E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i orkestrave, 16 banda në Jug të vendit

30/06/2009  Tashmë është shndërruar në traditë. Festivali i orkestrave frymore “Albanian Wind Band Festival” mbërrin në edicionin e katërt. Nga 7 deri më 11 korrik 16 banda nga vendi dhe bota do të jenë gjallërueset e jetës artistike në Jug të vendit. Krahas Sarandës për herë të parë festivali do të shtrihet edhe në qytetin e Himarës. Ndërsa theksohet se edhe pjesëmarrja e orkestrave frymore të huaja do të jetë më e madhe, duke i dhënë festivalit dimension rajonal.

“Për herë të parë do të marrin pjesë edhe gjashtë ansamble frymore dhe do të vlerësohen me çmime nga juria”, - nënvizon drejtori artistik i festivalit Edmond Doko.

Sipas tij, Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore (KOF) në aktivitetin e tij 5-vjeçar ka arritur që të rizgjojë e gjallërojë traditën e orkestrave frymore. Aktiviteti i tij ka konsistuar jo vetëm në asistencën profesionale që u ka dhënë orkestrave frymore të bashkive të ndryshme duke organizuar koncerte në Tiranë e qytete të tjera, por sidomos me organizimin e suksesshëm të festivalit të orkestrave frymore, i cili është i vetmi aktivitet i këtij lloji në Shqipëri.

Historik i shkurtër

Orkestrat frymore janë formacionet muzikore më të vjetra të vendit tonë e në të njëjtën kohë janë një kulturë muzikore europiane, e cila që në fund të shekullit XIX shoqëron zhvillimin kulturor e artistik të qyteteve kryesore, si Shkodra, Korça, Elbasani etj. Gjatë shek. XX këto formacione u ngritën pothuajse në çdo qytet dhe u bënë pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore kombëtare. Orkestrat frymore janë jo vetëm themeli i muzikës së kultivuar kombëtare, por dhe me ndikim në formimin e fytyrës europiane të qyteteve tona.

1878 - italiani Xhani Canale krijon orkestrën e parë frymore (bandë muzikore) në Shkodër. Tre vjet më vonë e drejton këtë orkestër Palok Kurti, që për më shumë se gjysmë shekulli trashëgimtarë të familjes Kurti drejtojnë orkestrën frymore në Shkodër.

1898 - Frano Ndoja krijon të dytën orkestër frymore po në Shkodër.

1908 - themelohet “Banda e lirisë”

1909 - krijohet orkestra frymore “Afërdita” në Elbasan, instrumentet muzikore blihen nga vetë qytetarët në Austri.

1918 - themelohet shoqëria kulturore “Rozafat”.

1919 - themelohet shoqëria kulturore “Vllaznia” në Shkodër, e pranë saj funksionojnë orkestra frymore.

1920 - në Korçë kemi Jovan Cico Kosturin dhe vjen nga Amerika Thoma Nasi me bandën e mirënjohur “Vatra”.

1924 - kryeministri Fan Noli i bie flautit në bandën e Tiranës, e cila me vonë shndërrohet në “Banda Mbretërore”, e përbërë kryesisht nga muzikantë të “Vatrës” të ardhur nga Amerika e të tjerë që kishin studiuar jashtë, kryesisht në Itali.

1932 - dom Mikel Koliqi pranë “Scuola Cantorium” (shkollë françeskane) krijon orkestrën frymore të shkollës e po në Shkodër krijohen të tjera orkestra frymore si ajo e artizanëve, e bashkisë, e ushtrisë, e lagjes “Parucë” etj.

Në Kosovë krijohen shoqëritë atdhetaro-kulturore “Vllaznia” në Gjakovë, “Bashkimi” në Shkup etj. Pranë tyre funksionojnë dhe orkestrat frymore.

1944 - krijohet Orkestra Frymore e Ushtrisë (Banda e Ushtrisë) e gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX krijohen e funksionojnë pothuaj në çdo qytet orkestra frymore (banda muzikore).

1945–1990 - pothuaj në të gjitha qytetet shqiptare krijohen dhe funksionojnë orkestra frymore (pranë shtëpive dhe pallateve të kulturës).

2004 - me iniciativën e dirigjentit Edmond Doko dhe të instrumentistëve Fatos Jaho, Xhemali Murraj, Bashkim Barbullushi, Gazmor Halilaj etj. rikrijohet orkestra frymore e bashkisë së Tiranës. Po këtë vit krijohet KOF (Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore), i cili u ngrit si domosdoshmëri për të rizgjuar e zhvilluar traditën e orkestrave frymore në Shqipëri.

2009 - funksionojnë orkestra frymore pranë bashkive të qyteteve Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Peshkopi, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë, Sarandë, të cilat, pavarësisht se mbështeten pamjaftueshmërisht nga pushteti lokal dhe nga donatorë të ndryshëm, një numër i konsiderueshëm i tyre (mund të përmendim Shkodrën, Korçën, Beratin, Elbasanin, Vlorën) shënojnë rritje të nivelit artistik.

Festivalet në këto vite

Më 6, 7 dhe 8 qershor 2006 KOF-ja organizon në Sarandë festivalin e parë të orkestrave frymore. Në këtë edicion morën pjesë orkestra frymore e Fierit, Vlorës, Elbasanit, Sarandës, kuinteti i frymës “Çesk Zadeja”, orkestra frymore e Forcave të Armatosura, orkestra frymore e liceut artistik Tiranë, “Fanfara Tirana”, “Tirana new band”. Dirigjentë pjesëmarrës Nikollaq Bullo, Eduart Banushi, Blerim Narazani, Zamir Zani, Halim Teqja, Melsed Kabaj, Xhemali Murraj dhe Edmond Doko. Morën pjesë rreth 250 instrumentistë dhe u ndanë diploma nderi për instrumentistë të shquar.

Më 12,13 dhe 14 korrik 2007 KOF-ja organizon në Sarandë festivalin e dytë të orkestrave frymore. Në këtë edicion morën pjesë orkestrat frymore të Fierit, Vlorës, Elbasanit, Sarandës, orkestra frymore e Forcave të Armatosura, “Fanfara Tirana”, “Tirana new band” dhe Filarmania e Mandrës (Atiki-Greqi).

Më 8, 9, 10, 11, 12 dhe 13 Korrik 2008 KOF-ja organizon në Sarandë festivalin e tretë të orkestrave frymore. Morën pjesë orkestra frymore e bashkisë së Elbasanit, Shkodrës, Fierit, Beratit, Vlorës, Korçës, Sarandës, kuinteti “Çesk Zadeja”, “Proballkan Band”, “Tirana Brass Kuintet”, Filarmonia e Kerateas (Greqi), “Albanian New Band”, “Fanfara Tirana”, “KOA Brass Kuintet” (Greqi) dhe orkestra frymore e Forcave të Armatosura, Tiranë. Dirigjentë Emin Palluqi, Kujtim Aliaj, Nikollaq Bulo, Fatbardh Dervishi, Eduart Banushi, Pandi Bello, Janis Ekonamakis, Edmond Doko, Halim Teqja. Morën pjesë rreth 350 instrumentistë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›