Promovohet revista e re, “Bota Emigrantit”
Të dielën, më 11 maj ‘08, në sallën e Muzeumit Historik Kombëtar, u promovua revista “Bota Emigrantit”, e përmuajshme, botim i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë, e cila ka një arkiv të gjallë lëvizjesh dhe protestash në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve në tokën helene. Revista u sponsorizua dhe u mbështet financiarisht nga kontributet personale dhe familjare të kryetarit të kësaj shoqate, liderit të emigracionit shqiptar në Greqi, Hidër Buci. Ishin të pranishëm gazetarë dhe njerëz të medieve, specialistë të së drejtës, shkrimtarë dhe personalitete të kulturës kombëtare. Gjithashtu, kishin ardhur nga larg minatorët e Bulqizës, ish kolegët e vuajtjeve dhe protestave të zotit Buci, si dhe inidividë të tjerë me detyra e funksione të ndryshme nga Elbasani, Durrësi, Pogradeci, Gjirokastra e gjetkë, për të gëzuar në këtë ditë promovimi të një vlere mediatike. Morën pjesë gjithashtu intelektualë e studiues, bashkëfshatarë të z. Hidër Buci nga Lura si dhe këngëtari i mirënjohur, ikona e këngës epike të Veriut shqiptar Arif Vladi. Ishte i pranishëm edhe këshilltari i Presidentit të Republikës, Maksim Cikuli, si dhe atashehu i shtypit në ambasadën greke në Tiranë, Kristos Apostolopulos. Diskutantët ngritën lart rolin e liderit të emigracionit shqiptar në Greqi zotit Hidër Buci, i cili është vënë në ballë të rezistencës aktive të shqiptarëve për zhbllokimin e lëvizjes së lirë dhe përfitimin e atyre të drejtave që kanë mbetur në rrugë të madhe për shqiptarët, në një tokë paragjykimesh. Në fjalën e tij të hapjes së këtij promovimi, gazetari Albert Zholi dhe veprimtar i vjetër i çështjes së emigracionit shqiptar, drejtor i Institutit të Emigracionit, e quajti revistën “një mundësi për të shpalosur një botë sfidash dhe arritjesh të një shtrese sociale, që ka bërë aq shumë për vendin e tij, por nuk ka përfituar asgjë nga projektetet kombëtare”. Kryeredaktori i revistës, Dukagjin Hata, duke bërë një panoramë të numrit të parë të revistës “Bota Emigrantit”, iu bëri thirrje atyre që me shkrimet e tyre të kontribojnë për ta mbajtur gjallë këtë organ, që synon të jetë zëdhënës i tyre. Haki Koltraka, sekretar i Përgjithshëm i Unionit të Emigracionit Shqiptar, e quajti botuesin e kësaj reviste “një hero të rezistencës”, i cili ka ecur në gjurmët e ndritura të paraardhësve të tij fisnikë, duke e ngritur çështjen e emigrantëve shqiptarë në nivelet ndërkombëtare të së drejtës. Analistja dhe veprimtarja e njohur e gruas shqiptare, Kozeta Zavalani në fjalën e saj, duke përshëndetur daljen e numrit të parë të kësaj reviste, tha se gratë duhet të gjejnë më shumë vend në të, pasi në emigracion ata përbëjnë një zë të fortë dhe i japin ngjyrën këtij emigracioni. Ajo tha se të tillë njerëz si zoti Buci i duhen Shqipërisë dhe politika shqiptare duhet t’i afrojë e t’i ketë model njerëz të tillë. Këshilltari i Presidentit, z.Maksim Cikuli, duke folur në emër të Presidentit të Republikës Bamir Topi, tha se kjo revistë është një zë mediatik, që duhet mbështetur. Ai shtoi se Presidenti është i gatshëm të mbështesë të gjitha lëvizjet demokratike dhe proceset që i kontribuojnë çështjes së integrimit të emigrantëve në atdheun e tyre dhe në botën e lirë. Numrin e parë të revistës “Bota e Emigrantit” e përshëndetën edhe veprimtarët e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë, të ardhur nga Athina Jovan Mëhilli, Margarita Vera dhe Gjetë Nikolla. Në përshëndetjen e tij zoti Buci, pasi bëri një panoramë të problematikave të mprehta sociale e ligjore, me të cilat ndeshen emigrantët tanë në Greqi, iu bëri thirrje emigrantëve të bëhen pjesë e revistës së tyre “Bota Emigrantit”, me shkrimet dhe problemet që mund të ngrejnë, me zërin e tyre, për të cilat ka aq shumë nevojë ky organ mediatik, të cilin nuk do ta lëmë që të shuhet. Revista “Bota Emigantit” do të jetë një revistë e hapur për të gjithë emigrantët shqiptarë kudo që punojnë e jetojnë në Europë, SHBA, deri në Australinë e largët dhe ka korrespondentë në Gjermani, Suedi, SHBA, Kanada dhe Francë.
15 Maj 2008