E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festimet e Ditës së Verës në kryeqytet

Kryeqyteti do të marrë një atmosferë festive në Ditën e Vers, e cila pritet të festohet në të gjithë qytetet e vendit. Bashkia e Tiranës ka organizuar për ditën e sotme një numër të madh aktivitetesh me orare të përcaktuara dhe për të gjitha grup-moshat. Ky është i katërti vit që Bashkia organizon festa madhështore dhe koncerte në sheshet e Tiranës. Disa kompani të mëdha biznesi do të jenë mbështetëse të iniciativës së Bashkisë, për të festuar denjësisht këtë ditë tradicionale për vendin dhe për të investuar.
Fëmijët do të gjejnë aktivitete interesante për moshën e tyre pranë lulishtes së Monumentit të Skënderbeut. Për ta do të vihen në dispozicion klounët e Cirkut të Tiranës, ku do të japin shfaqje pranë parkut “Rinia”. Nuk mund të shmangen edhe koncertet me këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë dhe alternative, DJ dhe balerinë modernë apo klasikë, në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës. Ndërkohë që në orën 10:00 Banda e Qytetit starton festimet për t’u pasuar menjëherë nga Ansambli Popullor Tirana.
Sheshi “Skënderbej” do të transformohet në një stadium të hapur lojërash sportive për të gjitha moshat. Bashkia ka organizuar dy evenimente spektakolare, që do të zhvillohen për herë të parë në kryeqytet. Në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza” do të jepet spektakli i kampionëve të botës në Moto Jump, sport ky i përhapur në kontinentin amerikan, por edhe në Europë. Ndërsa pasdite, rreth orës 18:00, një karvan artistësh francezë do të parakalojë i shoqëruar nga një anije gjigante, për të performuar me muzikë dhe audio-krijimin romantik të hënës. Tirana i shtohet listës së gjatë të kryeqyteteve ku performon grupi i artistëve të Teatrit të Rrugës me emrin Malabar. Ky grup do të instalojnë një pishe gjigante të mbushur me shkumë, që profesionalisht quhet “Chinese Pool”.

Elbasani në festë, pjesë e atmosferës edhe kryeministri

Qyteti Elbasanit ka ekskluzivitetin e festimeve tradicionale për Ditën e Verës. Bashkia e qytetit ka organizuar mjaft aktivitete me këngë dhe lojëra për të gjithë ata që do të dëshirojnë të jenë pjesë e festimeve në sheshin kryesor të qytetit. Ndërsa pjesa më e bukur e festës është shpërndarja e ballokumeve, që simbolizon dhe ardhjen e stinës së ngrohtë të verës. Pjesë e kësaj feste nuk do të jenë vetëm qytetarët, por edhe politikanët shqiptarë. Kryeministri Sali Berisha është pjesë e festimeve në këtë ditë në qytetin simbol të ardhjes së verës. Kryeministri, gjatë paradites, do të vizitojë Panairin e Verës dhe më pas do të marrë pjesë në Konferencën e Zhvillimit të Turizmit Lokal, në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Kryeministri do të zhvillojë takime me qytetarët pjesëmarrës në festë, ku do të zhvillojë një vizitë në një shtëpi elbasanase.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›