E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë në grevë:”Më mirë të vetëflijohemi sesa të kemi fëmijët pa strehë”



Emanuela Sako

Me zhurmën e frikshme të fadromës që iu qëndron si tingull tmerri mbi krye, ato pranojnë vetëflijimin, deri në një marrëveshje me autoritetet për një strehë për familjet e tyre. Jemi rreth 200 metra larg maternitetit të ri “Glozheni”. Policia Bashkiake kishte kthyer lagjen gati në një zonë-rrethim. Dalloheshin vetëm disa burra dhe fëmijë që lëviznin ashtu të çorientuar nën gërmadhat që iu kanë mbetur prej shtëpive ku jetonin prej vitesh. Teksa afrohemi më afër mësojmë se gratë kanë gjetur një tjetër mënyrë për të protestuar për prishjen e banesave. Ato që prej ditës së hënë kishin hyrë në grevë në një prej dhomave gjysmë të prishura duke paralizuar kështu punën e fadromave. Gratë rrëfejnë për gazetën “Albania” se asgjë nuk do të mund t’ua kthejë mendjen për të dalë jashtë ndërtesës, ndërsa shohin nga xhamat e fëmijët që mbledhin ato çka u kanë ngelur nga ish-banesat e tyre që me aq mund i kanë ndërtuar. Qëndrimi i banorëve vazhdon edhe pse ata janë lajmëruar disa muaj më parë për të lënë shtëpitë, ata nuk kanë ndërmend të dalin nga ndërtesa apo të largohen nga rrënojat e shtëpive. Banorët kanë kundërshtuar me forcë largimin nga banesat dhe në shenjë proteste kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës rreth 9 gra të 71 familjeve që jetojnë në këtë zonë, janë ngujuar në një prej ndërtesave që prej ditës së hënë. Ende nuk është arritur në asnjë kompromis. E vetmja që iu është thënë, është trajtimi me bonus qiraje. Sipas banorëve, një premtim i tillë është qesharak dhe bëhet sa për t’i hedhur hi syve të gjithëve, sepse bonusi i qirasë është me një vlerë prej 5 mijë deri në 7 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që kostoja e qirasë në kryeqytet kap shifra marramendëse. Duket se përveç halleve, ato janë të terrorizuara nga situata e krijuar jashtë ndërtesës dhe brenda saj. Ndërkohë që, fadromat gërryejnë dhe shkatërrojnë muret e ndërtesës në të cilën ato qëndrojnë.
Vetëflijimi
Teksa dëgjojnë zhurmën e gurtë dhe gërryese bërtasin të frikësuara dhe shohin tavanin, duke pritur që gurët t’iu bien mbi trup. Situata e nisur tre ditë më parë i lë të pashpresa për të pasur shtëpinë e tyre, që siç thonë vetë ato nuk kanë asgjë lloj mundësie për të ringritur një shtëpi të re. Sa më shumë kohë kalon dhe aq më pak të sigurta ndihen, deri tani thonë se nuk iu është premtuar asgjë nga qeveria apo pushteti vendor, për një strehë të re për familjet e tyre. Teksa i afrohesh banesës së tyre anës Lumit të Lanës, përballesh me dhjetëra banorë që vëzhgojnë situatën dhe mes tyre dhe një zinxhir të policisë bashkiake, e cila kërkon të ruajë qetësinë. Kjo, ndryshe nga dy ditë më parë kur fëmijët, gratë dhe burrat i kanë nxjerrë me forcë dhe duke i zvarritur jashtë shtëpive. Ndërsa tek hyrja kryesore e shtëpisë së banorit Bujar Kaziu, qëndron vetë pronari i shtëpisë dhe lejon hyrjen apo largimin e personave që dëshirojnë të vizitojnë gratë e ngujuara. Ai është i vetmi “kujdestar i dukshëm”, që lajmëron ambulancën dhe vëzhgon gjendjen shëndetësore të së shoqes, Lumturies, që bashkë me gratë e tjera dergjen nga dobësia që i ka shkaktuar të pangrënët dhe stresi i madh që po përjetojnë. Të nënta gratë gjenden të shtrira përtokë, duke u kujdesur për njëra-tjetrën, por e vetmja përkujdesje është vetëm batanija që hedhin mbi krye. Ndërsa, dhoma i ngjan një magazine hekurash dhe rraqesh që familjarët kanë grumbulluar dhe e ruajnë si të vetmen pasuri. Qesfere Bega, rrëfen se ka dhjetë pjesëtarë të familjes, ku jashtë godinës së gjysmë të rrënuar ndodhen fëmijët e saj, të cilët i ndjek me sy. Ajo rrëfen se është e papunë, ndërsa i shoqi është invalid dhe nuk ka asnjë mundësi jetese. E vetmja pasuri në jetën e saj janë fëmijët dhe banesa që me aq mund e ndërtuan. Ndërsa, Anila Hakrani, tregon se një pjesë e madhe e banorëve i kanë ndërtuar shtëpitë që prej vitit ’92 dhe të gjitha kanë qenë në proces legalizimi.
Fëmijët
Fëmijët janë ata që e përjetojnë më keq atë çka po u ndodh. Ata kanë braktisur shkollat dhe rrëmojnë nën rrënoja të gjejnë librat apo një pjesë të kujtimeve që iu kanë ngelur nën gërmadha. Shumë prej tyre janë në universitet dhe sa u ka nisur sezoni i provimeve, ku me hallin që u ka rënë nuk e kanë marrë mundimin t’i nënshtrohen një testi. Realda, tregon se nuk ka pse t’i nënshtrohet një testi provimi, sepse prova e jetës dhe pafuqia që kanë këta banorë po tregohet në këto ditë. Ata akuzojnë gjithë opinionin, qeverinë, pushtetin vendor për këtë padrejtësi, që sipas tyre po i lë në mes të katër rrugëve pa asnjë shpresë. Pasi konfirmojnë që prindërit i kanë të papunë dhe e vetmja punë është pastruese, mbledhja e kanoçeve apo çfarëdolloj pune e rëndomtë që t’iu ofrohet dhe të sjellë sadopak përfitime për ushqyerjen e familjes. Fëmijët janë të terrorizuar nga ndërhyrja e ashpër e forcave të policisë, të cilat i kanë nxjerrë jashtë forcërisht. Ata tregojnë se natën e kanë kaluar tek të afërmit e tyre dhe me të zbardhur dita janë kthyer në shtëpitë e tyre, ku qëndrojnë të pangrëna dhe në gjendje të rëndë nënat e tyre. Ndërsa baballarët mundohen t’iu drejtohen institucioneve apo organizatave joqeveritare për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. Të rinjtë, shprehen se po iu humbet ky vit akademik dhe viti shkollor për fëmijët e ciklit parauniversitar. Ata nuk kanë ku të mësojnë apo ku të ndërrohen dhe nuk kanë një strehë ku të lënë çantën me libra, xhaketën apo gjithçka që ka nevojë njeriu. Ndërsa policët bashkiakë mësojmë se do të vazhdojnë të qëndrojnë atje derisa të prishen të gjitha banesat.
Premtimet
Të gjithë familjarët e mbetur të pastrehë i janë drejtuar të gjithë institucioneve drejtuese dhe organizmave joqeveritarë. Familjarët tregojnë se ditën e hënë kanë protestuar pranë Bashkisë për mosprishjen e ndërtesave, mirëpo sipas tyre nuk kanë marrë përgjigje. Më pas janë takuar me Kryetarin e Këshillit, Bashkiak, i cili u ka thënë se brenda muajit do të gjendet një zgjidhje dhe deri në këtë kohë banesat nuk do të prishen, por ngjarjet rrëfyen të kundërtën. Por takimet e shumta me autoritetet duket se nuk kanë dhënë ende një rezultat. Ndërkohë që dokumentet e shtëpive, ia kanë dorëzuar Avokatit të Popullit, i cili iu ka premtuar se do ta diskutojë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për të gjetur një zgjidhje. Ndërsa, ditën e djeshme të rinjtë e mbetur të pastrehë i janë drejtuar aktivistëve të Lëvizjes “Mjaft”, për t’i mbështetur në këtë ngjarje tepër tragjike që po u ndodh në jetën e tyre, siç e pohojnë vetë ata.
Deklarata
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka kërkuar të qetësojë familjarët, duke iu premtuar atyre trajtim me bonus qëraje. Sipas tij, për kategorinë e atyre ndërtimeve që posedojnë dokumente pronësie, do të ndiqet rruga normale deri në përfundim të procedurave. Ndërkohë, që për të tjerët, është shprehur se tashmë është bërë e qartë se epoka e ndërtimeve të paligjshme ka perënduar, për më tepër kur bëhet fjalë për ndërtime që pengojnë vepra publike të rëndësishme siç është kjo arterie. “As mos t’a çojë njeri nëpër mend që mund të bllokojë ndërtimin e kësaj rruge dhe transformimin e Tiranës. Çdo instrumentalizim politik i këtyre banorëve nuk i shërben as atyre vetë dhe as të ardhmes së qytetit. Ne këta banorë do t’i trajtojmë rast pas rasti, duke ofruar edhe lehtësira të tipit bonus qiraje, gjë për të cilën diskutuam nga afër”-, është shprehur Shalsi. Ndërsa banorët kanë kundërshtuar haptazi këtë mbështetje, pasi bonusi i qirasë është vetëm 50-70 mijë lekë të vjetra dhe nuk do t’iu shërbejë për asgjë. Kështu, pa asnjë rrugë kompromisi, aksioni i policisë bashkiake për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje përgjatë lumit të Lanës ka vazhduar edhe ditën e djeshme, duke rrëzuar përdhe të gjitha banesat.

Gjendja shëndetësore, mjeku refuzon të masë tensionin
Gjendja shëndetësore e grave të ngujuara është drejt përkeqësimit. Tre ditët kanë kaluar dhe ato ndihen mjaft të dobëta fizikisht. Ndërkohë që secila prej tyre vuan nga sëmundje të ndryshme. Gjendja shëndetësore e njërës prej grave, Dallëndyshe Metaj, është e përkeqësuar. Ndërsa, ato kanë ngelur tepët të indinjuara nga akti i mjekëve, të cilët nuk i kanë matur tensionin gruas, siç kërkoi, pasi i tregoi mjekëve se vuante nga tensioni. Ndërsa, njëri prej tyre thotë se “kam ardhur që nga Kombinati për juve”. Ndërkohë që i vetmi rekomandim që i dhanë ishte të merrte disa barna me anë të recetës dhe se gjithçka që kishte ishte dobësia nga të pangrënët. Gratë kanë reaguar ashpër nga ky akt i mjekut, duke u shprehur se duket se shteti i kërkon të vdekura për të mos i prishur punë.

Emrat e grave në grevë urie

Dallëndyshe Metaj
Esperanca Hasani
Naxhije Gjaci
Lumturie Kaziu
Anila Hakrani
Suzana Mehja
Merita Maho
Qesfere Bega
Myzejen Meta

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›