E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festimet, Rama zgjedh Elbasanin për Ditën e Verës

15/03/2012  Kreu i PS-së braktis Tiranën pas 11 vjetësh

Kreu socialist Edi Rama preferoi që t’i bashkohej atmosferës festive me rastin e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit. Kështu, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe deputetë të këtij qarku, kryetari i socialistëve la kryeqytetin, për të parin vit që nga koha kur drejtonte Bashkinë e Tianës, për të kaluar disa çaste festimi me qytetarët elbasanas. Pas mbërritjes në këtë qytet Rama është pritur nga kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, për të vijuar me shëtitjen e rastit në çdo stendë të panairit që hapet çdo vit në Ditën e Verës në këtë qytet. Por gjatë vizitës së tij Rama nuk mund të mos lëshonte dhe një mesazh për të gjithë qytetarët që festonin dje Ditën e Verës në të gjithë vendin. Sipas tij, kjo ditë bën të mundur që njerëzit për pak orë të harrojnë gjendjen e vështirë ekonomike. “Kjo ditë e bukur feste popullore bashkë me kthimin e diellit shërben për të lehtësuar qoftë edhe për një çast plagët sociale dhe hallet e njerëzve të zakonshëm, që në ditë si këto besoj se ndiejnë edhe më shumë nevojën ‘Për një rilindje shqiptare’, që vuajnë papunësinë dhe kanë nevojë për punësim real, që duhet të paguajnë taksa më shumë se të pasurit dhe kanë nevojë për një taksim të ndershëm”, - vlerësoi Rama. Madje, duke vijuar po në këtë linjë, kreu socialist shtoi se “është një ditë për të ata që e kanë të pamundur të marrin shërbime në spitale sepse nuk kanë lekë dhe kanë nevojë për shërbime publike, sipas nevojës jo sipas mundësisë për të paguar”. Por nga ana tjetër kryetari i PS-së nuk mund të mos anashkalonte dhe kundërvënien ndaj shumicës qeverisëse lidhur me politikat sociale. “Në Elbasan ne falë qeverisjes vendore kemi bërë të mundura disa ndryshime të rëndësishme. Por qoftë për qytetarët e Elbasanit, qoftë për qytetarët e gjithë Shqipërisë duam dhe do të hapim një kapitull të ri transformues ‘Për një rilindje shqiptare’, që këto ditë feste të mos jenë thjesht një ditë e bukur përmes një rrugëtimi në mjegull dhe në gri, por të jenë ditë brenda natyrshmërisë së një rrugëtimi të bukur të të gjithë shqiptarëve”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›