E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH-ja ul koston e lekut, më shumë frymëmarrje kreditimit



Banka e Shqipërisë merr vendim për të ulur koston e lekut. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri dje publik vendimin e Këshillit Mbikëqyrës së Banës së Shqipërisë, për uljen e normës bazë të interesit me 0.5 për qind, duke e çuar atë aktualisht në 5.75 për qind. Kjo do të thotë se norma bazë e kredive do të jetë 5.75 për qind, që për kredimarrësit përkthehet në lehtësim të kësteve mujore që ata u detyrohen bankave të nivilit të dytë. Një vendim i tillë u mor pas kërkesës së vazhdueshme të bankave të nivelit të dytë dhe komunitetit të biznesit, të cilët prej kohësh kishin kërkuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e lekut, në një kohë kur kriza globale ka nisur të japë efektet e saj. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha dje për median se një vendim i tillë u mor pasi bankat e nivelit të dytë po hasin vështirësi në likuiditet dhe pasi inflacioni ishte i ulët. Me këtë vendim pritet që bankat e nivelit të dytë të marrin hua tek Banka Qendrore me interes të ulët dhe kështu të rrisin mundësitë e tyre për likuiditet.

Guvernatori renditi një sërë masash që detyruan Këshillin Mbikëqyrës të Bankës të marrë një vendim të tillë.

Shkaqet që çuan në vendimin e uljes së normës së interesit të lekut

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi dje se ekonomia shqiptare gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008, ka ruajtur një stabilitet ekonomik, duke u bërë dinamike dhe rezistente ndaj krizës financiare botërore. Guvernatori vlerësoi se në vitin 2008 politika monetare ka qenë neutrale dhe norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind. “Së bashku me forcimin e disa masave të mbikëqyrjes bankare në drejtim të administrimit të rrezikut të kredive, kjo politikë ka ndikuar në një rritje më të balancuar të kredisë dhe ka përcjellë stimujt e duhur për konsum e kursime”, - tha Fullani. Sipas tij politika e drejtë monetare dhe kontrolli i inflacionit nga Banka e Shqipërisë janë reflektuar edhe në ankorimin e pritjeve për inflacionin të agjentëve ekonomikë, pranë nivelit 3 për qind të synuar nga Banka e Shqipërisë. Fullani tha se në 3-mujorin e tretë të vitit 2008, sektori i jashtëm i ekonomisë ka vijuar të karakterizohet nga zgjerimi i deficitit të llogarisë korente. “Tremujori i tretë i vitit 2008 regjistroi një rritje të deficitit korent. Raporti i tij ndaj PBB-së vlerësohet të ketë arritur në rreth 13.7 për qind. Në thellimin e deficitit korent gjatë kësaj periudhe, kontribuoi jo vetëm rritja e deficitit tregtar, por edhe ngushtimi i bilancit pozitiv të llogarisë së të ardhurave dhe të transfertave korente”, - tha Fullani. Ai bëri me dije se aktiviteti i tregjeve të parasë gjatë kësaj periudhe është kushtëzuar nga zhvillimet e treguesve monetarë dhe të ekonomisë reale. Ashtu si dhe në eksperiencat e vendeve të tjera, sensitiviteti i rritur i bankave ndaj likuiditetit ka sjellë uljen e vëllimeve të tregtimit ndërbankar dhe tendenca rritëse të normave të interesit të depozitave. Guvernatori Fullani tha dje se gjatë dy muajve të fundit të vitit është vënë re një rënie e raportit të mbulimit të kërkesave për huamarrje të qeverisë dhe zgjerim i disa primeve të rrezikut. Këto dukuri kanë sjellë rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe, në disa raste, të kredisë. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në tregjet e parasë duke injektuar likuiditet me afate të ndryshme maturimi, sipas kërkesave të sistemit. Gjithashtu, për t’i shërbyer më mirë nevojave të bankave, Banka e Shqipërisë ka ndryshuar në muajin nëntor formën e ankandit të repove, në ankand pa kufizim shume.

Duke iu referuar krizës globale Fullani foli për ndikimet dhe efektet që ajo do të japë në ekonomin shqiptare. “Në vazhdim të deklaratave publike të mëparshme, Banka e Shqipërisë thekson se ndikimi i krizës botërore në ekonominë shqiptare do të varet si nga intensiteti, ashtu edhe nga kohëzgjatja e saj. “Siç e kam përmendur edhe më parë, kanalet të cilat ekspozojnë më shumë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror janë rënia e prurjeve valutore, si të natyrës korente ashtu dhe kapitale dhe shtrëngimi i kushteve të financimit në përgjithësi. Ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë, gjatë vitit 2009”, - ka theksuar Fullani. Nisur nga faktorët që Fullani përmendi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me 0.50 pikë përqindjeje. Në këto kushte, niveli i normës bazë të interesit arrin në 5.75 për qind. “Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës do të ulë koston e huamarrjes së bankave. Banka e Shqipërisë vlerëson se nëpërmjet tij krijohen premisat për një reagim pozitiv nga ana e sistemit bankar, në drejtim të uljes së përqindjeve të interesit në lekë për kreditimin e ekonomisë”, - ka deklaruar dje Fullani. Ai vlerësoi se stimuli i sotëm vlerësohet një hap në momentin e duhur, për të mbështetur ekonominë me kredi dhe nga ana tjetër, ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të sistemit.

BOX

Guvernatori: Do të sigurojmë depozitat përballë krizës

Guvernatori Ardian Fullani deklaroi dje se ka pasur një ngadalësim në ritmin e rritjes së depozitave të shqiptarëve në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Por ai ka garantuar të gjithë depozituesit shqiptarë se paratë e tyre në formë depozitash janë të sigurta dhe nga Banka e Shqipërisë. Sipas tij, paratë e shqiptarëve janë shumë të sigurta dhe askush nuk duhet të frikësohet nga efektet e krizës. “Sjellja e depozitave në vendin tonë krahasuar me ato të mjaft vendeve të tjera, sidomos me ato të rajonit ka qenë e pëlqyeshme. Mendoj që të gjitha masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë qenë efektive. Duke përfituar nga rasti, dua të falënderoj median dhe opinionin publik për ndihmën e madhe, duke e konsideruar këtë një çështje mbarëkombëtare dhe të një rëndësie parësore”, - ka deklaruar Guvernatori Fullani. Sipas tij edhe ndryshimi i normës së interesit është një masë që ndikon pozitivisht tek depozitat. “Momenti i sotëm për ndryshimin e normave të interesit njëkohësisht lidhet, siç u përmend edhe në deklaratë, dhe me një sjellje më të mirë, një rikthim të treguesve të depozitave, i cili pa diskutim është një premisë kryesore për mbarëvajtjen e parametrave makroekonomikë dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar të vendit”, - vuri theksin Guvernatori. Ndërkaq, ai nuk u deklarua nëse në një kohë të afërt do të ketë një ndryshim për sa i përket kufirit të garantimit të depozitave, por pranoi se do të bëhet përafrim i legjislacionit për sa i përket kësaj çështjeje. “Për sa i përket rishikimit të kufirit të garantimit të depozitave, Banka e Shqipërisë në bazë të programeve të saj afatmesme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, do të marrë masat për një përafrim sa më të afërt të kufirit të sigurimit të depozitave”, - tha Fullani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›