Festivali i stampave
Imazhi i një festivali të lodhur, ku vërtiten të njëjtët emra kompozitorësh, poetësh e orkestruesish dhe ku mungon konkurrenca. Për të tretin vit në Eurosong paraqitemi me të njëjtën dyshe Hila- Laço.
Për të pestin vit festivali shtetëror po duket sikur ka për të detyrë të zgjedhë këngën që na përfaqëson në Festivalin Evropian. Fundja ky është refreni i këtij aktiviteti të madh, thua se festivali nuk ka pasur kuptim 40 vjet kur kënga mbetej thjesht brenda Shqipërisë. Për të tretin vit në Festivalin Evropian na përfaqëson dyshja Adrian Hila-Pandi Laço. Një rastësi e përkryer, si "ora e përkryer" për të cilën fliste kënga. Një baladë e interpretuar me zemër nga 16-vjeçarja Olta Boka, e cila duket se ka lindur "me këmishë". Debutimi e shpuri drejt trofeut dhe drejt Eurosong.
Sa për këngën fituese juria dukej e ndarë në mes në natën finale. Krajka, Leka, Tukiqi ishin për "Jeta kërkon dashuri", e kënduar nga Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, ndërsa pjesa tjetër për këngën e Olta Bokës. Nëse më parë merrej për bazë edhe votimi i publikut, tashmë mendimi i këtij të fundit nuk ngre më peshë. Mjafton mendimi i 7 vetëve për të përfaqësuar Shqipërinë. Si përfundim, tre çmimet e para u ndanë mes Hilës, Zhulalit (i cili si drejtor artistik i festivalit nuk duhet të kishte këngë në konkurrim, pasi përbën një konflikt interesi të pastër) dhe Endri Sinës. Në të vërtetë, këta janë edhe emrat që qarkullojnë më së shumti në festivalin e dhjetorit. Në të njëjtën skenë, për çdo vit konkurrojnë të njëjtët emra. Kompozitorë me më shumë se një këngë, orkestrues që orkestrojnë një të tretën e këngëve të festivalit dhe autorë që firmosin për gati gjysmën e teksteve të këngëve. Shumë pak emra të rinj mes kompozitorëve, poetëve e orkestruesve. Është ky qark i mbyllur që çon në një festival monoton, ku e ke të vështirë t'i vësh gishtin një kënge të bukur që të mbetet në mendje. Motive të dëgjuara dhe tekste të përsëritura deri në shpëlarje. Festivali i këtij viti kishte për refren dashurinë e humbur, atë të madhen njerëzoren, i kërkohej ndihmë Zotit për të ndërhyrë, për të tharë lotët... Tekste të thata, pa fabulë, pa histori për t'u besuar nga veshët, pa jetë, pa të vërteta.
Ajo çka i mungon festivalit është konkurrenca. Nëse çdo vit ofrohen të njëjtët emra, atëherë nuk përbën ndonjë çudi që për të tretin vit Shqipërinë ta çojë në Eurosong dyshja Hila-Laço. Shumë menduan se fakti që festivali ka të drejtën e përzgjedhjes së këngës për në Eurosong do të angazhonte më shumë artistët dhe gara do të ishte vërtet e fortë. Ka ndodhur e kundërta. Festivali nuk po fiton dot emrin e humbur as me një nxitje si Festivali Evropian. Sepse nxitjet për krijimtari vetëm të jashtme s'mund të jenë. Muzika e kompozitorëve tanë duket e konsumuar, e pavërtetë, gati false. Po nuk mbeten më pas këngëtarët tek të cilët nuk vihej re ndonjë impenjim i madh. Këngëtarë me përvojë, nga ata që ne i mbajmë si ikona të skenës u paraqitën nën mesataren. Zëra të ngjirur e stonatura, që vrisnin edhe veshin më të pastërvitur me muzikën. Po si të mos mjaftonte ky nivel paraqitjeje, si të mos mjaftonin shumë elementë të tjerë të skenografisë, të kushteve teknike, të veshjes dhe qëndrimit të këngëtarëve në skenë që dukeshin të zhytur në një mjerim estetik, festivali duhej të kthehej edhe në pazar.
Këngëtarë që çojnë mesazhe, bëjnë presione e ofrojnë para për të fituar vendin e parë, të tjerë të skualifikuar, të pakënaqur e anëtarë e jurie që janë të gatshëm në çdo moment të zihen me grushta, apo të flasin para publikut e mediave si në kafene. Kjo duhet të jetë etika e festivalit? Shqipëtarët të mësuar me lloj-lloj çudirash, sigurisht që nuk shokohen as nga kjo. Fundja gjithmonë është folur për fitues që para se të fillonte festivali. Megjithatë për spektatorin e më së shumti për telespektatorin, festivali ka qenë një nga ato gjërat që priteshin me padurim, kurse sot, jo thjesht për faktin që nuk është alternativa e vetme, por edhe sepse niveli është i tillë, që nuk lë më njerëz pa gjumë. Gjithsesi me nivel, apo pa nivel, festivali i këtij viti e nxori fituesin e radhës. Deri në maj po shpresojmë që Olta Boka (për të cilën që tani kanë filluar të tregohen histori se si u përjashtua një javë para nga një konkurs si "Ethet") të jetë më me fat se Ledina Çelo e Frederik Ndoci. Ndoshta i prin fati i fillestarit, se fati i traditës nuk ka lënë më gjurmë në festivalin shtetëror i cili njëlloj si pronat shtetërore pas viteve '90, u braktisën dhe njerëzit nuk iu kthyen më të punojnë.
Olta Boka, e skualifikuar në "Ethe"
Edhe një herë pësëritet rasti i Elsa Lilës në skenën e Festivalit të RTSH-së. E fiton më e vogla e konkurrentëve, 16-vjeçarja Olta Boka përtë cilën ky trofe ishte dhe debutim. Por ajo ka edhe ndonjë përvojë jo fort të "lavdishme". Të vetmen skenë që kish shkelur më parë ishte ajo e "Gjeniut të vogël", në vitin 2004 ku ishte ndër finalistet. Tashmë më e rritur Olta provon fatin në konkursin maratonë "Ethet e së premtes mbrëma". Për ata që e kanë ndjekur konkursin çdo të shtunë, vajza ka mbërritur deri në 30-she. Më tej pritet për tu zbuluar në ekranin e "Top Channel". Por duket se gara e Bokës ka përfunduar këtu. Burime të sigurta brenda "Etheve" thonë se fituesja e edicionit të 46 në RTSH është skualifikuar në këtë fazë, madje pa asnjë lloj diskutimi. Mësohet se ka pasur shumë të rinj të tjerë, që janë skualifikuar jo pa debate, ndërsa për 16-vjeçaren që fitoi festivalin, vendimi për skualifikim ka qenë unanim.