Analisti Xhozef: Dhuna në Maqedoni, etnike
Dhuna në Maqedoni është dhunë ndërmjet shqiptarëve. Nëse ajo do të ishte ndëretnike, atëherë do të ishte më serioze. Kështu është shprehur lidhur me situatën në Maqedoni analisti politik Eduard Xhozef i Universitetit Xhons Hopkins. “Dhuna që po ndodh në Maqedoni, fatkeqësisht pasqyron realitetin e konkurencës politike mes partive shqiptare në Maqedoni. Konkurenca ka qenë e dhunshme edhe në të kaluarën mes PDSH-së të zotit Thaçi dhe BDI-së të zotit Ahmeti”. Sipas tij, një nga faktorët që ka ndikuar në acarimin e situatës politike në vend është mosantarësimi i Maqedonisë në NATO për shkak të vetos greke duke e konsideruar këtë mosmarrëveshje shumë të rrezikshme për rajonin. “Nëse Maqedonisë do t’i ishte ofruar ftesa në NATO ashtu siç e meritonte, rruga përpara do të kishte qenë më e qartë. Nuk ka dyshim që dështimi për marrjen e ftesës ka ndikuar në situatën politike”,-u shpreh ai. I pyetur për veton greke ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, analisti Xhozef theksoi se është pikërisht vetoja ajo që ka vënë në pikëpyetje edhe anëtarësimin në BE si një ndër prioritetet kryesore të qeverisë maqedonase. Mosmarrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë analisti i njohur e ka konsideruar si tejet serioze për mbarë rajonin duke përfshirë këtu edhe Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe Serbinë. Me këtë rast edhe reformat që janë përmbushur thekson Xhozef, në këtë pikë janë bllokuar duke lënë të hapur edhe çështjen e Kosovës dhe fut pasigurinë për sa i përket statusit përfundimtar të kufijve. “E gjithë strategjia perëndimore bazohet në idenë që këto vende të ecin përpara drejt BE-së dhe NATO-s. Normalisht, pengesa kryesore është aftësia e tyre për të përmbushur reformat. Por në këtë rast ne kemi një vend që i ka kryer reformat, është pranuar se i ka përmbushur ato e megjithatë është bllokuar”,-saktësoi Xhozef. Në lidhje me antentatin kundër kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti janë arrestuar dy të dyshuar në Maqedoni. Për njërin nga të dyshuarit u vu masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndërkohë që i dyshuari i dytë iu dorëzua dje organeve të rendit.
Kinë, 12 mijë të vdekur nga tërmeti tragjik
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Kinë janë konsideruar katastrofike. Zyrtarët kinezë kanë njoftuar se nga tërmeti me epiqendër në qytetin Siçuan kanë gjetur vdekjen të paktën 12 mijë persona, ndërsa dhjetëra mijë të tjerë kanë mbetur të ngujuar nën rrënojat e ndërtesave. Përpjekjet për shpëtimin e të mbijetuarve nga tërmeti më i fortë që ka goditur Kinën në këto 30 vjetët e fundit po i pengon moti i keq. 50 mijë trupa të ushtrisë janë dërguar në krahinën e goditur nga tërmeti për të kërkuar të mbijetuarit dhe për të shpërndarë ndihma. Për të mbikëqyrur operacionin atje ka shkuar edhe kryeministri i vendit. Në qytetin Yingxiu, një ekip i ushtrisë tregon se janë dëgjuar të qara nën rrënoja. Ushtarët kanë gjetur vetëm dy mijë e treqind të mbijetuar nga dhjetë mijë banorët e qytetit. Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut që ka bllokuar rrugët, ndërsa retë e ulëta kanë vështirësuar fluturimet me helikopterë. Një zëdhënës i ministrisë kineze për çështjet civile tha se punonjësit e shërbimeve të urgjencës po përballen me shumë sfida, por shtoi se nuk duhej humbur shpresa për gjetjen e të mbijetuarve.
15 Maj 2008