Kembrixhi, Kisha e Shën Palit dhe Biblioteka Britanike
(Nga cikli "Pashë Anglinë me Syrin e Londrës")
Për Kembrixhin kam dëgjuar shumë e shumë vite më parë. Në vitin 1999 mund të kisha vajtur atje për të shoqëruar një të afërmin tim, djalë i ri shqiptar, që do fillonte studimet, por Ambasada Angleze nuk më dha vizë. Sidoqoftë gjatë vizitës sime në Londër në gusht një ditë ia kushtova Kembrixhit. Kështu u nisëm në fillim me autobus pastaj me trenin e orës 10 e 11 minuta, (po sa të përpiktë që janë këta anglezët!). Treni ndalej në çdo stacion, pashë shumë gjelbërim dhe peizazhe të vërteta angleze me drurë, qiell të kaltër dhe ndërtesa të ulëta. Pasi zbritëm nga treni, hipëm në një autobus dhe shkuam në qendrën universitare të Kembrixhit ku ndodhen 23 kolegje (kolegji është i barabartë me fakultetin tek ne) dhe kolegji më i vjetër i përket vitit 1326. Kryesisht ne u ndalëm në King's College ku ka studiuar miku im. Gurin e parë për ndërtimine këtij kolegji e ka vendosur Henri VI një ditë të diel të vitit 1441 dhe ndërtimi vazhdoi për gati një shekull. Çdo kolegj ka kishën e tij, por kisha e King's College është e veçantë dhe e mrekullueshme, njëra nga kishat më të shkëlqyera të Europës dhe të mesjetës së vonë, apo thënë sipas anglezëve "një punë mbretërish" sepse vijoi të ndërtohej mbret pas mbreti. Në këtë kishë ka salla të mrekullueshme kori dhe në të ndodhen dymbëdhjetë dritare në secilën anë për t'u dhënë dritë vendit të korit dhe të lutjeve. Dritaret janë me xhama shumë të lartë të pikturuar me ngjyra të bukura dhe paraqiten skena sipas Testamentit të Vjetër si: "Ngasja e Evës", "Kryqëzimi i Krishtit", "Solomoni dhe Mbretëresha e Shebës", ndërsa tek një mur përballë ndodhet piktura e madhe e mrekullueshme e Rubensit "Adhurimi i Magëve". Përshtypje të veçantë më bëjnë kupolat me gdhendjet heraldike. Gjithashtu të gdhendura në dru e të bashkuara me njëra tjetrën janë edhe dy gërmat nistore H dhe A, të cilat kanë të bëjnë me mbretin Henri VIII dhe Anne Boleyn. Fatmirësisht kjo kishë ka shpëtuar nga rrebeshet e luftërave.
Teksa vizitojmë kolegjet e tjerë vërej se secili prej tyre ka ndërtesën ku marrin mësime, kishën, vendin ku flenë studentët dhe këto janë përqark një lëndine të blertë, që nuk lejohet të shkelet nga vizitorët, por lejohet të shkelet nga profesorët dhe studentët (dhe që natyrshëm nuk shkelet!) Bari është i kositur rripa-rripa për të dhënë nuanca të ndryshme të së blertës dhe për ta shijuar syri.Mbretëron kudo një qetësi nuk lejohen radiot dhe muzika. Ndërtesat e kolegjeve ngjajnë me kështjella dhe sipas ndërtimeve u përkasin shekujve të ndryshëm, kolegji i fundit i përket vitit 1960 dhe mban emrin "Çërçill". Shoh dhe njërën nga dritaret e kolegjit ku dikur ka studiuar Bajroni. Portat e rënda të trasha prej druri janë qindravjeçare. Çdo kolegj ka sallën e vet të ngrënies. Pashë vetëm nga jashtë, meqenëse ishte në rindërtim, Bibliotekën e Kembrixhit ndërtuar prej arkitektit të famshëm Kristofer Ren. Nëpër të gjitha rrugët e ngushta të shtruara me kalldrëm kalonin studentë të kombeve dhe racave të ndryshme sidomos aziatikë, sepse tani zhvillohen edhe kurset verore të gjuhës angleze.
Dy prej këtyre kështjellave të dikurshme lidhen me njëra tjetrën me Urën e Psherëtimave, sepse poshtë këmbëve tona kalonte një lumë i lundrueshëm dhe në të studentë që vozitnin me varka duke i ngarë me një dru të gjatë, më tutje ndodhej Ura e Matematikës. Anash lumit bëjnë hije drurë të mëdhenj: shelgje lotues, gështenja të egra të mbjella shumë vite më parë.Nëpër gjelbërimin e pafund vajtëm tek kolegji Neënham, i vetmi ku studiojnë vetëm vajza, për të takuar antropologen Clarissa de Waal, që e njeh aq mirë Shqipërinë dhe ka shkruar librin "Mbijetesa". Aty drekuam.
Kisha e Shën Palit: Në një kuti metalike biskotash ardhur dikur nga Londra kam parë fotografinë e kësaj kishe, gjithashtu e kam parë në televizor ditën kur kurorëzohej Ledi Dajana me Princ Çarlsin në vitin 1981, por ta shohësh me sy këtë ngrehinë madhështore si nga jashtë edhe nga brenda është një kënaqësi e bukur dhe e përhershme. Me të vërtetë është një përsosmëri arkitekturore. Në vitin 1666, kjo kishë u shkatërrua për së dyti prej zjarrit që ra në Londër, por u rindërtua edhe më krenare se më parë prej arkitektit të jashtëzakonshëm Kristofer Ren, për të cilin në një gur të madh brenda në kishë, biri i tij ka shkruar; "Lexues, në qoftë se kërkon monumentin e tij, shih rrotull teje." Një bust prej mermeri dhe maska prej allçie e fytyrës së vdekur të Kristofer Renit në moshën 91 vjeçare ndodhen aty, varri i tij është po aty. Në katin nëntokë ndodhen të varrosur Duka i Uellingtonit, Florence Nightingale (gruaja e parëinfermiere në luftën e Krimesë), Lordi Nelson, piktori dhe poeti Uiliam Blejk, shkencëtari Aleksandër Fleming, e shumë të tjerë. Në një memorial janë të shkruar emrat e 28 mijë amerikanëve, të cilët dhanë jetën në Britani gjatë Luftës së Dytë Botërore siç i ka paraqitur në vitin 1951 gjenerali Ajzenhauer.
Në 11 shtator të vitit 2001 në këtë kishë u mbajt një përkujtimore për viktimat e sulmit terrorist në Nju Jork. Në vitin 2004 u kremtua 1400 vjetori i themelimit të Kishës së Shën Palit. Ndërsa në vitin 2005 u mbajt një përkujtimore për viktimat e cunamit ku foli Kofi Anan. Kishte shumë vizitorë atë ditë në kishë dhe prifti lajmëroi me mikrofon që të mblidheshin njerëzit për të dëgjuar meshën, por askush nuk vajti sepse kjo kishë e mrekullueshme në qendër të Londrës kundrohet më tepër si muze, me punimet artistike të përsosura si skulpturat, pikturat, kubetë e mrekullueshme, mozaikët e shkëlqyer, shandanët verbues e të tjera, se sa si një vend kulti, ndonëse edhe klerikët përpiqen të përfitojnë nga biletat e hyrjes (dikur ka qenë e lirë) dhe nga shitja e objekteve, librave etj.
Biblioteka Britanike: Ngjitur me Stacionin kryesor të trenit "Viktoria" ndodhet Biblioteka Britanike, një ndërtesë e ulët me tulla të kuqe moderne në ballë të saj shkruhej: "Aty ku takohen mendjet e ndritura". Është hapur më 25 qershor 1998 nga Madhëria e Saj Mbretëresha Elisabeta. Nga jashtë duket si një ndërtesë e zakonshme, por brenda ishte shumë komode me një ndriçim gjithëpërfshirës të butë. Aty ndodhet edhe një nga librat e mi. Së pari vizituam sallën ku ishin ekspozuar dorëshkrime të autorëve anglezë duke filluar nga Çoser, Shekspir, Xhejn Ostin, pjesë nga ditari i Darvinit, kënga "Dje" e Bitëllsave e shumë të tjera. Pastaj vizituam ekspozitën e Librave të Shenjtë e hapur ato ditë. Vendosa kufjet në veshë dhe aparatin në dorë për të ndjekur shpjegimet përkatëse. Ndodhesha në mes të një mrekullie të fillimeve të librave të shkruar së pari me dorë dhe më tej me shtyp: libra fetarë të hebrejve, të krishterëve, myslimanëve. Në atë sallë ndriçuar vetëm me drita blu në gjysmerrësirë teksa lexonim dhe dëgjonim muzikë fetare edhe shpirti të shenjtërohej nga gjithë ajo mrekulli, edhe lutja "Allah ikber" tingëllonte bukur plot muzikalitet. Pashë libra shumë të veçantë të shkruar me gërma të arta midis vizatimeve plot me lule. Me shumë kureshtje pashë Kur'anë të sulltanëve të ndryshëm duke filluar nga ata më të mëdhenjtë gati gjysmë metri e duke vijuar deri tek ata fare të vegjlit, që mund të mbahen në xhep apo të varen në qafë si sende zbukurimi.