Festivali i aktrimit “Apollon ‘08” vazhdon ditët në Fier
Nga 12 maji ka startuar në skenën e teatrit “Bylis” të Fierit edicioni i shtatë i festivalit të aktrimit “Apollon”. Kujtojmë se shfaqja e parë ka qenë “Fqinjët”, me regji të Dhimitër Orgockës dhe skenar të Ruzhdi Pulahës, për të vijuar më tej me dramën “Përplasja” të teatrit profesionist të Pejës, me regji të Ekrem Kryeziut. Gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar edhe tryeza diskutimi, ku artistë e kritikë kanë shfaqur shqetësimet e tyre për problemet aktuale dhe arritjet e teatrit shqiptar. Festivali do të vazhdojë deri më datë 17 maj, kur do ta shpallen fituesit. Përsa i përket vlerësimeve, (tre çmimeve që jep ky festival) juria këtë vit ka në përbërje të saj emra si Tinka Kurti, Bujar Asqeriu e Niko Kanxheri. Ndërkaq, sot pritet ngjitja në skenë e kompanisë teatrore “Çajupi” me pjesën “Shërbëtorët” të autorit Jean Genet dhe regji të Kiço Londos. Nesër, më 16 maj, do të ngjitet në skenën e “Bylis” drama më e suksesshme e viteve të fundit për Teatrin Kombëtar siç ka qenë “Pamje nga ura”, e Artur Miller me regji të Albert Mingës. Mbrëmjen e fundit të festivalit, skenën do të pushtojnë grekët e Teatrit Shtetëror të Korfuzit me shfaqjen “Bacchae” dhe regji të Nikos Dionysios.
P.G.
15 Maj 2008