E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falimentuan bizneset apo qeveria?

Këto ditë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar nga gjykatat fillimin e procedurave të falimentit për 27 biznese. Bëhet fjalë për sipërmarrje nga më të njohurat në treg, përndryshe VIP-a. Kujtojmë me këtë rast se në mars të vitit 2008, gjatë shqyrtimit të projektligjit për tatimet, opozita shprehu drojën se përmes ndryshimeve që po kërkonte, qeveria do të ndërhynte në shpalljen e ndërmarrjeve të falimentuara.


Në maj të vitit 2008, ekspertë të opozitës dhe përfaqësues të biznesit disa herë kërkuan një qëndrim më transparent në shqyrtimin e ligjeve "Për Procedurat Tatimore" dhe "Për falimentimin", duke gjykuar se ato do të përkeqësonin klimën e biznesit në vend. Përfaqësues të sektorit të hidrokarbureve janë shprehur atëherë qartazi se ligji do të bëjë që "kompani të konsoliduara, me kapitale në treg, të jenë në dorën e falimentit nga një punonjës tatimorë, që mund të jetë i pakualifikuar, i politizuar apo i paguar nga një kompani konkurrente."


Kjo e gjitha është një histori konfondimesh të vazhdueshme të administratës së panginjur me sipërmarrjen private. Këto ditë, bizneset kanë kërkuar të zbardhet e vërteta rreth këtij falimentimi të sajuar.


Reagimi i parë erdhi nga kompania e telefonisë së lëvizshme Eagle Mobile, e cila sqaroi për publikun e gjerë se përfshirja e saj në këtë listë, është e gabuar: "Eagle Mobile nuk ka asnjë detyrim të papaguar ndaj autoriteteve shtetërore dhe ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj autoriteteve tatimore."


Dhe më tej: "Kompania në fjalë ka vetëm 18 muaj në treg dhe është ende në fazë investimi." Edhe përfaqësues të "SIAV Konstruksion" Sh.p.k., një tjetër kompani e përfshirë në listën e 27 "kandidatëve" për faliment, shprehet se nuk është e vërtetë që prej tre vitesh del me bilanc negativ; kjo ka ndodhur vetëm dy vite më parë, ndërsa viti i shkuar ka pasur një bilanc pozitiv, ashtu siç pritet të dalë edhe ky vit. Këto kundërshtime energjike dhe të bazuara në fakte, zbulojnë falsitetin e ftesës së bujshme për në gjykatë dhe për të falimentuar.


Përplasja e tanishme e administratës me biznesin, shënon njëherësh edhe një prishje ekuilibrash në planin social; që do të thotë se kërcënohen edhe të punësuarit e këtyre subjekteve.


"Bankers Petroleum Albania Ltd", kompani që merret me nxjerrje dhe eksport nafte, ka 191 punonjës të deklaruar. ("Biznesi shqiptar. Më të mirët." Sh. Luku) "Mak Albania", gjithashtu "mysafire" e listës në fjalë, raporton një numër të punësuarish midis 500 dhe 600 vetash në sajtin e vet; (kurse në librin "Më të mirët" evidentohen 235 të punësuar, por kjo ka pak rëndësi).


Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: Përse kaq shumë zhurmë për subjekte që realisht nuk qenkan në prag të falimentit?


Falimentimi është një fenomen ende i panjohur në ekonominë shqiptare. Por nuk përbën ndonjë çudi, tragjedi ca më pak. Përfshirja në biznes dhe në karrierë ka uljet dhe ngritjet e veta. E vërteta është se te ne ka shumë biznese që prej vitesh dalin me humbje; por ato vazhdojnë të operojnë në treg, duke kompromentuar kështu parimet e konkurrencës dhe duke krijuar borxhe.


Drejtues të institucioneve të interesuara për promovimin e biznesit, kanë reaguar në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme në lidhje me fenomenin. Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Gjokë Uldedaj është shprehur: "Ekzistenca e kompanive me borxhe është në nivele për t'u shqetësuar dhe fakt është që asnjë kompani deri tani nuk ka shpallur falimentim zyrtarisht."


(Gazeta "Sot" - Mars 2008) Enver Ferizaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, ka pohuar: "Deri në këtë periudhë, 3 200 ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme që operojnë në sektorin e prodhimit agro-përpunues do të kalojnë në sitën e certifikimit. Nëse nuk plotësojnë kushtet, ato do të shpallen të falimentuara." (Gazeta "Metropol" - Qershor 2009)

Fenomeni i falimentimit njihet dhe ka një praktikë të përditshme në botën e ekonomisë së tregut. Për të ilustruar idenë, mund të kujtojmë se në shkurt, kompania konsultuese e menaxhimit te rrezikut global, Coface, pohonte që falimentimet në sektorin e ndërtimit në Bullgari mund të rriteshin me rreth 50%.


Por stina shqiptare e "falimentit" vjen pas një hardallosjeje të paparë të shtetit me paratë e taksapaguesve shqiptarë në prag dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit: për rrugë të mira, por edhe për rrugë elektorale, që shpejt do të kërkojnë para të tjera; për spote elektorale dhe për shpenzime gjithfarësoj, që mbase nuk do të bëhen publike asnjëherë.


Nga ana tjetër, përpjekja e para disa muajve për të amnistuar borxhet dhe kamatëvonesat, nuk gjeti terren. Në këto kushte, qeveria ka vendosur të tregohet e "rreptë" dhe të mbledhë para edhe atje ku s'ka ç'të mblidhet.


Duke e denatyruar parimin e falimentit, për ta hedhur barrën e krizës mbi kurrizin e sipërmarrjeve, administrata harron se sërish dhe përherë te kjo sipërmarrje do të përplaset për të mbijetuar, ajo vetë dhe pushteti i njohur tashmë për abuzimet e pandëshkuara.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›