Çfarë do bëjmë me krimin në Shqipëri?
Rasti i vrasjes së katër policëve të rënë në detyrë dhe së fundi vrasja dhe masakrimi sadist i biznesmenit vlonjate, Genc Habazaj, janë të fundit nga radha, por që konfirmojnë të vërtetën që duhet pranuar nga të gjithë, se situata e krimit është agravuar në Shqipëri.
Dhe për çudi, megjithëse kurba e krimit është në rritje, ende reagimi ndaj kësaj dukurie ka mbetur ose në nivel gazetaresk, ose në trajtime empirike, pa parë ca më tej dhe më thellë për shkaqet komplekse të kësaj dukurie sociale të shëmtuar.
Nëse do jemi realistë, duhet të pranojmë se dimensionet e tij, madhësia dhe intensiteti i vrasjeve në Shqipëri, është jashtë çdo standardi të qytetërimit europian.
Krimi është bërë një nga dukuritë shumë shqetësuese për jetën e qytetarit dhe qytetërimit tonë. Ai nuk është vetëm individualisht bezdisës. Por tregues i mentaliteti të ulët që kemi për "çmimin e jetës".
Nuk ka ditë të mos ketë vrasje dhe vetëvrasje për motive nga më të ndryshmet, të cilat për t'i minimizuar, shpesh, nga organet e rendit konsiderohen si krime për motive banale. Nuk kanë shumë rëndësi motivet pasi ndodh krimi dhe humbet jeta e njeriut. Ato kanë vlerë të njihen, të vlerësohen dhe të parandalohen si shkaqe, para se krimi të ndodhë.
Kanë pak rëndësi pastaj motivet kur bilanci vazhdon të jetë tejet tragjik, kur jeta jonë është e inonduar nga kriminelë "ordinerë" apo të "organizuar", kur kemi një shumicë jetësh të humbura për një copë tokë, për një gardh rrugice, për një përplasje të makinës, për xhelozi, për fyerje etj.
Tani nuk ka më pse të flasim për krimin si dukuri sociale me eufemizma politikë, nga frika se mos "nxijmë realitetin".
Fenomeni i krimit është bërë një plagë e thellë sociale për shoqërinë shqiptare, e cila duhet të na bëjë që të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë ndryshe, si duhet të vëmë në lëvizje veten, shoqërinë dhe institucionet e edukimit, drejtësisë, fesë, shkollën, familjen për ta parandaluar, minimizuar dhe frenuar atë.
Në radhë të parë, shtetin me detyrën e parë të tij si "roje nate" dhe garant i jetës, lirisë së individit, dinjitetit, familjes, pronës dhe pasurisë së tij. Nuk besoj se shoqëria jonë ka ndonjë devijim ontologjik etnik, që të jetë shkak që shërben si argument që justifikon këtë dukuri gati të përditshme.
Duke studiuar, të paktën nga faktet që publikon shtypi dhe media elektronike, duket se krimi ka një strukturë tipologjike kaotike, një larmi shkaqesh ekonomike, pronësore, psikologjike e sociale, jo gjithnjë të motivuara dhe esenciale, por më shumë arkaike e banale për staturën e qytetërimit, që nxitin konflikte, të cilat shpesh marrin përmasa tragjike.
Krimi ka një strukturë të zgjeruar demografike, të përhapur në të gjithë vendin dhe përbërje moshore të përzier. Krimi jo vetëm ka kapur tërë territorin e vendit, por dhe intensiteti i tij është shumë i lartë.
Nuk është fare normale që shoqëria jonë të ketë një gjendje të tillë anormale tensioni, neurotizmi dhe nervozizmi social. Shumica e krimeve bëhen me armë zjarri dhe askush deri tani nuk e ka ngritur zërin për këtë arsenal të fuqishëm armësh që kanë qytetarët në shtëpi, me vete, në makinë, kudo. Mjafton një konflikt dhe menjëherë palët nxjerrin në mes të sheshit armët, i shkrehin pa ju dridhur dora mbi njëri-tjetrin.
Ku po shkojmë kështu, çfarë do bëjmë me krimin që po trondit jetën sociale të qytetarit, duke cenuar rëndë njëherësh standardin e qytetërimit tonë? Kush do t'i nxjerrë këto arsenale armësh nga qarkullimi publik?
Çfarë do bëjmë për të mbrojtur jetën e qytetarit nga krimi? Shoqëria shqiptare gradualisht po merr një tjetërsim evident të natyrës së saj, si rezultat i përhapjes së krimit. Këtë e ndjejmë të gjithë si qytetarë, politikanë dhe si shoqëri civile. Nuk bëjmë mirë as që heshtim, as që mbyllemi në hallet tona.
Po cenohet rëndë cilësia e jetës sociale, e cila nuk është vetëm individuale, por është e përbashkët. Tjetërsimi social i shoqërisë sonë nga plagët e krimit po bëhet i rëndë, shkatërrues dhe sa më indiferentë të jemi, aq më i vështirë do të jetë shërimi i kësaj plage sociale. Nëse do të vlerësojmë situatën, statistikat e krimit, format e shëmtuara të realizimit të tij, do të kuptojmë se duket sikur ka një situatë "kapitullimi" para tij.
Dhe të mos harrojmë që një pjesë e kriminelëve, kur realizojnë krimin, kanë besim se pjesa e ndëshkimit që u takon, mund të mos jetë taksativ, por mund të bëhet "variabile", në përputhje me mundësitë për t'i bërë bisht apo për ta "kompensuar" atë me mjete të tjera alternative.
Koha po tregon se krimi i ka "nxjerrë dhembët" sheshit, sepse ligji dhe organet e ngarkuara për zbatimin e tij, po tregohen gjithnjë e më timidë.
Të mos harrojmë pastaj format e presionit kriminal, që kanë filluar të aplikojnë kriminelët apo aleatët e tyre mbi përfaqësuesit dhe nëpunësit e pushtetit ligjor.
Në kushtet e një shoqërie të lirë demokratike, siç është shoqëria jonë, nuk ka shumë mënyra për t'u përballur me të, por edukimi qytetar dhe rreptësia ndëshkuese e merituar e kriminelit sipas ligjit janë konditë e domosdoshme për ta bërë zap krimin.
E para është detyrë universale e familjes, shkollës, fesë, mjeteve të informacionit publik, për të edukuar njerëz me shpirt human, me sjellje njerëzore, duke shmangur deformimet animaleske të sjelljes kriminale tek njerëzit tanë.
E dyta është fuqizimi i drejtësisë, e cila duhet mbështetur me solidaritet qytetar (ashtu siç bëjnë italianët, spanjollët, francezët etj.), sepse pushteti gjyqësor, qëndrimet e palëkundura ligjore shprehin vullnetin e shoqërisë, solidaritetin tonë qytetar.
Dënimi i krimit është kusht për harmoninë, qetësinë dhe bashkimin social të shoqërisë sonë. Nuk ka arsye pse përmasat e krimit tek ne të jenë kaq dramatike.
Krimi nuk luftohet me tolerancë, me shpirt sehirxhiu, as me bindje voluntariste se ai do të zbutet vetë. Këto janë "përralla me mbret" që po i paguajnë në kurrizin e tyre qytetarët shqiptarë, që po humbin në "beteja absurde" vëllanë, burrin, motrën, babanë, nënën, shokun, mikun, fqinjin, bashkëqytetarin.
Pa ndërhyrje frontale sociale, edukative dhe ligjore, situata nuk rregullohet. Slogani i "tolerancës zero" ndaj krimit është i pamjaftueshëm për ta frenuar atë. Sepse, me sa duket, krimi në Shqipëri ka tendencë të forcohet, të krijojë kohezion dhe imunitet ndaj shoqërisë dhe ligjit.
Kjo sot mund të duket metaforike, por tendenca flet për të kundërtën. Koha dhe detyra e çdo qytetari është që të mos heshtë, të mos flejë në dafina, por të prodhojë kohezion, solidaritet dhe bashkë me shtetin t'i "thyejnë hundët" krimit dhe kriminelëve.
Natyrisht që duhet të pranojmë që në këtë situatë ndikojnë edhe ca faktorë socialë, ekonomikë dhe edukativë që favorizojnë krimin për të siguruar, rekrutuar njerëz të thjeshtë në veprimtari kriminale, nga ato ordinere deri tek më ekstremet.
Njerëz të papunë, të rinj që braktisin shkollat, që konsumojnë para në mënyrë parazitare përtej mundësive ekonomike të familjes, janë të mundshëm të përfshihen në "enklavat e krimit", të bien në rrjetat e sofistikuara të kriminelëve.
Ja, ata të vegjlit që sot nuk shkojnë në shkollë, që janë jashtë strukturave të edukimit familjar dhe formal, janë kontigjent i mundshëm për botën e madhe të krimit. Kjo dukuri shfaqet dukshëm sot në kriminalitetin që zhvillohet në zonat urbane.
Tani, sidomos në qytetet e mëdha, kemi një realitet social të ndryshëm nga e kaluara. Varfëria, lëvizjet kaotike, heterogjeniteti i popullsisë në qytetet tona, janë faktorë që ndikojnë në krijimin e situatave të çorganizimit social.
Ndërkaq, çorganizimi sjell si pasojë zgjerimin e "kriminalitetit urban", që fillon nga krimi ordiner i "bandave" të fëmijëve dhe adoleshentëve vjedhës, deri në nivelet e larta të krimit të organizuar. Koha kërkon që të gjithë si qytetarë të angazhohemi në luftën e vendosur me krimin.
Por, sidomos këtë përgjegjësi e ka shteti, sepse mposhtja e krimit është një nga detyrat prioritare të tij. Në betejën me krimin janë në provë autoriteti i shtetit dhe aftësia e tij për të mbrojtur lirinë e individit.
Është e vërtetë që shteti demokratik është më i zbutur, por masa e tolerancës dhe zbutjes demokratike, duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me nivelin e qytetërimit tonë. Ndryshe, krimi do të zgjerohet, nëse shteti ynë është i lëkundur në luftën ndaj tij...