Dy serbë fusin në krizë Tiranën
Apolonia-Tirana, derbi i vetëm shqiptar ku përballë njëri-tjetrit vendosen dy trajnerë të huaj, serbi Esad Karishik i Apolonisë dhe kroati Ilija Lonçareviç i Tiranës, u fitua me rezultatin e pastër 2-0 nga ana e teknikut të skuadrës fierake. Tirana edhe njëherë tjetër në mungesë të titullarëve shfaqi problemet e zakonshme në vijën e sulmit. Apolonia dominoi totalisht në pjesën e dytë, ku edhe gjeti dy herë rrugën e rrjetës, fillimisht me Agim Meton në të 84’ e pesë minuta më pas me sulmuesin serb, Mlladen Bërkiç.
Tirana pësoi humbjen e dytë sezonale në pesë ndeshje të zhvilluara dhe tani pozitat e trajnerit kroat Lonçareviç janë tepër të lëkundura. Apolonia u ngjit në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Skënderbeu e Teuta, duke u renditur menjëherë pas çiftit Dinamo-Besa (nga 13 pikë).
Korçarët sherr me gjyqtarët
Daniel Xhafaj e kishte paralajmëruar: “Besa fiton me golin tim ndaj Skënderbeut. Sulmuesi vlonjat i verdhezinjve kavajas shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të Besës me Skënderbeun, takim i vlefshëm për javën e 5-të të Kategorisë Superiore. Ish-sulmuesi i Tiranës realizoi në minutën e 21-të, një gol tepër i kontestuar nga stafi i Skënderbeut për pozicion jashtë loje. Për Xhafaj- 10 gola sezonin e kaluar me Tiranën – ky ishte goli i tretë sezonal pas dopjetës kundër Vllaznisë, gol që i dha tri pikë të arta skuadrës së presidentit Bizhdili e konfirmoi punën e mirë të kryer nga trajneri Shpëtim Duro. Skënderbeu, nga ana e tij dështoi për herë të dytë në transfertë, dhe ashtu si me Tiranën në javën e dytë, humbi po 1-0 me Besën. Besa pas pesë javësh vazhdon të bashkëkryesojnë me Dinamon kampionatin, me nga 13 pikë secila. Derbi Kastrioti-Laçi, dy skuadrave fqinjë, por dhe të bashkëngjitura në Kategorinë Superiore, përveç atmosferës sportive në shkallët e stadiumit të Krujës, nuk prodhoi asgjë për “rrjetat”: 0-0. I vetmi moment kulmor ishte kartoni i kuq i Sefgjinit të Laçit.
Bakaj, “le chef” i shumëkombëshes blu
Dinamo dëshmoi edhe ndaj Shkumbinit (2-1), se është ajo pretendentja e madhe për titullin kampion të sezonit 2009-2010, e që përkon me 50 vjetorin e klubit blu kryeqytetas. Por në armatën shumëkombëshe të Shkëlqim Muçës, spikat një emër: Elis Bakaj, një lloj “Mesi” i 17-herë kampioneve të Shqipërisë. “Le shef” Bakaj ishte autori i dy golave në fitoren kundër peqinasve (41’ e 84’), që e ngjiti ish-sulmuesin e Partizanit, në kuotën e katër golave, duke marrë edhe kryesimin e “topçinjve” të Superligës. Golin për Shkumbinin, të mbetur me dhjetë lojtarë pas largimit me karton të kuq të Çapjes (51’) e shënoi zëvendësuesi Endri Bakiu dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Dinamo është e pathyer në kampionat, ashtu si dhe Besa, dhe “diktatura” e re “Dina-Besa”, duket se do të dominojë kampionatin e 71-të Kombëtar të futbollit.
KATEGORIA SUPERIORE
Java e 5-të / 26. 09. 2009
Gramozi- Flamurtari 2-0
61’ Hyseni, 65’ Sadiku
Besa-Skënderbeu 1-0
21’ Xhafaj,
Apolonia-Tirana 2-0
84’ Meto, 88’ Brkic
Kastrioti-Laçi 0-0
Dinamo-Shkumbini 2-1
41’ Bakaj, 84’ Bakaj/ 88’ Bakiu
Teuta -Vllaznia 1-0
65’ Hysa
Renditja
1.Dinamo 5 13
2.Besa 5 13
3.Skënderbeu 5 9
4.Apolonia 5 9
5.Teuta 5 9
6.Tirana 5 7
7.Gramozi 5 2
8.Laçi 5 5
9.Vllaznia 5 4
10.Shkumbini 5 4
11.Kastrioti 5 4
12.Flamurtari 5 3
Vllaznia, dështim i radhës në Durrës
Vllaznia nuk njihet më. Atëherë kur pritej kthesa e shumëpritur ndaj Teutës, skuadra e presidentit Valter Fushaj pëson një humbje tjetër këtë sezon, e treta në pesë javë, duke dëshmuar se kriza, jo vetëm e golit (1 në pesë takime), por edhe skuadrës në tërësi është e qartë. Teuta, nga ana e saj, e drejtuar nga një ish-trajner i Vllaznisë, Mirel Josa, pas fitores së bujshme në Vlorë, arriti suksesin e tretë sezonal. Golin e fitores e shënoi talenti i Kombëtares U-21, Vilfor Hysa, në minutën e 65-të. Fushaj është treguar i rreptë dhe i prerë gjatë përgatitjeve për ndeshjen kundër Vllaznisë, duke kërkuar pikë të plota në Durrës, por skuadra e drejtuar nga Hasan Lika dyshtoi në misionin e saj. Tashmë mbetet e paqartë se çfarë masash ekstreme do të ndërmarri bosi i kuqebluve, nënkampione e sezonit të kaluar.
28 Shtator 2009