Eagle-Mobile që dje nisi shërbimet për klientët
Operatori i tretë fillon nga puna me prefiksin e ri 067. Kompania synon t’u ofrojë punë rreth 1000 personave
Ervin Koçi
Një shërbim tjetër telefonik ka nisur të funksionojë që prej ditës së djeshme në tregun e telefonisë në Shqipëri. Bëhet fjalë për sektorin e telefonisë celulare, ku në treg ka hyrë tashmë operatori i tretë GSM, “Eagle-Mobile”, i cili fillon nga puna me prefiksin e ri “067...”. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Eagle Mobile”, Ali Taskin, ka deklaruar për mediat se kjo kompani ka mbuluar me sinjal qytetet e Tiranës, Durrësit, aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ndërsa në fillim të verës do të mbulojë të gjithë Shqipërinë, duke sjellë edhe tarifa tërheqëse për popullin shqiptar dhe konkurruese për tregun në vend. Sipas tij, “Eagle Mobile” synon të zgjerojë aktivitetin e vet duke u ofruar punë më tepër se 1000 personave”. Sipas Taksim, “Eagle Mobile” ka përdorur një teknologji të nivelit të lartë dhe lehtësisht të zgjerueshme. I krijuar nën partneritetin e Çalik Holding, Türk Telekom dhe shtetit shqiptar, “Eagle Mobile” synon të zgjerojë aktivitetin e vet me shërbime konkurruese.
Cilësia e shërbimeve
Sipas drejtuesve të “Eagle Mobile”, mbas mbulimit të thuajse gjysmës së popullsisë së Shqipërisë, në një kohë të shkurtër dymujore, me mbështetjen e kompanive botërore lider në fushën e infrastrukturës së telekomunikacionit, kompania që nga 13 marsi deri në fillim të verës do të ngrejë në nivelin më të lartë cilësinë e shërbimeve duke i garantuar mbulim gjithë pjesëtarëve të kësaj shoqërie. Ajo që pritet nga të gjithë është që hyrja e një kompanie të tretë celulare në vend të shoqërohet me një nxitje të konkurrencës, që do të sjellë një ulje çmimesh për të gjithë abonentët. Rruga duket e vështirë për “Eagle Mobile”, që po hyn në treg, ku mbi dy të tretat e popullsisë e kanë tashmë një numër celulari, ku mënyra kryesore për të fituar treg është t’ua mbushë mendjen abonentëve ekzistues të kompanive celulare që dominojnë tregun tonë që të braktisin numrat e tyre për të marrë celularin me prefiksin “067...”. Ndërsa rruga e “Eagle Mobile” ka nisur më 13 mars, konkurrenca e vërtetë pritet të ndihet vetëm në fillim të verës, kur operatori i tretë celular do të nisë në kapacitet të plotë aktivitetin.
Ulja e tarifave
Me ardhjen në tregun tonë të telefonisë së lëvizshme GSM, të operatorit më të ri “Eagle Mobile”, janë shtuar edhe zërat për ulje të tarifave celulare në treg. Kjo jo për faktin se kompanitë kanë rënë në ujdi për të ulur çmimet e shërbimeve dhe të impulseve të tyre, por sepse konkurrenca pritet që të rritet dhe gara për tregun të ashpërsohet. Por, pavarësisht skepticizmit të ekspertëve të tregut të telefonisë dhe operatorëve të tjerë celularë për suksesin në treg të konkurrentit të tretë, shanset janë që përdoruesit e telefonisë së lëvizshme mund të shpresojnë për tarifa më të lira. Dy operatorët e parë të tregut celular në vend kanë gëzuar deri tani përparësitë e të vepruarit “rehat” në një treg “duopoli” të një përmase prej më shumë se 400 milionë eurosh (pra më shumë se 5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të vendit, PBB). Ky treg ka qenë kategorikisht i rezervuar për këta dy operatorë që prej 8 vjetësh, ku i pari vepron prej vitit 1998, pasi bleu kompaninë e komunikimit celular AMC, atëherë shtetërore dhe Vodafone prej vitit 2000, ku me anë të kompanisë që zotëron në Greqi, atëherë Panafon, fituan licencën e dytë të telefonisë celulare të ofruar nga shteti shqiptar. Ndërkohë është njoftuar nga Ministria e Telekomunikacioneve se është në plan dhe dhënia e një licence të katërt operatori celular, veprim ky që nuk duket se i tremb operatorët ekzistues të tregut.
Statistika të telekomunikacioneve për vitin 2006
1. Tregu i telefonisë së lëvizshme, të ardhurat me rreth 350 milionë euro
2. Rritja vjetore e tregut të telefonisë së lëvizshme, me 14 për qind
3. Shpenzimi për frymë për telefon në vit në vend, 113 euro
4. Shpenzimi për përdorues, me rreth 180 euro në vit
5. Çdo përdorues telefoni celular shpenzon mesatarisht 15 euro në muaj
6. Tregu i telekomunikacioneve (fiks + të lëvizshëm), rreth 450 milionë euro
7. Shpenzimi për frymë për telefona, rreth 145 euro
8. Rritja vjetore e tregut të telekomunikacioneve, me 12 për qind
Sipas raportit të ERT-së
Kush janë tre operatorët celularë në vend
1- AMC
“Albanian Mobile Comunication” (AMC) është në treg që nga viti 1996, e themeluar nga qeveria shqiptare. Në vitin 2000, nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar, kompania është privatizuar nga konsorciumi “Cosmote Telenor Consortium”. Aktualisht AMC-ja është kompania më e madhe e celularëve në Shqipëri, me mbi 1 milion abonentë.
2- Vodafone
“Vodafone Albania” e filloi shërbimin e tij GSM në Shqipëri më 3 gusht 2001. Vodafone është kompania me rrjetin më të madh të telefonisë celulare në botë. Kjo kompani ka një shpërndarje të rrjetit të saj në 27 vende të botës dhe shtrihet në të 5 kontinentet. Ajo shtrin shërbimet në një treg me më shumë se 800 mijë abonentë.
3- Eagle Mobile
Operatori “Eagle Mobile” është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit celular GSM në Shqipëri më 1 mars të vitit 2004. Ky operator ende nuk është aktiv në treg. Me vendim të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, afati i fillimit të operimit të rrjetit u shty për në mars të vitit 2008.
14 Mars 2008