E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Folklorik, shenjë e identitetit dhe vazhdimit të traditës kombëtare

Çeli sot në mbrëmje siparin Festivali Folklorik i Gjirokastrës, i cili këtë vit shënon edicionin e IX të tij. Kjo veprimtari, nga më të rëndësishmet e këtij lloji në vendin tonë, synon mbrojtjen dhe përurimin e vlerave më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore. Në edicionin e sivjetshëm janë përfshirë 12 qarqe të vendit si dhe grupe nga Kosova, Maqedonia ,Mali i Zi, arbëreshët e Italisë, arvanitasit.
Në ceremoni morrëm pjesë përfaqësues të Shtetit shqiptar, Qeverisë si dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Qyteti i gurtë priti me një sërë veprimtarish festive artistët pjesëmarrës,duke filluar nga sheshi qendror i qytetit, duke vazhduar më tej në lagjet historike ku u inaguruan dhe disa nga banesat e restauruara në Qendrën Historike të qytetit. Përgjatë rrugës ku ishte organizuar një panair i kulinarisë dhe artizanatit, artizanët të ndryshëm dhe amvisat servirnin produkte karakteristike e tradicionale kombëtare.
Në fjalën e hapjes së edicionit të sivjetshëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z.Ferdinand Xhaferri ndër të tjera theksoi se:"Mbrojtja e trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare, transmetimi dhe konservimi i saj nga brezi në brez ka qënë dhe mbetet një prioritet themelor i politikave kulturore që ndjek MTKRS dhe qeveria Berisha. Trashëgiminë kulturore shqiptare ne e konsiderojmë si gur themeli të qënies dhe të genit shqiptar. Dëshmi e këtij kujdesi është pikërisht organizimi i këtij Festivali si dhe realizimi i përpjekjeve të vazhdueshme e profesionale të MTKRS që kurorëzuan përfshirjen e Gjirokastrës dhe Beratit në trashëgiminë kulturore botërore. Duke vazhduar me profesionalizëm e përkushtim këtë politikë ne jemi të sigurtë se do t'u japim edhe në të ardhmen shqiptarëve sihariqe të tjera të rëndësishme në fushën e ruajtjes dhe konservimit të trashëgimisë kulturore shqiptare."
Juria e Festivalit është e përbërë nga personalitete të njohura të kulturës sonë Kombëtare si:
Miaser Dibra, Zef Coba, Rexhep Celiku,Vasil S. Tole, Rexhep Munishi, Lajla Agolli.
Pas njohjes me rregulloren e funksionimit të jurisë dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo rregullore,anëtarët e jurisë pas një votimi të fshehtë zgjodhën me shumicë votash si kryetar të kësaj jurie akademikun Vasil S.Tole.
Grupi organizator realizoi botimin e numrit të parë të revistës "Fest Folk 2009," e cila do të vijojë të botohet përgjatë gjithë ditëve të Festivalit Folklorik.
MTKRS në zbatim të politikave të saj për përkujdesjen ndaj trashëgimisë sonë kulturore ka shtuar ndjeshëm fondin financiar eskluzivisht për këtë aktivitet, i vlerësuar tashmë si një ndër më të rëndësishme në shkallë vendi e më gjerë.
Mbrëmjen e sotme konkuruan grupet e qarqeve të Tiranës, Korçës dhe grupi i Republikës së Kosovës.
Grupi organizator i Festivalit do t'u informojë përgjatë këtyre ditëve mbi ecurinë e këtij evenimenti të rëndësishëm kulturor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›