E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, ja si do shpërndahet buxheti i Bashkisë

Kryebashkiaku i Tiranës, prezantoi para banorëve të Njësisë Nr.5 projektin e investimeve të bashkisë për vitin 2008
Investim në shkolla, në infrastrukturë dhe qendra të tjera, është motoja e nismës "Thuaj Fjalën Tënde". Kështu është shprehur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama në vazhdën e dëgjesave me qytetarët, që organizoi dje pasdite në takimin me banorë të Njësisë Bashkiake Nr.5 duke i prezantuar atyre prioritetet e investimeve që do të bëjë bashkia për vitin 2008. "Prioritetet e buxhetit dhe kontributi i taksave të Bashkisë së Tiranës, do të analizohen dhe planifikohen për çdo njësi bashkiake",- ka thënë kryebashkiaku Edi Rama. Përmes kësaj nisme Rama tha se bashkia do të bëjë të mundur thithjen e mendimit qytetar për planifikimin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të shërbimeve publike. Sipas tij, një pikë tjetër e këtij projekti është menaxhim më eficient i burimeve publike dhe përmirësim i shërbimeve publike, koordinuar me projektin "Gjykoni punën time". Të pranishmëve në takim u ishte shpërndarë një pyetësor, në të cilin renditeshin nevojat dhe kërkesat e evidentuara nga Njësia Bashkiake Nr.5 dhe nevojat e evidentuara nga Bashkia e Tiranës, për investime dhe shpenzime në territorin e kësaj njësie.
Projekti
Qytetarët e pranishëm, por edhe të tjerë në këtë njësi, që do ta marrin në ditët në vijim këtë pyetësor, duhet të votojnë për të vendosur se cila nga nevojat e evidentuara është për ta më prioritare se tjetra. Në fund, pas përpunimit të këtyre formularëve dhe nxjerrjes si më prioritare të atyre nevojave ku qytetarët duan më shumë të investohet dhe shpenzohet, përfundimet do të merren parasysh në hartimin e projekt-buxhetit të vitit 2008. Përpara nisjes së diskutimit mbi prioritetet që duhet të ketë Bashkia e Tiranës gjatë hartimit të Buxhetit 2008, për Njësinë Bashkiake Nr.5, kryebashkiaku Edi Rama u shpreh se, "jemi në një fazë kur duhet ta thellojmë demokracinë vendore, jemi në një fazë kur duhet të krijojmë mekanizma të rinj për vendimmarrjen në këshillat bashkiakë". Më tej, Rama tha se jemi në një fazë kur duhet të përfshijmë me patjetër komunitetet tona. Në këtë mënyrë, sipas tij, mund të rritet efektshmëria në përdorimin e fondeve publike. "Vetëm në këtë mënyrë, investimet tona do të shkojnë të gjitha atje ku zgjidhin problemet më kyçe të komuniteteve",- tha kryetari i bashkisë. Ai shtoi më tej se, vetëm kështu politika e projekteve të mëdha nuk errëson në asnjë mënyrë politikën e zgjidhjes së problemeve të "vogla". "Ato probleme që duken të vogla, të para nga lart, janë probleme të mëdha për jetën e çdo blloku dhe lagjeje. Këto dëgjesa publike na dhanë dhe na japin mundësinë që të listojmë një numër të konsiderueshëm të nevojave të komuniteteve të kryeqytetit dhe të përmbushim disa prej tyre. Disa të tjera janë në rrugën e përmbushjes dhe të tjera ende kanë nevojë për investime të konsiderueshme. Dhe duke folur për këto investime të fundit, vijmë te kjo nismë e jona, që synon të vendosë gurin e themelit për një traditë të re në jetën e qytetit tonë, por me shpresë edhe të qyteteve dhe komunave në Shqipëri, një gur themeli për të krijuar një traditë të hartimit të buxhetit me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve",- tha kryetari i Bashkisë. Pas kësaj, kryebashkiaku Edi Rama bëri një paraqitje të të dhënave demografike, të dhënave që kanë të bëjnë me bizneset, me shpenzimet dhe të ardhurat për këtë njësi, si dhe të dhënave që kanë të bëjnë me nevojat për investimeve të identifikuara nga Njësia Bashkiake Nr.5 dhe Bashkia e Tiranës, për këtë njësi.
Investimet në Njësinë Numër 5
Sipas projektit të Bashkisë, Njësia Nr.5 për vitin 2008 do të ketë investime në infrastrukturën rrugore, ku do të fillojë me rikonstruksionin e infrastrukturës në bllokun "Irfan Tomini" dhe do të vazhdojë me kanalizimet në Selitë. Ndërkohë nga ky projekt i bashkisë për këtë njësi, një buxhet do të shkojë edhe për rikonstruksionin e bllokut Atelia Skulpturore "Diplomat", përfshirë dhe rrugën "Jusuf Vrioni" si dhe rikonstruksionin e rrugës kryesore Selitë-Qendër deri në kryqëzimin e saj me rrugën "Hamdi Pepa". Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë, investimi në Njësinë Nr.5 do të ndihet me vendosjen e tabelave për emërtimin e rrugëve. Ky projekt parashikon prishjen e objekteve pa leje, për çlirimin e hapësirave publike të kësaj njësie nga gardhet dhe rrethimet pa leje, që do të zbatohet me përpikmëri. Ndërkohë një tjetër investim do të jetë shtesa 2 kate e objektit të Njësisë Bashkiake, sistemim gjelbërimi në hapësirat brenda territori të Njësisë Bashkiake. Rikonstruksion i infrastrukturës në Bllokun Nr.47 dhe rikonstruksioni i infrastrukturës së Bllokut Nr.12 (Blloku Tirana e Re) janë një tjetër projekt i bashkisë së Tiranës. Po ashtu bashkia do të rikonstruksojë palestrën në shkollën "Vasil Shanto", ndërtim e një palestre dhe instalimin e sistemit të ngrohjes në shkollën "Murat Toptani", si dhe përfundimin e shkollës së re në Selitë brenda vitit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›