Inflacioni, rritet me 10 lekë për litër çmimi i gazit
Pas shtrenjtimit të naftës dhe benzinës rritet edhe çmimi i gazit të lëngshëm. Në disa distributorë në kryeqytet, gazi i lëngshëm shitet me 80 lekë/litri, duke shënuar një rritje prej 10 lekë për litër. Sipas tregtarëve, rritja ka ardhur për shkak të ecurisë së tregjeve financiare ndërkombëtare. Në bursa, gazi i lëngshëm ka arritur në 10 euro/galloni, duke shënuar një rritje prej 2 euro gjatë javëve të fundit. Rritja e çmimit të gazit pritet të reflektohet me shtrenjtimin e kostos së jetesës në vend, pasi ai përdoret si burim alternativ i energjisë elektrike, veçanërisht për ngrohje dhe gatim. Gazi shënon kështu edhe shtrenjtimin e plotë të çmimeve në tregun tonë të hidrokarbureve. Pak ditë më parë u rritën edhe çmimet e naftës dhe benzinës me 3 lekë/litri. Në pikat e karburanteve, nafta “D2” shitet me 144 lekë/litri, nafta e cilësisë së parë e njohur ndryshe si eurodizel me 148 lekë/litri dhe po kaq edhe benzina.
BSH-ja revokon licencën e Bankës Italo-Shqiptare
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e fundit të tij vendosi të revokojë licencën e Bankës Italo-Shqiptare sh.a., pasi ajo, pas bashkimit me Bankën Amerikane të Shqipërisë, e ka kaluar trashëgiminë e saj të plotë te Banka Amerikane e Shqipërisë. Gjithashtu, dje Banka Qendrore e Shqipërisë prezantoni projektin e informatizimit të lëvizjes së informacionit, që lidhet me zhvillimin e ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë. Burime nga BSH-ja bënë të ditur se ky projekt i ri është përgatitur nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, në bashkëpunim me Agjencinë Reuters.
Fillon ndërtimi i rrugës së Zall Herrit
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, inauguroi dje fillimin e punimeve të ndërtimit të segmentit të fundit të rrugës së Zall Herrit. Ky investim financohet nga buxheti i shtetit me vlerë rreth 52 milionë lekë. Punimet për ndërtimin e rrugës, me gjatësi 3,6 km, do të përfundojnë në verë të këtij viti. Ky segment do të ketë një gjerësi rreth 6 metra si dhe 2 bankina nga 0,75 metra secila. Projekti i hartuar nga firma “Anxhela P.C Construksion” parashikon gjithashtu dhe punime në shtresat rrugore, plotësime me vepra arti si dhe mbingritje muresh gabioni, kuneta, kanale etj. Ministri Olldashi në fjalën e tij shprehu besimin se kontraktori do të tregojë gjithë kujdesin e duhur për të kryer punimet në afat dhe cilësi. Ndërtimi i këtij segmenti do të zgjidhë problemet e komunitetit si dhe do të lehtësojë dhe shpejtojë lëvizjen e automjeteve në këtë zonë. Firma e kontraktuar për realizimin e punimeve është firma “Alb-Shpresa” sh.p.k, ndërsa supervizimi do të kryhet nga ing. Ibrahim Dragoshi.
Kursi i këmbimit të euros me valutat kryesore
Londër 14 mars:
US Dollar 1.5565 1.5592 1.5523
Japanese Yen 155.91 157.96 155.57
British Pound 0.766 0.7678 0.76545
Swiss Franc 1.5735 1.579 1.571
Australian Dollar 1.6655 1.6682 1.6524
Canadian Dollar 1.5398 1.5423 1.5365
14 Mars 2008