E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontroll në Hipotekën e Tiranës, shkarkohen 10 regjistrues

Ministri pranon propozimin e Qirjakos për masat ndaj zyrtarëve. Skandalet me pronat, ikën edhe kryeregjistruesi i kryeqytetit
Laureta Rryçi

Tiranë - Kontrolli në Hipotekën e Tiranës zbulon shkeljet e regjistruesve. Përballë fakteve të raportit që doli nga kontrolli, kryeregjistruesi Arben Qirjako nuk i ka kursyer masat e rënda ndëshkuese ndaj regjistruesve të Tiranës. Propozimi i tij ka marrë dje dhe miratimin e ministrit të Drejtësisë, Enkeledj Alibeaj, duke marrë formën e prerë. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan dje për gazetën “Albania” se Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht sektori i kontrollit tekniko – ligjor ka përfunduar në dhjetor të vitit 2007 një inspektim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë. Masa ndëshkuese ka pasur jo vetëm largim nga puna, por edhe vërejtje me paralajmërim.
Raporti
Raporti i kontrollit, dalë pas këtij inspektimi, për periudhën maj 2004-korrik 2007, ka evidentuar mangësi në zbatimin e kuadrit ligjor nga ana e kësaj zyre. Sipas raportit, puna për zbatimin e procedurave tekniko-ligjore për regjistrimin e pasurive të paluajtshme nuk është përmirësuar. Raporti ka evidentuar se ka mangësi në punën e ZVRPP-së Tiranë, sidomos në drejtim të përpunimit dhe qarkullimit të dokumentacionit ligjor, rrjedhojë kjo e papërgjegjshmërisë së disa punonjësve, të cilët me veprimet e tyre kanë cenuar ligjin. Raporti bën përgjegjës për mangësitë organizimin e dobët të punës nga ana e drejtuesit të zyrës.
Masat
Duke marrë shkak nga përfundimet e këtij raporti me propozim të kryeregjistruesit të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ministri i Drejtësisë urdhëroi shkarkimin e regjistruesit të kësaj zyre, Fadil Kaloshi. Është bërë një kontroll në Zyrën e Regjistrimit të Tiranës nga ana e sektorit të kontrollit ligjor në ZQRPP, nga i cili kanë rezultuar disa shkelje. Në raport-kontroll janë bërë propozimet dhe më pas janë marrë këto masa: është propozuar nga ZQRPP-ja shkarkimi i Regjistruesit të Tiranës Fadil Kaloshi dhe me vendim të ministrit të Drejtësisë është bërë shkarkimi i tij. Janë shkarkuar nga ana e kryeregjistruesit Arben Qirjako edhe nëntë specialistë të tjerë të ZVRPP-së së Tiranës. Janë dhënë 5 vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna dhe 7 vërejtje të tjera me shkrim. Janë dërguar në prokurori 17 çështje, tek të cilat raporti ka vërejtur elemente të veprës penale.

Rastet

Janar 2008

18 muaj për kryeregjistruesin e Kuçovës
Prokurori i çështjes i kërkoi trupit gjykues 1 vit burg dhe 400 mijë lekë gjobë për Kujtim Beharin, kreu i Zyrës së RPP-së të Kuçovës, ndërsa gjykata e ka dënuar me 18 muaj. Më 29 mars 2007 ndaj Beharit nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “shpërdorim detyre”. Procedimi penal për Kujtim Beharin erdhi pas denoncimit që bëri ndaj tij në prokurorinë e rrethit administratorja e Shoqërisë së Lëndëve Larëse sh.a. Kuçovë, Liljana Lule. Sipas akuzës, objekt i këtij kallëzimi është bërë lëshimi nga ana e Zyrës së Regjistrimit Kuçovë dhe konkretisht prej Beharit, vërtetim (dokument) hipotekor dhe hartë treguese të pasurisë me numër 16-20, të tjetërsuara, duke e përgjysmuar këtë pasuri si dhe duke i ndryshuar kufijtë e saj. Pasi ka verifikuar këtë shkelje me pronën e saj, administratorja Liljana Lule, shoqëria e së cilës është krijuar sipas ligjeve të shtetit shqiptar më datë 24.12.1996, pas privatizimit të ish-ndërmarrjes “Milva” në Kuçovë, i është drejtuar organit hetimor duke kërkuar ndjekjen e kësaj çështjeje. Sipas organit të Prokurorisë, përfaqësuar nga Puci, ky organ ka kryer një sërë veprimesh procedurale hetimore si administrimin e të gjithë dokumentacionit që ka të bëjë me këtë pasuri, ka marrë në pyetje disa persona dhe pas përfundimit të hetimit ia përcolli dosjen organit të Gjykatës.

27 shkurt 2008

Tre zyrtarë regjistronin prona me dokumente false
Sipas policisë, në pranga përfunduan shefi i një sektori të Hipotekës dhe dy regjistrues. Aksioni i Task-Forcës përfundon me prangosjen e tre zyrtarëve të Hipotekës, një oficeri të policisë dhe dy sekserëve. Këta persona ishin në përgjim prej kohësh dhe madje prokuroria kishte nisur për ta procedimin penal, por priste verifikimin e fakteve. Madje është pritur edhe arrestimi i tyre në flagrancë, ndërsa regjistronin prona me dokumente false. Burime të sigurta thanë për gazetën se 4 zyrtarë dhe 2 sekserë kanë rënë në pranga të policisë, pasi akuzohen për korrupsion në zyrat e Hipotekës. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Task-Forcës, të cilët kanë thënë se bëhet fjalë për arrestimin e një shefi sektori, tre regjistruesve dhe një oficeri policie. Sipas policisë, të arrestuarit janë Artan Mehmeti, shef sektori, Ramiz Hyka, regjistrues, Enton Babameto me detyrë specialist në Auditin e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në pranga ka rënë edhe oficeri i policisë Dali Hakorja dhe sekserët Veiz Senko e Halil Hima.

Zonat e mbivendosjes, problem Tirana

Pas inspektimeve pak kohë më parë, ka rezultuar se nga mbivendosjet janë prekur më shumë zonat ku ka pasur interes për ndërtime. Në kryeqytet, zonat me të cilat mendohet se është abuzuar regjistrimi i pronës duke shtuar sipërfaqe janë: Yzberishti, Kashari, Mëzezi dhe Katundi i Ri. Të njëjtat burime shpjegojnë se i njëjti problem është konstatuar edhe në të gjitha qytetet e mëdha të vendit, sidomos në ato zona ku ka një zhvillim të dukshëm mbi turizmin. Konkretisht, në zonat bregdetare mendohet se ka pasur më shumë abuzim falë këtyre dublikatave. Dublikata është formular që lëshon komuna apo bashkia, e cila del garant për pronësinë e personit. Ky formular lëshohet vetëm në ato raste kur personit që kërkon pasurinë i ka humbur akti i pronësisë. Kjo implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe komunarët apo përfaqësuesit e bashkisë, që janë bërë pjesë e këtyre abuzimeve. Madje në media u deklarua se sapo përgjegjësit të ishin konkretë, mbi ta do të jepeshin dhe masa konkrete. I gjithë informacioni mbi abuzimet, sapo të bëhet publik një kopje, do t’i dërgohet dhe institucionit të akuzës për të marrë masat ndëshkuese ligjore mbi ta.

Kompetencat e Hipotekës

Zyra e hipotekimit vetëm sa i regjistron titujt e pronësisë. Në këtë kontekst, në rastet kur ZRPP-ja nuk ka këmbëngulur që të bëhet verifikimi i tapive me origjinalin në këshillin e qarkut, ka ndodhur të jetë regjistruar një pronë më shumë se një herë. Në lidhje me këtë, për vite me radhë regjistrimi i pronave është bërë më shumë se një herë dhe kjo ka futur në konflikt pronarin e vërtetë me pronarin e rremë, por ka shtuar gjithashtu së tepërmi edhe proceset gjyqësore. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse Zyra e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme do të shqyrtonte me vëmendje dhënien e certifikatave të pronësisë. Për të kryer korrigjimet e duhura në abuzimet që janë bërë me regjistrimin e pronave ndihmon edhe ligji i ri “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”.

Ligj i ri

Në bazë të ligjit të ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë disa regjistrime dhe që nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera. Kjo gjë do të kryhet vetëm pas regjistrimit të parë, me kusht që ky i fundit të jetë në përputhje me Nenet 192-197 të Kodit Civil”. Në ligj thuhet se deri në marrjen e vendimit nga kryeregjistruesi për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe pasuria bllokohet, çka do të thotë se mbi të nuk mund të bëhen transaksione apo veprime të tjera. Në lidhje me këtë duhet të njoftohen palët brenda 10 ditëve për veprimet e kryera nga regjistruesi me këtë pasuri. Kryeregjistruesit i është lënë afat 30 ditë pas marrjes së kërkesës për të marrë vendimin e duhur ligjor. Nëse brenda 30 ditëve vendimi nuk merret, atëherë do të zbatohet Neni 328 i Kodit të Procedurës Civile, i cili parashikon ankimimin në gjykatë. Rastet më të shpeshta të mbulesave hipotekore janë vërejtur në zonat rurale përreth Tiranës, si në Bërxull, Yrshek, Yzberisht.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›