Ligjvënësit rusë pro pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut
Dumat ruse kanë mbështetur njëzëri thirrjen drejtuar Rusisë për njohjen e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë. Dhoma e Epërme, Këshilli i Federatës dhe Dhoma e Ulët apo Duma shtetërore, votuan pro, për t’i bërë thirrje presidentit Dimitri Medvedev që të njohë pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Asnjëra rezolutë megjithatë nuk është detyruese dhe vendimi përfundimtar varet nga presidenti. Para votimit, kryetari i Dhomës, Sergei Mironov tha se Abkhazia dhe Osetia e Jugut kanë të drejtë të jenë të pavarura. “Populli i Osetisë së Jugut dhe i Abkhazisë i ka të gjitha të drejtat të fitojë pavarësinë dhe një nga parimet legale për njohjen e pavarësisë është parimi themelor i ligjit ndërkombëtar, e drejta e popullit për vetëvendosje”,- tha Mironov. Abkhazia dhe Osetia e Jugut janë shkëputur nga Gjeorgjia më 1990, por as Rusia e as ndonjë shtet tjetër i OKB-së nuk kanë njohur deklaratat e pavarësisë së tyre. Moska dërgoi trupat në Gjeorgji pas luftimeve në Osetinë e Jugut në fillim të këtij muaji. Ndërhyrja ruse dhe refuzimi i saj që të tërhiqet plotësisht nga territori gjeorgjian ka acaruar raportet e Moskës me perëndimin.
Sakashvili: “Dëmet e luftës 2 miliardë dollarë”
Presidenti gjeorgjian Mikhail Sakashvili tha se konflikti me Rusinë i ka shkaktuar rreth 2 miliardë dëme Gjeorgjisë. Në një intervistë për “Financial Times”, Sakashvili tha se dëmet prej miliarda dollarësh janë shkaktuar në rrugët dhe hekurudhat e Gjeorgjisë. Ai akuzoi Rusinë se ka vendosur tanke në Osetinë Jugore, para se forcat e Gjeorgjisë të sulmonin rajonin. Një deklaratë e tillë nuk qe bërë nga zyrtarët gjeorgjianë më 7 gusht, kur forcat gjeorgjiane filluan sulmet e tyre dhe FT thotë se këto pretendime te Sakashvilit nuk kanë mundur të verifikohen nga burime te pavarura.
26 Gusht 2008