Tadiç, negociata me socialistët për qeverinë
Pasi kanë fituar zgjedhjet proeuropianët e presidentit Boris Tadiç në Serbi kanë filluar të mendojnë edhe për formimin e qeverisë. E përditshmja serbe “Blic” ka bërë të ditur se blloku proeuropian i Serbisë do të krijojë koalicion me Partinë Socialiste të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç. Aktualisht lideri i Partisë Socialiste, Ivika Dacic dhe dy zyrtarë janë përfshirë në dy ditë bisedime për të arritur një pakt qeverisës. Partia e presidentit Tadiç mori 39 për qind të votave në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa ajo socialiste 11 për qind të votave. Nëse partia socialiste do të pranojë të hyjë në koalicion me partinë Demokratike dhe krijohet qeveria mes këtyre dy forcave, atëherë Tadiç mund të sigurojë 126 vendet e nevojshme në Parlament. Megjithatë asgjë nuk do bëhet publike pa u konfirmuar zyrtarisht në fund të këtij muaji rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme. Burime nga të dy partitë thonë se marrëveshja do njoftohet menjëherë pas publikimit të rezultateve finale. Në bisedime me Partinë Socialiste u përfshinë edhe radikalët e Tomislav Nikoliçit, që dolën partia e dytë në zgjedhje. Sipas gazetës “Blic”, vetë lideri i socialistëve Dacic është ndodhur nën presione nga zyrtarë të partisë nacionalistë të Koshtunicës që të mos bëjë koalicion me Tadiçin. Kryeministri që largohet Vojislav Koshtunica ka dalë hapur në mbështetje të radikalëve të Tomislav Nikoliçit, dhe ka deklaruar se është gati të kalojë edhe në opozitë. Në rast se Tadiç do të krijojë një koalicion të qëndrueshëm, atëherë Serbia do të ecë drejt integrimeve Europiane. Megjithatë si Tadiç edhe aleatët e tij të rinj, socialistët janë shprehur se nuk do të heqin dorë kurrë nga Kosova, por do të vazhdojnë diplomacinë për të anuluar pavarësinë. Para dy ditësh Nikoliç konfirmoi arritjen e një marrëveshjeje me Koshtunicën për parimet e qeverisë duke i bërë ftesë edhe Partisë Socialiste e cila ka qenë mbështetëse e ish-diktatorit Millosheviç. Lidhur me zgjedhjet lokale serbe të mbajtura në Kosovë UNMIK-u ka bërë të ditur se nuk do të bashkëpunojë me strukturat komunale serbe. Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë tha se këto struktura janë ilegale dhe në këtë mënyrë nuk do të gjejnë bashkëpunim. Deklarata u bë nga zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, i cili tha se UNMIK-u do të vazhdojë bashkëpunimin me përfaqësuesit e emëruar serbë nga shefi i UNMIK-ut, nëpër komunat ku ky komunitet përbën shumicën.
Ivanko tha se për UNMIK-un, të gjitha strukturat që dalin nga zgjedhjet lokale serbe të 11 majit janë inekzistente dhe nuk do të përfillen, por do të trajtohen si ilegale. “Ne do të flasim vetëm me përfaqësuesit serbe të emëruar nga shefi i UNMIK-ut në pesë komunat me shumicë serbe dhe vetëm ata do të konsiderohen si përfaqësues legjitimë”, - tha Ivanko.
BE-ja dhe SHBA-të dënojnë dhunën elektorale në Maqedoni
Dhuna elektorale ndaj kreut të BDI-së Ali Ahmeti në Maqedoni është dënuar ashpër nga autoritetet ndërkombëtare. Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve në Maqedoni, kanë hequr dorë nga fjalori diplomatik dhe në mënyrë të hapur kanë shprehur shqetësime për këtë dhunë në prag të zgjedhjeve të parakohshme. ME këtë rast ata bënë apel për një proces të qetë zgjedhor. Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, tha se dhuna është e papranueshme. Ajo kërcënon të ardhmen europiane të Maqedonisë. “Çdo akt dhune është shumë i dëmshëm jo vetëm për imazhin e vendit por edhe për perspektivën e përfshirjes së vendit në BE”,- u shpreh Fuere. Zgjedhjet, sipas përfaqësuesve të BE-së, janë një nga nëntë kriteret mbi të cilat Brukseli vendos për të ardhmen e Maqedonisë. Komisionari për Zgjerim, Oli Rehn edhe ai përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështje të politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, e konsideroi dhunën në këtë proces zgjedhor të papranueshme. Nëpërmjet një komunikate, Ambasada e SHBA-ve në Shkup sulmin ndaj Ali Ahmetit e quan si një “ngjarje shokuese”. Ajo thotë se partitë që frikësojnë kandidatët apo votuesit nuk meritojnë mbështetje dhe bën thirrje që autoritetet të garantojnë të drejtat e qytetarëve për zgjedhje të lira. Apele të ngjashme bëri edhe presidenti i vendit Branko Cërvenkovski, kurse kryeministri Nikolla Gruevski pas takimit me Menduh Thaçin e PDSH-së dhe pas bisedës telefonike me Ali Ahmetin e BDI-së tha nuk do të ketë mbrojtje partiake ndaj atyre që nxisin dhunën.
Klinton fitoi zgjedhjet paraprake në Virxhinian Perëndimore
Kandidatja demokrate për president, Hillari Klinton, u zotua përsëri të vazhdojë betejën për të siguruar emërimin e partisë së saj për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Senatorja Klinton e bëri këtë zotim pas fitores me shumicë dërmuese votash, megjithatë simbolike, ndaj rivalit të saj, Barak Obama, në shtetin amerikan të Virxhinias Perëndimore. Klinton u shpreh për përkrahësit e saj në kryeqytetin e shtetit, Çarlston, se ajo është më e vendosur se kurrë më parë për të vazhduar fushatën në zgjedhjet e mbetura paraprake në 5 shtete amerikane. Ekspertët thonë se edhe me këtë fitore vendimtare në Virxhinian Perëndimore, senatorja Klinton nuk do të ndikojë tek vrulli, që ka marrë senatori Obama për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate. Por fushata e zonjës Klinton shpreson që fitorja do të bindë superdelegatët se ajo është kandidatja më e mirë. Superdelegatët janë zyrtarë partiakë dhe zyrtarë të zgjedhur, të cilët janë të lirë të votojnë për secilin nga kandidatët në kuvendin e partisë në muajin gusht. Mbështetja e tyre është vendimtare sepse asnjëri prej dy kandidatëve nuk pritet të fitojë emërimin e partisë pa mbështetjen e superdelegatëve.
Austri, arrestohet personi që vrau pesë anëtarët e familjes së tij
Policia austriake ka arrestuar gjatë ditës së djeshme një 39-vjeçar, i cili dyshohet se ka vrarë pesë anëtarë të familjes së tij dhe më pas i është dorëzuar organeve të rendit. Zëdhënësja e policisë, Karin Stricek është shprehur se herët në mëngjes ky person është paraqitur në stacionin policor në Vjenë dhe ka thënë se në shtëpinë e tij ka vrarë gruan dhe bijën e tij shtatëvjeçare. Ajo ka konfirmuar se policia ka gjetur trupat e të vrarëve si dhe ka shtuar se ato janë vrarë me sëpatë. Stricek, gjithashtu ka thënë se policia ka gjetur trupat e prindërve të mashkullit dhe vjehrrin e tij në Lintz dhe Ansfelden dhe është duke i hulumtuar këto raste.
BE-ja, investime për infrastrukturën e Ballkanit
Ministrat e Financave të Bashkimit Europian ranë dakord të rrisin mbështetjen për investimet në infrastrukturë në Ballkanin Perëndimor. Në takimin në Bruksel, zyrtarët e BE-së gjithashtu kanë mbështetur 1 miliard eurot që do të akordohen përmes Bankës Europiane të Investimeve dhe organizatave tjera financiare.
Deri tani, Bashkimi Europian është fokusuar në ndihmat për ndërtimin e rrugëve, por shpreson që në vitet e ardhshme të financojë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
15 Maj 2008