E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Ballkanik i Teatrit çel siparin më 1 shtator



Për herë të parë në Shqipëri më 1 shtator do të çelet sipari i Festivalit Ballkanik i Teatrove. Regjisori Gëzim Kame është ai që do të bëj të mundur prezantimin e këtij festivali. Sipari i këtij festivali do të pres trupa nga Shqipëria, Kosova, Greqi, Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia, Bosnja dhe Serbia, të cilët do të prezantohen në skenën shqiptare me shfaqjet më të mira teatrore të vitit. Festivali i parë Ballkanik i Teatrit do të vij për publikun kryeqytetas për gjashtë net me radhë. Sipas regjisorit Gëzim Kame, ky festival pritet të jetë një ndër festivalet më të veçanta në llojin e tij. “Festivali i Teatrove pritet të ketë një jehonë shumë të madhe në Ballkan sepse ideja e këtij festivali është shumë ndryshe nga gjithë festivalet rajonale apo kombëtare që janë bërë deri tani në vendin tonë. Do të vijnë shfaqet më të mira të 12 shteteve të Ballkanit dhe këtu do të konkurrojnë shfaqjet më të mira të vitit të Ballkanit dhe do të zgjidhet shfaqja më e mirë e vitit të Ballkanit”, -pohon Kame. Gjatë këtyre mbrëmjeve festivali do të sjell para publikut autor të njohur si Gogol, Ionesko apo Pirandelo dhe regjisore te njohur të shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria do të përfaqësohet nga tragjikomedia “6 personazhe kërkojnë autor”e shkrimtarit me famë botërore Luigji Pirandello, e vënë në skenë nga regjisori i njohur Mehmet Xhelili nën lojën aktorëve Fatos Selës, Eftjola Laçkajt, Marjeta Ljarjas, Dritan Boriçit, Olta Dakos, Fadil Kujovskës e Olta Gixharit. Skenografia vjen nga Genc Shkodrani e kostumografia i është besuar Anila Zajmit. Pjesa është një ndër veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzetë. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit “Nobel”, shkrimtarit dhe dramaturgut italin Luigji Pirandelos.
Pirndelo me “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”
“Gjashtë personazhe kërkojnë autor” (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Subjekti është tejet interesant, ku në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij , i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Drama e tyre ka në qendër një familje e cila përbëhet nga babai, thjeshtra, nëna, biri, vogëlushja dhe djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” mbart një gjuhë sa të pasur intelektuale, aq edhe të ngjeshur me veprim e dramaticitet; ajo ka një mënyrë tepër origjinale të servirjes së subjektit: në fillim e çuditshme dhe pastaj e hapur dhe sugjestionuese. Mbart një lëndë të kondensuar, të ngjeshur, intensive, të gjerë. Ajo ka personazhe të larmishme, të pushtuar nga nevoja ulëritëse për komunikim dhe vet konfirmim. Larmi ka edhe në potencialitetet emocionale dhe ideore: thellësi mendimi, përplasje tragjike, kundrapunkte komike, kulme të fuqishme, hera herës poetike, por edhe spektakolare. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli. Festivali iparë Ballkanik i Teatrit në përfundim do të zgjedh regjisorin më të mirë të vitit, skenografin, aktorin dhe aktoren më të mirë në ballkan.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›