Iftari mbledh 1500 besimtarë myslimanë në shesh
ELBASAN- Rreth 1500 besimtarë myslimanë janë mbledhur bashkë në iftarin e madh të Ramazanit të organizuar në sheshin 'Gensher' përballë kalasë së Elbasanit në orën 18.00. Gjithçka është organizuar nga Bashkia "Bajram Pasha" në Stamboll të Turqisë, e cila çdo vit nis pelegrinazhin e iftarit në vendet myslimane. Nën moton
"Vllazëria nuk njeh kufij" rreth 1500 besimtarë myslimanë të qytetit të Elbasanit, Cerrikut, dhe rrethinave të tij kanë ngrënë vaktin e iftarit shtruar në sheshin "Gensher" me ushqimet më të shëndetëshme sigurisht në mungesën e pijeve alkoolike. Gjithçka ka qenë e përgatitur nga organizatorët turq, të ardhur nga Turqia. Drejtuesit e këtij aktiviteti kanë thënë se qëllimi është bashkimi i besimtarëve në këtë muaj të madhërishëm dhe lehtësimin e agjërimit të besimtarëve.
Pasi është kënduar syrja në fillim të akshamit nga imami turk, 1500 besimtarët kanë thyer iftarin. Darkën e iftarit e kanë ngrënë drejtues të komunitetit myslimanë, imamë të xhamive dhe pushtetarë të pushtetit lokal, mes tyre dhe kryetari i bashkisë Qazim Sejdini.