E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, 3 KZAZ-të me ndërprerje të herëpashershme

30/06/2009  Incidente të parëndësishme, zëvendësohen komisionerët

Në një fshat nuk shënohen votat në favor të PBDNJ-së

KORÇË-Procesi i numërimit të votave në qarkun e Korçës është përcjellë nga incidente të parëndësishme dhe në përgjithësi ritmet e numërimit të votave ka qenë i kënaqshëm. Megjithatë, tri KZAZ-të e qytetit të Korçës kanë shënuar ritmet më të ulëta në krahasim me tre bashkitë e tjera të këtij qarku, me atë të Ersekës, Pogradecit dhe Devollit. Nga burime zyrtare mësohet se shkak për uljen e ritmeve të punës kanë qenë të herëpashershme për shkak të problemeve që kanë dalë gjatë numërimit të votave, ku në raste të tilla është kërkuar edhe ndihma e KQZ-së. Veç kësaj komisionerët për shkak të lodhjes fizike kanë kërkuar pushime të ndërmjetme gjatë punës, ka pasur raste edhe kur një grup numërimi është zëvendësuar me një grup tjetër gjë që ritmet e punës janë ulur edhe më tepër. Nuk mund të thuhet se vonesat kanë qenë të qëllimshme, por e vërteta është se tri KZAZ e qytetit të Korçës kanë pasur zvarritje tepër të dallueshme. Nëse Devolli numëronte 51 kuti votimi, Kolonja 57, dhe Pogradeci 102, tri KZAZ-t e qytetit të Korçës kanë pasur respektivisht, ajo me nr 30 vetëm 60 kuti votimi, 29-a vetëm 87 kuti votimi, ndërsa KZAZ-ja nr 28 vetëm 62 kuti votimi, çka do të thotë se çdonjëra prej tyre ka pasur shumë më pak kuti votimi në krahasim me KZAZ-të e rretheve. Megjithatë, në tri KZAZ e qytetit të Korçës ritmet e punës kanë qenë mjaft të ulëta. Megjithatë, burimet zyrtare bënë të ditur se vonesat në votënumërim nuk kanë ardhur për shkak të tyre, por për arsye teknike. Së pari në KZAZ-në nr 29 numërimi i kutive filloi me vonesë, pasi kutia e votimit e fshatit Panarit të Korçës erdhi me shumë vonesë në vendnumërimin e votave, madje burimet pohojnë se kjo kuti ka mbërritur vetëm në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë të njëjtat burime bënë të ditur se kutia e ardhur nga fshati Bulgarec, pati një problem tjetër, ku u konstatua se në procesverbalet ishin shënuar emrat e votuesve, por nuk ishin regjistruar të dhënat e letërnjoftimit apo të pasaportës për jashtë shtetit. Ndërkohë vonesa të dukshme ka pasur edhe te KZAZ nr 28, e cila numëron votat e ardhura nga qyteti i Korçës, komisionerët e këtij vendnumërimi kanë kërkuar në mënyrë të herëpashershme, pushime mes punës së tyre për shkak të pagjumësisë dhe lodhjes. Një ndërprerje tjetër e punës së komisionerëve është shënuar edhe në KZAZ nr 3706, ku komisionerët nuk kishin regjistruar në procesverbal 120 votat që i takonin PBDNJ. Që të gjitha këto probleme janë zgjidhur në kohë nga ana e KQZ, por gjithsesi problemet e konstatuara kanë sjellë vonesa dhe zvarritje të ndjeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›