E Diel, 1 Nëntor 2026

Presioni ndërkombëtar, Serbia pranon të modifikojë rezolutën për Kosovën



Pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve, Serbia më në fund ka pranuar të modifikojë prohjektezolutën për Kosovën që do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por ka theksuar me këtë rast se nuk do të ketë asnjë ndryshim në lidhje me qasjen ndaj tërësisë territoriale të saj. Sekretari i Shtetit në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, në një intervistë për BBC-në është shprehur se po kërkohet një rrugëdalje me BE-në për rezolutën e cila, sipas tij, nuk do të ndryshojë shumë. Ai tha se bisedimet me diplomatët europianë kanë të bëjnë më shumë me një marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare për hapat pas miratimit të projektrezolutës në OKB. Përpjekjet për ndryshimin e projektrezolutës serbe kanë hyrë në një fazë kyçe dhe diplomatë të BE-së po bëjnë ece-jake diplomatike në Beograd. Javën e shkuar shefi i diplomacisë gjermane, Guido Vestervelle, ndaloi në Beograd e Prishtinë, ku u bëri thirrje autoriteteve që të prananojnë realitetin e ri dhe ndryshimin e kufijve.
Ivanoviç u shpreh se modifikimet ishin të detyrueshme, pasi në prag të votimit gjithmonë bëhet kompromis dhe në këtë rast bëhet fjalë për një kompromis me vendet anëtare të Bashkimit Europian. ”Gjithnjë është mençuri politike që në prag të votimit të provohet të mblidhet një numër sa më i madh i mundshëm i atyre që e mbështesin këtë rezolutë. Atëherë votimi do të ishte i zakonshëm. Prandaj në këtë fazë, para nesh, mbetet që me anëtarët e BE-së, të cilat nuk janë pajtuar me projektin tonë të rezolutës, t’i dakordojmë qëndrimet, por duke mos hequr dorë nga çështjet kryesore: kjo do të thotë bisedimet dhe qëndrimi ndaj statusit, këto janë dy çështje të cilat nuk mund të ndryshojnë”.
Modifikimet
I pyetur nëse është normale që të mos ndryshohen dy çështjet kryesore: mendimi i GJND-së dhe bisedimet për statusin, të theksuara nga BE-ja dhe numri më i madh i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Ivanoviç tha: “Shumë nga këto çështje të përmendura janë objekt për bisedime dhe sigurisht që nuk mund të negociohen përmes shtypit dhe mediave. Pa dyshim se mediat kanë një rol, megjithatë, ajo që vendoset në këtë takim zyrtar dhe ajo që del nga marrëveshja është detyrë për diplomatët. Ka ende kohë, dhe kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fillimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe deri një ditë para fillimit çdo gjë do të jetë e hapur. Është çështje e sigurt se Serbia nuk do të heqë dorë nga "disa vija të saj të kuqe", që nënkupton se tërësia tokësore e Serbisë nuk mund të vihet në pikëpyetje përmes një rezolute”. Sipas tij, nga tërësia tokësore nuk mund të hiqet dorë, jo për shkak të vullnetit të mirë të një individi ose të një grupi politik, por kjo është çështje e Kushtetutës dhe ajo duhet të respektohet pavarësisht nëse dikush është në pushtet ose në opozitë.
Vizita
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Uilliam Hague, do të vizitojë sot Beogradin. Ai do të takohet me zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë dhe do të bisedojë mbi tekstin e rezolutës për Kosovën, të cilën Serbia ia ka paraqitur Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Shefi i diplomacisë britanike, sipas “B92”, vjen në Serbi disa ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Vestervele, i cili në Beograd deklaroi se rezoluta mbi Kosovën duhet harmonizuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian, dhe se para se gjithash duhet të bisedohet në Bruksel e jo në Nju Jork. Presidenti Tadiç ka deklaruar se Serbia do të konsultohet me Brukselin e Uashingtonin mbi mundësinë kompromisit i cili, siç ka thënë, nuk duhet t’i rrezikojë interesat shtetërore e kombëtare të Serbisë, por edhe të mos e konfrontojë Beogradin me fuqitë perëndimore.

Klinton letër Maqedonisë: “Kundërshtoni rezolutën serbe”

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton i ka dërguar një letër Maqedonisë në lidhje me projektrezolutën serbe kundër Kosovës. Letra është dorëzuar në Ministrinë e Jashtme nga ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker. Në brendësi shkruhet se Shkupi duhet të kundërshtojë projektrezolutën. Aty theksohen edhe motivet se përse duhet kundërshtuar ajo. Kjo nismë është ndërmarrë pasi dyshohet se Maqedonia mund të mbajë qëndrim neutral në OKB për ftohje të marrëdhënieve me Serbinë.

Dëbimi i romëve nga Franca, Kushner: “Kam menduar të jap dorëheqjen”

Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner tha se ka menduar të japë dorëheqje për shkak të vendimit të presidentit Nikolas Sarkozi për dëbimin e romëve. Kushner, ish-socialist dhe aktivist i njohur humanitar, i cili u rekrutua në qeverinë e djathtë të presidentit Sarkozi në vitin 2007, tha se vendimin e ka pranuar shumë rëndë, por ka vendosur të mbesë në qeveri për ta luftuar atë. “Nuk jam i lumtur me atë që ndodhi. Kam punuar me romët 25 vjet. Nuk jam i lumtur për këtë polemikë”, tha Kushner. Ai është një nga themeluesit me organizatës “Mjekët pa Kufij”. Deklarata e Kushner vjen pas dëbimin të qindra romëve nga Franca dhe deklaratave të presidentit Nikolas Sarkozi, i cili më herët është shprehur se është i detyruar të veprojë kështu, pasi franca nuk mund të përballojë numrin e madh të personave që kanë shkuar. Italia nga ana e saj ka deklaruar se Franca thjesht po e imiton atë, pasi dëbimi i romëve është kryer fillimisht nga ky shtet.

Hagë
Prokuroria akuzon Kroacinë për pastrim etnik të serbëve

Forcat kroate qëllimisht kanë dëbuar dhjetëra mijëra serbë gjatë fushatës ushtarake të vitit 1995 për të rimarrë territoret që më herët ishin pushtuar. Deklaratat u bënë nga Prokuroria e Gjykatës së Hagës për ish Jugosllavinë gjatë fjalës përmbyllëse të akuzës në rastin e tre gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina, Mlladen Markaç dhe Ivan Çermak. Prokurori Alan Tieger, tha se autoritetet kroate i urdhëruan trupat të mos kryenin krime gjatë rimarrjes së kontrollit të rajonit të Krajinës, por shtoi se ata nuk synonin që urdhërat e tyre të ndiqeshin.

Kili
Minatorët flasin në telefon me familjet

Minatorët që kanë mbetur nën tokë në Kili për më shumë se tre javë, kanë kontaktuar për herë të parë me telefon me të afërmit e tyre. 33 minatorët folën me radhë me familjet e tyre, nga një minutë secili. Karola Narvaez, tha se bashkëshorti i saj, Raul, ishte në gjendje të mirë. Zonja Narvaez tha se psikologët e kishin këshilluar atë dhe të afërmit e tjerë, që të ruanin qetësinë e të mos shprehnin shumë emocione gjatë bisedave.
Mund të duhen muaj të tërë derisa skuadrat e shpëtimit të arrijnë tek minatorët që kanë mbetur nën tokë.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›