Festivali i arteve bashkëkohore, 40 artistë nga rajoni
Festivali “Art Kontakt” që pritet të zhvillohet në Kalanë e Lëkursit në Sarandë, do të çelë nesër (27 gusht) edicionin e 6-të të këtij aktiviteti kulturor gjithëpërfshirës, ku do të marrin pjesë 40 artistë nga vendi dhe rajoni, të cilët do të prezantojnë krijime në fushat e artit viziv, muzikë dhe danc. Aktiviteti tenton të promovojë jo vetëm krijime të artistëve të njohur nga dashamirësit e shumtë, por në të njëjtën kohë t’u dhurojë hapësira artistëve të rinj të bëhen pjesë e kësaj elite si dhe përshtatjen e tyre në këtë treg të artit bashkëkohor. Andi Tepelena drejtori ekzekutiv i festivalit është shprehur se “synimi i festivalit është të penetrojë në një rrjet arti mesdhetar me tendenca të artit bashkëkohor”. Sipas tij, “tematikat mbi të cilat do të zhvillohet festivali do të jenë provokative. Mbi to pritet të ketë debat ndërsa do të marrin pjesë kritikë, artistë dhe njerëz të fushave të ndryshme. Festivali i krijuar në vitin 2003 tenton të bëjë organizimin dhe mbështetjen e veprimtarive artistike kulturore në nivel lokal dhe kombëtar, shkëmbimin e eksperiencave në fushën e artit dhe kulturës si dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
26 Gusht 2008