Një premtim i pambajtur i Qeverise
Nikollaq Neranxi
Qeveria Berisha po hyn në pranverën e tretë të qeverisjes së saj. Fermerët që e votuan, presin që të vihet në jetë premtimi i programit për uljen e çmimit të karburantit, por më kot. Është një premtim që nuk u mbajt. Edhe këtë vit bujqësor, tokat do punohen së shumti me krahë dhe me kafshë pune. Pasojat e pakësimit të përdorimit të mekanikës bujqësore janë të dukshme: Tokat e lëna djerrë arrijnë në rreth 30 për qind të tokës së punuar, çka presupozon po kaq prodhim bujqësor të munguar. Rritja e kostos ka rritur edhe çmimin e prodhimit vendas në treg. Pakësimi i prodhimit ka ndikuar në shtimin e varfërisë të zonave rurale. Në tokat e lëna djerr, janë shfaqur dëmtues masivë si karkalecat apo minjtë e arave, që dëmtojnë të mbjellat. Në serrat me ngrohje, nga ngricat e muajit shkurt u dëmtuan mbjelljet e perimeve për prodhim të hershëm. Megjithëse në një ekonomi të liberalizuar tregu, në rastin e bujqësisë, vihet re një deformim dhe paradoks: ndërsa kërkesa e tregut është në rritje për produkte bujqësore, oferta nuk i përgjigjet kësaj kërkese. Tregu e plotëson këtë boshllëk nëpërmjet importimit të mallrave bujqësore, çmimet e të cilave sa vinë e rriten. Shkaku i këtij deformimi, është mungesa e leverdisë ekonomike dhe e fitimit nga prodhimi bujqësor, për shkak të kostos së lartë të punimeve me mekanikë bujqësore dhe të imputeve, sidomos plehrave kimike, pesticideve dhe farërave.
Po t’u referohemi të dhënave të Vjetarit Statistikor të Ministrisë së Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, vlera e kryerjes së punimeve të mekanizuara në bujqësi zë 32 për qind të shpenzimeve gjithsej, tok me vlerën e imputeve ato arrijnë 65 për qind. Janë kryesisht këta dy zëra që bëhen faktorë frenues të zhvillimit bujqësor. Ndërhyrja për të ulur shpenzimet e këtij grupi,e veçanërisht të karburantit, do të sjellë efekte të shpejta në përmirësimin e prodhimit bujqësor. Për këtë ka bindje edhe Qeveria, prandaj edhe e përfshiu në programin e saj, por ajo dështoi në gjetjen e mekanizmave efikase dhe faktorëve teknikë për shpërndarjen dhe shmangien e shpërdorimit dhe korrupsionit në terrenin praktik. E ndodhur para këtyre vështirësive me karakter burokratik e teknik, në vend që të gjente zgjidhjet, Qeveria hoqi dorë nga sigurimi i karburanteve me një çmim jo më shumë se 40 lek për litër për të gjithë fermerët shqiptarë!
Si deputet i opozitës, ky premtim programor i papërmbushur i Qeverisë, më trishton dhe më ngjall keqardhje për pamundësinë e përfitimit të atyre mijëra fermerëve, që robtohen duke e punuar tokën me krahë, pasi nuk kanë me se t'i paguajnë punimet me mekanikë bujqësore. Në rastin konkret, nuk dua të bëj rolin e kritikuesit,por të shpreh një shqetësim madhor që nuk është vetëm i imi. Prandaj i kërkoj Qeverisë që sa më shpejt ti rikthehet këtij problemi. Asnjëherë nuk është vonë dhe nuk mund të themi se ndodhemi para një fataliteti. Për këtë mjafton vullneti politik dhe angazhimi serioz e i përgjegjshëm i shumicës qeverisëse.
I goditur nga politikat e çmimeve të karburanteve është edhe sektori i peshkimit në të cilin janë të përfshirë drejtpërdrejt 1400 subjekte gjuetie dhe mbi 1000 subjekte në sferën e shpërndarjes dhe marketingut. Ata e marrin naftën me çmimet e tregut, apo dyfishin e vlerës që paguajnë peshkatarët e vendeve fqinje. Është kjo arsyeja që ata shpesh hidhen deri në portet e vendeve të huaja për të përfituar nga çmimi i ulur i shitjes në ato vende, që është rreth 0.5 euro litri. E ndodhur para kërkesave dhe protestave të herë pas hershme të peshkatarëve, Qeveria më 12.03.2008 mori një vendim për skemën e rimbursimit të akcizës së naftës. Por edhe ky vendim, me shumë kushtëzime burokratike dhe përfitim minimal, që mesa duket është marrë pa u konsultuar me këtë sektor, është kundërshtuar nga peshkatarët, të cilët kanë deklaruar se do ti përshkallëzojnë protestat, ngaqë edhe me vendimin e fundit të Qeverisë nuk mund të zgjidhet problemi i naftës që nevojitet për peshkim. Kësisoj problemi mbetet i hapur dhe i pazgjidhur.
Pa dashur ti hyj një analize të mirëfilltë, ngaqë sa e kam ndjekur këtë problem, dua të evidentoj disa nga gabimet dhe mangësitë e aspekteve ligjore dhe nënligjore që e bënë të pamundur zbatimin e uljes së çmimit të karburantit për punimet bujqësore dhe ngrohjen e serrave: Në vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 703, datë 16.11 2005, nuk u caktua sasia e karburantit me të cilën do të furnizoheshin përfituesit për vitin 2006, pa akcizë, kësisoj mungoi objektivi konkret i detyrueshëm për ARMO dhe MBUMK duke lënë vend për justifikime nga të dy palët. Megjithëse u caktua çmimi 40 lek/litri dhe u miratua fondi përkatës për subvencionin e çmimit në gjashtëmujorin e parë të 2006, mungonte baza ligjore për këtë subvencion. Udhëzimi i hartuar nuk u konsultua me grupet e interesit, FMN, BB dhe fermerët, të cilëve iu vu kusht që të paguanin taksën e tokës. Nga ana tjetër, ARMO e cila do të ishte furnizuesja,nuk ishte e interesuar të shiste naftën me çmimin e programuar, dhe ç’ishte më e keqja,ajo nuk kishte disponibël naftë ne kohën që doli vendimi! Pikat e shpërndarjes së karburantit me pakicë u përzgjodhën me vonesë dhe nuk u mbështetën. Megjithëse ishte një punë e filluar nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë të Qeverisë pasardhëse,ekspertët u larguan, grupet e punës nuk u paguan dhe KASH nuk u angazhua dhe nuk u pyet fare,duke i konsideruar si hallka që mbështesnin korrupsionin. Në vendimin e sipërcituar, u fut pa u studiuar mirë koncepti i subvencionit nëpërmjet rimbursimit në skemën e re të furnizimit me naftë të fermerëve nga buxheti dhe u hoq dorë nga modeli i mbështetjes edhe me politika dhe grante të donatorëve. Ishte i pa mbështetur mirë financiarisht dhe i pamundur për tu zbatuar menjëherë siç u përcaktua në VKM dhe realisht solli pasoja negative. Mossigurimi nga buxheti i fondeve përkatëse të subvencionit, e bëri praktikisht të pamundur zbatimin e skemës nëpërmjet rimbursimit nga buxheti.
Jemi në vitin e tretë të qeverisjes dhe premtimi i programit nuk është mbajtur. Gjendja duhet ndryshuar. Është një ndryshim që e kërkon katandisja e bujqësisë që sa vjen e keqësohet. Është e kuptueshme, se duke mos qenë ekspert i kësaj fushe, nuk mund të jap zgjidhje teknike konkrete, por kjo nuk më heq të drejtën e parashtrimit edhe një herë të këtij problemi. Qeveria i ka strukturat e specializuara, të cilat pasi të analizojnë me kujdes shkaqet e vërteta të dështimit të skemës, të gjejnë rrugët efikase të zbatimit të saj dhe të mos fshihen apo justifikohen pas korrupsionit duke e kërkuar atë edhe atje ku s'është. Po të jetë e nevojshme, le të merret edhe përvoja e vendeve të tjerë që e aplikojnë atë. Është rasti që Kryeministri, të mos bëhet pjesë e dështimit, por faktor i zgjidhjes së problemit dhe i mbajtjes së premtimit që u ka dhënë fermerëve shqiptarë.
14 Mars 2008