Miss Shqipëria 2009, nesër kurorëzohet në Durrës
Edicioni i 11-të i konkursit Miss Shqipëria 2009 do të zhvillohet nesër në Torre Venecia, Durrës. Janë 31 vajza të përzgjedhura që do të konkurrojnë për kurorën e bukurisë shqiptare. Spektakli, nga ku do të dalë vajza më e bukur e Shqipërisë, përmban në vetvete konkursin e bukurisë, atë të inteligjencës si dhe një garë të aftësive artistike të pjesëmarrësve. E reja e konkursit Miss Shqipëria këtë është se vajza fituese do të kurorëzohet edhe me çmime te tjera.
Kurora e bukurisë shqiptare i jep te drejtën vajzës fituese të përfaqësoje Shqipërinë në një nga konkurset më të rëndësishëm te globit siç është Miss Globe International 2009. Më shumë se 40 bukuroshe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë paraqitur që në ditën e parë të seleksionimit të vajzave që do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të Miss Shqipëria 2009. Pas paraqitjes së tyre ka shënuar kështu starti i këtij konkursi bukurie të organizuar nga Deliart Assocation me producent Petri Bozo. Ai dhe stafi i tij kanë pritur vajzat e para. Faza e seleksionimit kanë filluar në orët e paradites dhe ka zgjatur deri në orën 20.00 të mbrëmjes dhe përgjatë gjithë ditëve janë regjistruar bukuroshe të ardhura nga shumë qytete, që nga Shkodra deri në Sarandë. Përzgjedhja e vajzave këtë vit është konceptuar si një testim, gjatë të cilit vajzat i përgjigjen dy pyetësorëve të ndryshëm. I pari i përket fazës fillestare të prezantimit, ndërsa i dyti gjatë parakalimit të tyre me bikini. Pretendentet për konkurrente gjatë kësaj kohe janë intervistuar nga Bozo dhe asistentët e tij në prani të kamerës. Kjo me qëllim që secila prej tyre të parapërgatitet për fazën pasardhëse. Thënë ndryshe të zhvishen nga emocionet e përballjes me kamerat dhe aparatet fotografikë, apo me përballjen me publikun. Almeda Abazi u shpall Miss Shqipëria 2008?. Kalaja e Prezës ka bekuar bukuroshen e radhës të Miss Shqipëria vajzën nga Tirana, e cila ishte vetëm 17 vjeçe dhe për një vit ajo ishte ambasadorja e bukurisë në të gjitha evenimentet e spektakleve të bukurisë. Shoqëruesja e parë e Miss Shqipëria u zgjodh Hyselda Lloha, ndërsa shoqëruesja e dytë Arta Kamberi. I kthyer tashmë në një traditë, mënyra e konceptimit dhe organizimit të Miss Shqipëria synon gërshetimin e vlerave historike dhe turistike të vendit tonë, duke u stacionuar në disa prej simboleve të historisë, siç janë dhe kalatë.