E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali folkloristik në shator

Tiranë - Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se Festivalit Folklorik Kombëtar një nga evenimentet më të rëndësishme të promovimit të kulturës folklorike dhe etnografike kombëtare, do të organizohet gjatë muajit shtator 2009, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës e mbrojtur nga UNESCO si “Pasuri kulturore e njerëzimit”.

“Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009 ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve, etj, të krijuara prej shekujsh nga populli”, tha ministri Pango. Ministri Pango e cilësoi këtë aktivitet si një veprimtari shumë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore kombëtare edhe për faktin që po zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës. MTKRS duke zbatuar statutin e mirëfilltë të Festivalit Folklorik të këtij eventi të rëndësishëm kulturor, ka vendosur të respektojtë afatin e tij të caktuar, që ky festival të organizohet një herë në 5 vjet. Festivali parashikohet të zhvillohet në ceremoninë e hapjes paraditen e datës 24 shtator dhe përfundon përkatësisht me ndarjen e çmimeve fituese më 29 shtator në Kalanë e Gjirokastrës, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

MTKRS vendosi që grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që ka qënë në festivalet e tjera dhe koha e konkurrimit për secilin prej tyre të jetë 30 minuta, nga 20 që ka qenë më parë. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, kanë si detyrë të ndjekin nga afër të gjitha përgatitjet që do të bëhen për këtë veprimtari të rëndësishme kombëtare.

Ministri Pango tha se, “Duke qënë veprimtaria më e madhe e trashëgimisë shpirtërore kombëtare kërkohet që i gjithë viti 2009, të jetë viti i përgatitjeve dhe veprimtarive të shumta folklorike të cilat do të ndikojnë në gjallërimin e jetës kulturore artistike të të gjithë vendit duke e kthyer këtë vit, një vit të këngës, valles e melodisë popullore për të arritur një organizimin perfekt të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në muajin shtator, si një festë kombëtare të trashëgimisë shpirtërore shqiptare”.

MTKRS bën të ditur se ka filluar faza e parë e përgatitjes në rang kombëtar, që zhvillohet në periudhën janar-mars, e cila përfshin:

a). Ngritja e grupit qëndror të punës në rang Qarku të përbërë nga përfaqësues dhe specialistë të fushës nga të gjitha Bashkitë e Qarkut.
b). Ngritja e grupit të punës me specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore pranë çdo bashkie.
c). Kontakti me grupet popullore, bartësit dhe interpretuesit e trashëgimisë kulturore shpirtërore që përfaqësojnë Qendrën Kulturore, me grupet folklorike të shoqatave dhe NGO-ve të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore, si dhe me individët e interesuar për pjesmarrje në Festivalin Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009 që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në territorin administrativ të Qarkut.
d). Organizimi i shfaqjeve dhe ekspeditave, në të gjithë territorin e Qarkut, ku specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore bëjnë përzgjedhjen e repertorit bazuar në Kriteret Shkencore të Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›