"TEK NE S‘KA VJESHTë"
- Me shkas nga një debat televiziv për vlerat e korruptuara të traditës së realizmit socialist -
Këto i kemi dëgjuar… Po, po, këto i kemi dëgjuar, veçse, ndoshta, në një kohë mjaft të shkuar.
Ishte mendimi i vetëm që po më vërtitej në mendje, ndërsa ndiqja diskutimin thuajse krejt të rrafshët të një grupi analistësh, gjithnjë të gatshëm për të ditur gjithçka ashtu si dhe për kuptimin e artit të realizmit socialist, sidomos të arteve pamore.
"Të luftojmë shfaqjet dhe ndikimet e huaja në letërsi dhe arte". Këtë titull mban fjalimi i E. Hoxhës në një prej plenumeve më famëkeq të kohërave, Plenumit të 4-t, në të cilin u vendos përfundimisht "ndëshkimi shembullor" jo i një vepre, po i një ngjarjeje të tërë, i Festivalit të 11-të. Pikërisht në kërkim të dëshmive arkivore rreth kësaj ngjarjeje, për të përgatitur një dokumentar televiziv, isha njohur me këtë frazeologji. Dallimi i vetëm ishte ndërrimi i tendencës: gjithçka që çmohej atëherë, tani përçmohej, gjithçka që lëvdohej atëherë, tani qortohej, gjithçka që pohohej atëherë, tani mohohej. Si të thuash, ktheje kokëposhtë dhe çdo gjë shkon më së miri!
Një tog omnipotentësh, njëri më i merituar se tjetri, duke dashur të çmontojnë nga mendja njerëzore çfarëdo respekti për realizmin socialist, nuk përtuan të tallen e të masakrojnë, madje as "Për ty atdhe" të P. Gacit, as "Overturën festive" të N. Zoraqit, as vizatimet etnografike të A. Buzës, as këngët e ndaluara të Festivalit të 11-të, sikur Shqipëria një gjysmë shekulli kishte rrojtur vetëm "me lahutë e me gërnetë", me shije dhe ushqim shpirtëror po aq primitiv.
Mendja nuk më bindej të pranoja gjykimin skematik të pjesëmarrësve në atë debat të cungët për një art jo më pak skematik. Të gjykosh realizmin socialist do të thotë të gjykosh afro një gjysmë shekulli letërsi e arte. Nuk është kaq e lehtë të presësh si me gërshërë dhe me një mendësi krejt të gozhduar në skemë gjithçka që bashkon ky term. Askush s‘e ka bërë këtë, që të shkulë nga historia e vet një periudhë letrare, për shkak të kanoneve që ajo ka pasur, sido kufizuese të kenë qenë këto kanone. Dihet mirë se të gjitha drejtimet letrare kanë pasur parime krijuese, disa prej të cilave edhe më të rrepta se realizmi socialist, për shembull klasicizmi.
Nuk është e lehtë, sepse jo gjithçka e realizmit socialist ka qenë e kryqëzuar ideologjikisht. Brenda kësaj rrjedhe të madhe letrare kishte talente, kishte vepra që u kanë dhënë njerëzve emocione. Nuk është në dorën tonë të vendosim një përjashtim nga alfa tek omega të të gjitha veprave që u krijuan gjatë sundimit të kësaj rrjedhe, që nuk ishte vetëm shqiptare. Të paktën teoricienët evropianë bashkëkohorë, ata që kanë themeluar teorinë e komunikimit, theksojnë se vlera e një vepre nuk mund të ndahet prej mënyrës si e ka pritur lexuesi i parë. Dhe lexuesi i parë shumicën e këtyre veprave e ka pëlqyer, e ka duartrokitur, e ka dhe sot në bibliotekat e veta, e ka madje dhe në tekstet shkollore të sotme. Me to po rriten prej dekadash dhe breza të kohës demokratike.
Nuk mund të mohohet gjithçka, mund të indinjohet me të drejtë lexuesi, teleshikuesi. Mirëpo dihet se një letërsi nuk çmohet nga fundërrinat, por nga majat dhe në qoftë se majat s‘i duhen askujt, atëherë problemi është gjetkë dhe nuk ia vlen as edhe për një debat televiziv. Por kjo me sa duket është në modë. Sepse sot ka më shumë refuzim estetik, se pranim estetik. Prandaj gjendej çkado argumentesh të largët, për të mohuar: Kjo s‘bën, se e mbante udhëheqësi komunist në studio; kjo jo, sepse e dëgjonte udhëheqësi dhe përlotej!
E ç‘rëndësi ka nëse "Për ty atdhe" e paska bërë E. Hoxhën të përlotej! Dihet mirë se kjo këngë pati fituar konkursin e vetëm kombëtar të shpallur në periudhën e totalitarizmit, në fillim të viteve 1970, pikërisht në periudhën e hapjes më të madhe liberale të vendit, për kompozimin e një himni të ri shtetëror. Nëse duhej të pranonim si kriter emocionet që provonte E. Hoxha për pranimin e një kënge a të një tjetre, larg qoftë, atëherë do të duhej të hidheshin tutje jo vetëm "marciali" i Beethoven, por edhe Bah-u mistik e ungjillor, madje dhe M. Ravel e Rrahmanjinov. Jo vetëm kaq, ndëshkimit nuk do t‘i shpëtonte as "i dyshimti Vagner", por dhe as "Tristani dhe Izota", sepse E. Hoxha të gjithë këta i kishte të përditshëm në "menynë" e tij muzikore. Ka njerëz që mendojnë se, meqë dikur shqiptarëve vlerat e kulturës botërore ose u ndaloheshin, ose u jepeshin me kontroll, kështu duhej të ndodhte dhe me ata që ishin në krye. Nuk mund t‘i hyj shpjegimit përse kjo përzgjedhje jo e drejtë, që natyrisht e krastoi nga ndjesitë popullin tim, më bën të mendoj se shijet e udhëheqjes komuniste nuk ishin aq primitive. Kushdo që do të merrte mundimin të këshillonte në arkiva ç‘përmbanin fletë-porositë e tyre, duke përfshirë fletë-porositë e E. Hoxhës për muzikë e literaturë, do të bindej për të kundërtën.
Refuzimi tërësor i vlerave letrare të një kohe ndodh po aq arbitrarisht kur ti shtrembëron fytyrën e veprës, për ta bërë sa më qesharake. Meqë tani jemi të gjithë të bindur se teoritë moderne të kritikës letrare nuk e lejojnë pyetjen se "ç‘ka dashur të thotë autori me këtë?", ishte e udhës ta bënin dhe pjesëmarrësit në këtë debat. Dhe këtij kurthi të vjetër ideologjik nuk i shpëtoi as ky debat. Kështu, poema "Baballarët" e D. Agollit u cilësua me një të rënë të lapsit "një himn për baballarët ideologjikë", për Hoxhën dhe Shehun, për Kapon dhe Ballukun. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Kjo poemë u shkrua në kohën kur të gjithë botën e kishin pushtuar ethet e lëvizjes së "Brezit 1968", që tronditi paqen dhe rendin e deriatëhershëm dhe që, ndër të tjera, u shqua dhe për të famshmen "luftë të brezave". Kjo është koha kur rinia refuzon familjen dhe preferon të bëjë jetën e hipive, ashtu si e shohim në filmin "Flokët". Kjo është koha kur rinia e Evropës e kishte shpallur brez të falimentuar brezin e baballarëve. D. Agolli vinte vetë nga brezi i luftës dhe brezi i baballarëve të hyjnizuar prej tij në të vërtetë ishte brezi i shqiptarëve të vjetër, i veteranëve të llojit të komandantit Rrapo; ishte hyjnizim i një brezi që kishte dyshime te komisarët dhe te komunizmi! Domethënë, nuk kish vërtet brez ‘68 në Shqipëri?! Jo aq e përbotshme natyrisht, por s‘duhen mohuar provokimet që u shkaktuan dhe që sollën plenumet dhe takimet me procesverbalet e mbledhjeve të njëpasnjëshme byroiste, me një kaligrafi që rrezatonte qartë një dorë krejt të frikësuar!
Thuhet se piktura nuk shihet në rrafshin që shpërfaq, por në çka përmban në thellësi. Po ta provonim një lexim të tillë te njëra prej tablove që zakonisht mbahet si më e disiplinuara në raport me kërkesat e realizmit socialist, për shembull te tabloja "Themelimi i partisë", ndoshta nuk do të gjenim aty portretet e E. Hoxhës dhe të Q. Stafës, por Krishtin me dishepujt, në skenën e themelimit të eukaristisë, Të Enjten e Madhe, në darkën e fundme ("Ultima Cena"). Fare pak mundim duhet për të gjetur brenda asaj tabloje të njëjtin rënkim të Krishtit: "Dikush nga ju do të më tradhtojë!"
Për ata që mund të mos i besojnë këtij arsyetimi dua të sjell në kujtesë të njerëzve faktin që në fundin e viteve 1980 mjaft qytetarë në kornizat e portreteve të E. Hoxhës vendosën heshturazi atë të Mona Lizës dhe marrëveshja e fshehtë midis atij që e jepte dhe atij që e merrte, arrihej vetëm me dy fjalë: "E do buzëqeshjen?!" Edhe njerëzit më të thjeshtë e kishin vënë re se në buzëqeshjen e E. Hoxhës piktori kishte përshtatur buzëqeshjen e kursyer të Mona Lizës, për të mos shkuar deri tek arsyetimet ekstravagante të A. Pipës mbi kuptimin e dyshimtë të seksit të udhëheqësit, po aq të dyshimtë dhe tek Mona Liza (sipas një tradite të tërë studiuesish të huaj). Dhe një libër së fundi (Bishti i Dreqit )mbi një tjetër gami të tij nuk duhet patjetërsisht të mos merret në konsideratë.
Por le të kthehemi te një tjetër rast gjithaq të përfolur për skemë trashanike: "Punëtorët në studion e piktorit". Një parim i njohur i leximit të pikturës është të lexosh anët dhe jo qendrën, sepse në qendër gjithnjë ka disiplinë, kurse "lëshimet" gjenden në skaje. Vërtet në këtë pikturë të S. Shijakut punëtoria sundon qendrën, por a e ka mprehur kush syrin të vërejë psikologjinë e vetë piktorit, autoportret, gjë e rrallë në pikturën e realizmit socialist, që nuk merret vesh se me ç‘ndjenjë e përjeton "diskutimin kompetent" të punëtorëve? Të paktën me entuziazëm jo. Ndoshta me ironi?!
Ca më pak mund të disiplinohet brenda "pllakatizmit ideologjik" piktura e A. Buzës, e cila mund të cilësohej si realizëm etnografik dhe mund të përafrohej vetëm me "kubizmin e shtypur" të piktorit shijakas, që Perëndimi e krahasonte herë pas here me Pikaso-në.
Jashtë çdo dyshimi që realizmi socialist më së shumti ndëshkoi artet pamore. Por a di njeri të flasë për përmbajtjen e atyre dhjetëra e dhjetëra veprave, që kur vinte koha e ekspozitave kombëtare të arteve figurative, zakonisht të hapura në muajin nëntor, refuzoheshin e përjashtoheshin, njësoj si refuzoheshin e ndaloheshin librat prej komisioneve organizative? Ose për ato këngë të festivaleve në radiotelevizion që hiqeshin nga të njëjtat komisione, ose në natën e dytë u hiqej e fishkëllyera, shoqërimi me kitarë apo kori i vogël?
Për të folur për këtë pjesë të arteve figurative, për "pjesën e përjashtuar", duhen gjetur veprat, duhen studiuar e krahasuar. Po nuk është aspak e vështirë të gjenden veprat që nuk janë ekspozuar kurrë për shkak të skematizmit të tyre. Janë rreth dyqind të tilla, dhuruar nga piktorët E. Hoxhës vetë, ose familjes së tij, që ruhen në fondet e arkivave të PPSH-së, tani pjesë e arkivave shtetërore. Pikërisht në këtë koleksion pikturash, ku mund të gjesh edhe tablo në katër pamje, me E. Hoxhën në qendër, në kuvend gju më gju me Skënderbeun, mund të studiohet fenomeni i skemës. Pikërisht në këtë koleksion, mund të gjenim piktura që do t‘u shkonte për shtat titulli ironizues që I. Kadare përdor për një vepër skematike, "Tek ne s‘ka vjeshtë". Por diskutantët për mallkimin me emrin "realizëm socialist" s‘kanë as durim dhe as kohë të merren me kërkime, të shohin me sy e të prekin me dorë, sepse ata i dinë të gjitha pa lexuar, ata janë demiurgu vetë!
Realizmi socialist, ndonëse kur u shpall pretendonte të mbante gjallë realizmin tradicional, duke e gërshetuar me romantizmin perspektiv, u bë dogmatik dhe e kufizoi rëndë lirinë e krijimit. Por liria nuk vdiq. Ndryshe nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më 1990-ën. Ishin letërsia dhe arti ato që mbajtën gjallë shpirtin e lirisë te njeriu shqiptar.
Inati me realizmin socialist, qoftë dhe i ligjshëm, tek e fundit nuk ka pse t‘i bëjë njerëzit nervozë e të paarsyeshëm ab initio. S‘kemi pse hiqemi naivë, me mbiemra të tjerë, si realizëm magjik, surrealizëm (mbirealizëm), neorealizëm, realizëm pa cak, apo dhe si realizëm i ashpër, kjo rrjedhë ndërshekullore e letërsisë dhe arteve edhe sot vazhdon të jetë sunduese dhe gjithë autoritet. Me interes do të ishte pa dyshim të kërkohej e të verifikohej se sa e shmangu nga e vërteta, realizmin socialist, epiteti që mori, "socialist", e cila e angazhoi ideologjikisht, por jo deri sa të mbyste lirinë dhe çfarëdo mundësie për vlera dhe arritje. Në fund të fundit, prapë duke iu referuar mendimtarëve më modernistë të kohës së sotme, të vlerësosh traditën e realizmit socialist, do të thotë ta nisësh nga receptimi i parë i veprave që ai ka prodhuar dhe nga mendimi i brezave që u ushqyen me to.