Festivali Folklorik, Turku inspekton Gjirokastrën
GJIROKASTËR- Tri javë para zhvillimit të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, ministri i Kulturës, Ardian Turku "inspekton" përgatitjet e deritanishme. Ai ka qenë në Gjirokastër, ku ka marrë takim me grupin organizator të festivalit. "Ne pretendojmë të kemi organizimin më të mirë në historinë e këtij evenimenti. Për herë të parë do të kemi një skenografi tërësisht të re, e cila është ideuar nga mjeshtri Bashkim Zahaj, ndërkohë që tashmë ka përfunduar logoja e festivalit si dhe është përgatitur posteri i këtij evenimenti. "Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është e angazhuar për realizimin e këtij evenimenti që zhvillohet një herë në pesë vjet. Për këtë projekt qeveria ka investuar 58 milionë lekë të reja", ka deklaruar Turku. Ndërkaq, pas takimit, ai ka inspektuar në terren punimet që janë duke u kryer në kalanë e qytetit, ku do të zhvillohet edhe festivali. Paralelisht me hidro-izolimin e tarracës dhe pastrimet e ambienteve nga bimësia, aktualisht në këtë objekt është duke u punuar në shtrimin e parketit të skenës, ndërsa u hoqën edhe tre kullat metalike që kanë shërbyer për shumë vite me radhë për ndriçim. Gjatë pesë ditëve të zhvillimit pritet që në Gjirokastër të mbërrijnë rreth 600 pjesëmarrës nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë. Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën "Festivali Kombëtar i Këngës Muzikës dhe Valles". Për herë të parë në Gjirokastër ky aktivitet u zhvillua në vitin 1968, për t'u organizuar çdo 5 vjet deri në vitin 1988. Në vitin 1995, Festivali u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 u rikthye në qytetin e Gjirokastrës.