E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishqyrtimi i masës së pensionit

15/03/2012  Ankesa. Procedura që duhet ndjekur nga pensionistët e pakënaqur

Formulari i plotë. Rastet kur masa e pensionit ndryshon

Përfituesit e pakënaqur me masën e pensionit që u është caktuar nga organet e sigurimeve shoqërore mund të kërkojnë rishikimin e masës së përfitimit. Për këtë ata duhet të ndjekin një procedurë standarde, e cila inicion me plotësimin e një formulari specifik, ku detajohen të dhënat e plota në lidhje me përfitimin që kërkojnë të rishqyrtojnë. Në këtë formular krahas të dhënave që duhen plotësuar mbi llojin e përfitimit që kërkojnë të rillogaritet duhen plotësuar me kujdes edhe argumentimet e plota se pse nuk janë dakord me masën e llogaritur. Pjesë e rëndësishme e këtij formulari që e gjeni të detajuar bashkangjitur shkrimit është edhe plotësimi i kujdesshëm i të dhënave identifikuese mbi dosjen individuale të përfituesit, e gjeneralitet përkatëse. Ky formular tërhiqet pranë agjencive rajonale të vendbanimit të pensionistit, në pjesën e parë plotësohet me arsyet se pse duhet rishqyrtuar dhe më pas duhet t’i bashkëngjiten edhe dokumentet përkatëse. Kjo pasi shpesh ndodh të bëhet ndonjë gabim në lidhje me vjetërsinë e punës së konfirmuar apo lloje të tjera, që mund të cenojnë pagesën mujore të pensionistit. Pas dorëzimit të këtij formulari dhe dosjeve organet përgjegjëse të sigurimeve bëjnë verifikimin përkatës në lidhje me kërkesën dhe veçanërisht historikun e punës së përfituesit. Në rast se pretendimi i bërë nga pensionisti rezulton i drejtë, pensioni rillogaritet, ndërsa në rastet e tjera pensionisti informohet se do të marrë të njëjtën masë. Shpesh ankesat për rishqyrtimin e pensioneve vijnë nga ndonjë pasaktësi që mund të ndodhë në detajimin e histerikut të punës, që ul masën e pensionit, ose në raste të tjera nga pretendimet që pensionistët mund të kenë në lidhje me llojet e kompensimeve që u shtohen masës së pensionit. Ekspertët e sigurimeve shtojnë më tej se kategoritë që janë njohur tashmë me përfitimet kanë të drejtë të ankohen (në rast se janë të pakënaqur me përfitimin e caktuar nga agjencia e sigurimeve rajonale) , duke depozituar ankesën përkatëse pranë strukturave përgjegjëse të ISSH-së. Në rast se nga verifikimet e mëpasshme të këtyre organeve jepet përgjigje negative me ankesën e ngritur nga aplikuesi, e vetmja zgjidhje mbetet paraqitja e çështjes pranë organeve gjyqësore. Sa i takon skemës së detyrueshme, ISSH-ja otal administron rreth 380 mijë përfitime afatgjata të pensioneve në qytet dhe 160 mijë të tjera që u përkasin zonave rurale. Pjesë e skemës së përfitimit janë edhe trajtimet afatshkurta për rreth 4350 persona me paaftësi të përkohshme nga sëmundje të përgjithshme, përfitimet e 15 mijë grave për barrëlindje dhe 64 personave me paaftësi të përkohshme nga aksidentet në punë e sëmundjet profesionale.

Detajet

Kategoritë që janë njohur tashmë me përfitimet nga sigurimet kanë të drejtë të kërkojnë rishikimin e pensionit, në rast se janë të pakënaqur me masën e llogaritur.

Nëse edhe ekspertët e ISSH-së japin përgjigje negative për ndryshimin e masës së pensionit, përfituesit i mbetet vetëm që t’u drejtohet gjykatave për ta zgjidhur.

Dokumentet për transferimin e dosjes

Transferimi i pensionit

Me ndryshimin e vendbanimit pensionisti mund të kërkojë edhe transferimin e dosjes së pensionit. Kërkesa për transferimin duhet të bëhen në agjencinë rajonale të sigurimeve pranë vendbanimit të ri, duke e shoqëruar me certifikatë familjare nga zyra e gjendjes civile të vendbanimit të ri, certifikatë personale, kopje të kontratës midis pensionistit dhe KESH-it, kur kërkohen kompensime e vërtetimin për ndjekjen e shkollës sipas rastit. Pas verifikimit të kërkesës bëhet regjistrimi i pensionistit, i cili tashmë do ta tërheqë përfitimin mujor pranë vendbanimit të ri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›