Festivali i Butrintit, një 10-vjetor i heshtur
Gurët e Butrintit do të presin edhe këtë vit jehonën teatrore. Skena shekullore po ashtu. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit mbërrin në edicion e tij të dhjetë. Ky vit jubilar nuk do të ketë ceremoni madhështore apo ndonjë program të posaçëm. Pesë shfaqje, nga antikiteti, ato klasiket, por edhe modernet, janë përzgjedhur për programin e këtij viti. Festivali do të ngrejë siparin në datën 12 korrik, për të vazhduar deri në datën 16. Ashtu si edhe vitin e shkuar, organizatorët ankohen për përgjysmimin e buxhetit. Ministria e Kulturës e ka mbështetur festivalin me 6 milionë lekë të reja. Në këtë përvjetor të dhjetë, Alfred Bualoti, drejtori i festivalit tregon rrugëtimin e këtij aktiviteti teatror, i vetmi në nivelet e tij në Shqipëri.
Festivali i Butrintit mbërrin në një përvjetor. Çfarë sjell programi i shfaqjeve në edicionin e dhjetë?
Ne nuk kishim ndonjë dilemë se si do të vinte festivali i Butrintit në pikëpamje artistike në të dhjetin edicion, por nuk e mendonim se do të kishim këtë mbështetje të paktë. Jemi përpjekur të mos çalojmë në nivelet e shfaqjeve dhe në këtë kemi arritur të grupojmë 5 shfaqje, ndonëse na ka ardhur keq që kemi prapësuar disa shfaqje të mëdha që nga "Makbethi" bullgar, "Rikardi i tretë" i teatrit Kulandra të Bukureshtit apo "Trojanët" e Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Çeljes së festivalit do t‘i paraprijë në datën 11 korrik një mbrëmje festive gjatë së cilës do të shfaqet një dokumentar kushtuar 10-vjetorit të festivalit, nën muzikën që interpretohet nga "Imperial Kuintet" që vjen nga Korfuzi me të mirënjohurin kompozitorin tonë, Vladimir Kotani, që punon prej vitesh atje. "Pasioni i grave trojane", një shfaqje që vjen nga Leçe e Italisë, një version krejt tjetër i veprës së Euripidit çel më 12 korrik Festivalin e Butrintit. Shfaqja e dytë vjen nga Athina, është një kompani nga më të njohurat e dance teatrit "Politistiko Somateio Roes", me shfaqjen "Elektra". Kosova përfaqësohet me "Fedrën" e Rasinit, vënë në skenë nga regjisori i njohur, Fadil Hysa, një bashkëpunim i "Dodona" dhe "Sythi". Për herë të parë vjen një trupë turke me veprën "Dervishi dhe vdekja", me dramatizim të Nebojsa Bradiç dhe regji të Nurullah Tuncer. Një himn religjioz, një bashkëprodhim mes Francës dhe Rumanisë, vjen në shfaqjen "Hymni i hymneve" që do të përmbyllë edhe edicionin e dhjetë më 16 korrik. Pjesa është me regji të Catalina Buzoianu, e cila ka qenë e pranishme edhe në edicionin e parë të Festivalit të Butrintit. Është një shfaqje që ka të bëjë me aktrimin, muzikën, dancimin. Nuk kemi asnjë shfaqje shqiptare, sepse asnjëra prej tyre, jo vetëm nga cilësia, nuk rrinte mirë në Butrint. Ne jemi munduar të bëjmë shumë kujdes që festivali të ketë të veçantën e vet dhe nga eksperienca e viteve të para, jemi munduar të përzgjedhim shfaqje apo krijime që jo vetëm i rrinë për shtat Butrintit, por që me mjetet e tyre vijnë dhe flasin qartazi për teatrin e sotëm kontemporan europian.
Jemi në një vit jubilar. Në raste të tilla bëhen dhe bilance. Çfarë domethënie ka Festivali i Butrintit për kulturën shqiptare, sa nga synimet me të cilat u nis janë përmbushur?
Festivali në të gjithë ecurinë e vet ka pasur një rrugëtim të vështirë. Që në fillimet e festivalit ne kemi pasur jo vetëm koncepte e reagime negative, por quhej gati utopi. Prej kohësh në Butrint nuk ishte bërë asgjë dhe nuk mendohej se mund të ringjallej teatri. Kjo ringjallje do të përballej me sfida të mëdha, qoftë të infrastrukturës apo edhe me koncepte për mënyrën e organizimit, funksionimit etj. Por e rëndësishme është që ne u rezistuam këtyre sfidave dhe tashmë kemi arritur në edicionin e dhjetë. Mendojmë se Festivali i Butrintit ia ka arritur qëllimit: është kthyer në një akademi të vërtetë teatrore bashkëkohore. Brezi i vjetër e ndjek, është i pranishëm, ndërsa brezi i ri mëson se ku është dhe çfarë duhet të bëjë ai në raport me teatrin e sotëm. Përmasat dhe shfaqjet e ftuara e lejojnë këtë gjë. Nga kjo pikëpamje, Festivali i Butrintit përpos të gjitha halleve dhe përballjeve që ka pasur, ka arritur me sukses të gëzojë edicionin e tij tashmë të 10 dhe jam i bindur se festivali teatror do të vazhdojë të ekzistojë për shumë kohë.
Sot, në rrethet teatrore shqiptare ka një diskutim mbi dobinë e festivaleve teatrore dhe nëse ato duhet të vazhdojnë të ekzistojnë. A ka një gjykim të shëndoshë sipas jush?
Ky diskutim më duket banal dhe rrjedhojë e moskuptimit të konceptit të festivalit. Besoj se të përfshirët në të tilla hamendësime nuk janë në kontakt me politikat që vendet përreth nesh ndjekin karshi festivaleve dhe jo vetëm atyre teatrore. Këto aktivitete janë të shenjta, sepse në vetvete festivali nuk është një organizim në formë pikniku. Është një eveniment që brenda tij ka shkollën teatrore të kërkuar nga një komunitet i tërë, ka eksperiencat me përballjet teatrore, kulturore dhe estetike, ideore dhe vizuale në tërësi, ka një sens krahasues mes evoluimit të elementit teatror në raport me atë shoqëror. Nga ana tjetër kemi të bëjmë me një ngjarje konkrete që thith në mënyrë reale turizmin kulturor. Njerëzit që vijnë të ndjekin këtë aktivitet nuk janë turistë që shkojnë shkarazi, por të interesuar për të zbuluar e mësuar më shumë mbi këtë vend. Ndërsa vetë pjesëmarrësit, pothuajse 200 artistë çdo vit, në vendet respektive kanë reputacion dhe njohje. Ata çojnë atje jo vetëm përballjen artistike, por realisht se ç‘është ky vend, kjo kulturë, kjo histori. Ka shumë argumente pse Festivali Ndërkombëtar i Teatrit duhet të ekzistojë, aq më tepër që tashmë është në përmasa europiane.
Vitet e fundit keni debatuar për financimin shtetëror në ulje të këtij aktiviteti. Sa reale është mundësia e organizimit të këtij festivali me fonde private?
Kjo nuk ndodh në asnjë vend rreth nesh, apo në Europë. Nuk mund të barazohemi me atë që ndodh përtej oqeanit, nëse do t‘u referohemi elementëve që vijnë nga Amerika, sepse vetë struktura teatrore apo marrëdhëniet e shtetit me kulturën kanë tjetër logjikë. Nëse u referohemi festivale të ngjashme si ai i Ohrit, i Budvës, festivalit të Mesit në Sarajevë, festivalit të Bitefit, Avinjonit të Francës, Bienales së Berlinit e shumë të tjerëve që kanë përmasa të mëdha, kërkojnë përkushtim e buxhete më të larta se ndonjë festival me disiplina të tjera artistike. Ne nuk kemi kërkuar thithjen e buxheteve për të bërë show. Kemi kërkuar minimalen që na siguronte një bazë për organizimin e këtij festivali. Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me buxhetin e shtetit që ka qenë sa i mjaftueshëm aq edhe i pamjaftueshëm: nga 10 milionë të reja në vitin 2000, arriti në edicionin e pestë në 13 milionë lekë të reja dhe ne menduam që festivali do të rritej gjithnjë e më shumë. Por ndodhi që shteti shqiptar filloi të ulë buxhetin, duke e përgjysmuar. Ne nuk rreshtim së përpjekuri për të siguruar donatorë të tjerë apo mbështetjen nga organizma ndërkombëtarë që deri më sot nuk i kemi pasur, sepse na kanë munguar edhe kontaktet e vërteta. Kjo kërkon përkushtim dhe njerëz që të merren me këtë punë, nuk jemi institucion që ka paga dhe njerëz që punojnë posaçërisht për këtë aktivitet.
Cili është synimi për të ardhmen e këtij aktiviteti?
Nga politikanët, ata që e kanë drejtuar dhe e drejtojnë kulturën e artin shqiptar, nuk kam dëgjuar dhe nuk po dëgjoj asnjë strategji, asnjë politikë të mirëfilltë, asnjë reformë të vërtetë institucionale. Deri në këto momente, ndoshta e ardhmja do ta bëjë këtë ndryshim, jemi në një situatë krejtësisht improvizuese dhe regresive. Drama qëndron në të kuptuarit se çfarë do të thotë kulturë, art, festival, eveniment. Shpresojmë për një reformë të vërtetë për të arritur atë që duam.
Çfarë ndodh nëse Festivali i Butrintit një ditë nuk do të mbështetet më nga shteti?
Nuk mendoj që kjo ditë të arrijë, sepse ndonëse buxheti për këtë festival ulet, asnjë nuk thotë që s‘duhet ky festival. Kjo kontradiktë e mbështetjes dhe vlerësimit kundrejt aktivitetit, ka sjellë këtë lloj çoroditjeje që kemi këta dy vjet në financim, por do të vijë një moment që ky koncept do të ndryshojë dhe festivali do të zgjerohet më shumë. Ne kemi gati një koncept të diskutuar mes kolegëve për të krijuar një trekëndësh artistik mes Butrintit, Argjirosë dhe Kaninës. Mendohet për një aktivitet të ndërthurur me disiplina të ndryshme artistike, si koncerte klasike, popullore apo dance, ekspozita dhe promovime të krijimeve artistike, i cili të mos organizohet në një javë, por në dy muaj. Butrinti do të mbetet sërish qendra e teatrit, por shfaqjet që kanë mundësi të lëvizin, mund të shkojnë edhe në këto qendra.
Duhet të mendojmë mirëfilli për çka i ofrojmë turizmit vendas dhe të huaj në ato ditë. Por, sigurisht, ky moment i përket të ardhmes, atëherë kur të ketë edhe njerëz që t‘i dëgjojnë këto projekte.