tiranës të tipit “down town” si në New York apo Toronto. Hajde gjeje lidhjen e Tiranës, Durrësit mijë vjeçar me qytet shtetet tej Atlantikut, qytete thjesht me histori, maksimumi 150-vjeçare, kur nga ana tjetër themi se do shkojmë drejt Evropës. Të dy projektet në fjalë i japin qendrës së Tiranës një pamje rrokaqiellash piramidale, që nuk ngjan me asnjë nga modelet urbane të Tiranës, me përjashtim të asaj që mbeti si emblemë e diktatorit, sikur duan me zor t`i sjellin në mendje këtij populli kultin e njëshave, kultin e beut apo të bajraktarit. Në zemër të këtyre piramidave, përsëri është menduar që qendra e tyre, sheshi i sotëm me natyrë të sheshtë, që simbolizon hapësirë të çlirët demokratike, shndërrohet në shesh piramidal me lartësi dy metra, lehtësisht e dallueshme, me pesë brinjë apo cepe, ku gjen e simbolizohet njëshi me yll, dhe duke qenë e rrethuar me një treçerek hark ngrehinash grataciela, në tërësi formojnë një simbol krejt tjetër të historisë së vendit, atë të një vendi tipikisht mysliman – gjysmë hënë me një yll.
Ndërkohë që qyteti i Tiranës, sikundër shumë qytete të tjera shqiptare, (Berati, Durrësi, Shkodra, Lezha) simbolizojnë qytete me histori dhe me tërtipe evropiane, mbasi në qendër të tyre janë ngritur objekte shpirtërore si kishë, teqe apo xhami, objekte kulti si sahat (ju kujtojmë se sahati në Tiranë është rreth 50 vjet më i vjetër se sahati Big Ben në Londër), objekte biznesi si Banka, objekte infrastrukturore si Bulevardi i madh, ku të gjitha rrugët e qytetit të çojnë në të, objekte kulture si pallati i madh, objekt memorial si Muzeu Kombëtar, objekte edukative si UFO University, deri në objektin mikpritës si hotel “Tirana Internacional”. A gjeni dot ndryshim me qendrat në Milano, Vienë, e kudo? Ky ansambël emblemash, mjafton dhe plotëson një qendër, duke i dhënë asaj kuptimin historik të një kombi, vlerën traditë të një qyteti, pasurinë shpirtërore të një grupi. Por, s`ishte e thënë që këto të ruheshin. Më parë, këtë qendër e zhveshën nga baza ligjore, që e mbronte apo që e kujdesonte, pastaj e shigjetuan me projekte të huaja, sepse askush prej studiove shqiptare nuk do të guxonte të shkelte mbi këto vlera, që te gjithë secili rrojnë të fshehura thellë ashtu në brendësi.
O qytetar, megjithëse jo arkitekt, e imagjinon dot që një hapësirë 200 me 200m (40,000m2) të mbajë veç atyre që ka sot, edhe 10 pallate të tjerë me 25 kate. Një pallat i tillë me sipërfaqe ndërtimi 1000m2, herë 25 kate, nda me intensitetin e ndërtimit, le të themi më optimalen 2.5 të rezulton se çdo godinë e tillë të kërkon një sipërfaqe urbane prej të paktën 10,000m2. Pyetja është fare e thjeshtë? Ku është hapësira publike e çdo pallati, po ajo e qytetarëve, si shesh qendër kombëtare, po ajo e gjelbër?
O qytetar, megjithëse jo urbanist, e përfytyron dot që bina betoni të kapërcejnë vlerat shekullore të një kombi. Pyetja është fare e thjeshtë? A gjen dot të tillë shembull në një nga qendrat e qyteteve të tjera evropiane, pjesë e së cilës ne kemi qenë e jemi, ku kubeja e kishës apo ajo e teqes dhe e xhamisë të kalohen nga vlerat e sotme të biznesit.
O qytetar, megjithëse jo ambientalist, a e mendon dot që me 12-13 katëshet e hapërdara në Tiranë dhe me këto 30-katëshe të mbledhura në qendër, njeriut tiranas i hiqet njëherë e gjithmonë gjeneza e tij me natyrën, ku kongresistët e Lushnjes e zgjodhën Tiranën, veç të tjerave, për lidhjen që ajo ka me peizazhin e Dajtit. Pyetja është fare e thjeshtë? A gjen dot qytet në Evropë, ku qytetari i vet mos të kundruall peizazhin e një mali simbol, si Lubiana – Alpet, Vienna – malet përballë me borë, Athina – Likiviton, etj., kur dihet që njeriu ka një gjëndër që prodhon një lëng të tipit endomorfinë, që lind kur njeriu vështron, prek, shijon një peizazh si mal, shkëmb, gjeo apo biomonument natyror, rezervat, dhe në kësi rastesh ajo i fal atij hormonin e haresë, të shpresës për jetën, atë antidepresiv. Epo kjo or i dashur qytetar do të mungojë. Gëzoju projekteve pa hanxhi, se fëmijë me hormone agresiv ke për të rritur, aq sa qarkullon një shprehje në psikoanalizat amerikane e angleze, se më thuaj në çfarë ambienti je rritur të të them se si do të bëhesh nesër.
O qytetar, megjithëse jo klimalog, a e kupton se këtej e tutje, qytetit tënd i ndërpritet ventilimi natyror, ku më parë, ajri si një brizë detare e freskët që vinte nga Paskuqani përshkonte shëtitoren e madhe, ngrohesh në jetën urbane, përplasesh në pyllin dhe liqenin artificial dhe kthehesh i freskët prapsh për të ajrosur si një kondicioner i madh qytetin. Pyetja është fare e thjeshtë? Po sot? Jo më kot, në 10 qytetarë tiranas, 9 prej tyre vuajnë nga sindroma reumatizmale, për shkak se lagështia fle në qytet, nuk qarkullon, duke nxitur kështu virusin reumatizmal bredhës nëpër trup.
O qytetar, megjithëse jo inxhinier, a ke parë që një shëtitore simbol për çdo kryeqytet të Evropës si shën Elise, Bundesshtagu në Berlin, shëtitorja e Nevës në San Peterburg, ato me emër në Pragë, Bukuresht e kudo, sikundër dhe kjo që kemi në Tiranë, të të copëtohen me ndërtesë shumëkatëshe, pikërisht aty në krye të Bulevardit Zogu i parë, (midis 15-katëshit dhe Muzeut Kombëtar), që ndryshe do quhet pallati i dasmave. Pse, për të thyer emrin mbret, për të shëmtuar vlerën kapitale të një bulevardi të vetëm që ka ky komb, kaq të gjatë, kaq të drejt, kaq të gjerë, me emër mbreti, si për të humbur njëherë e mirë lidhjet e popullit me dëshmorët e vet.
Por, gabimet apo krimet me jetën urbane të Tiranës nuk mbarojnë këtu?! Dihet se Tirana është planifikuar sipas një zhvillimi urban të tipit vjenez. Italianët, veç e zbatuan këtë model, ku gjerësia e rrugëve brenda qytetit për atë kohë nuk të lejonte të ngrije pallate me më shumë se 4-5 kate. Ndaj dhe u ndërtua e tillë, madje deri në vitet ‘90. Po sot? Ku u gjet justifikimi, që me të njëjtën gjerësi rrugore të trashëguar u ngritën gangrena betoni prej 12-13 katesh? Si mundet të ngresh ngrehina 12 deri në 25 kate, si ai te Telekomi apo kudo në Tiranë, me largësi zero nga trotuaret dy metrosh të rrugëve pa gjerësi.
Por, krimet me jetën urbane të Tiranës nuk mbarojnë këtu?! Dihet se Tirana është planifikuar që të zhvillohej drejt dhe tej stacionit të trenit, drejt Paskuqanit, që ndryshe nga dendësimi i pashembullt, ajo për shkak të një presioni të ri urban duhej të ndërtohej sipas një modeli Beogradi i ri, Praga e re, Viena në anë tjetër të Danubit, Parisi tej e jashtë unazës së vet dhe jo sipas parimit të dendësisë, çdo truall toke – një ngrehinë, çdo hapësirë publike një kompleks ndërtimi. Por, zgjerimi drejt një Tirane të re, sikundër dhe unaza, nuk janë bërë dhe nuk do të bëhen deri sa ti o qytetar të kuptosh, që të tjerë fitojnë dhe të tjerë si ty humbasin, sepse një Tiranë e hapur do të shfrynte një çmim shumëfish të mbledhur. Po tani e kuptove?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›