E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet stazhi, studentët direkt punë në gojën e pacientit

 
Specialistja pranë MSH-së, Pasholli, shpjegon ndryshimet që sjell projektligji për stomatologët. Rriten masat ndëshkimore
Projektligji
Sapo të dalin nga bankat e shkollës kanë të drejtë të punojnë mbi gojën e pacientëve. Pra, për të gjithë stomatologët e rinj do të hiqet stazhi që bënin një vit pranë dentistëve me përvojë. Kështu parashikohet në projektligjin e ri "Për Shërbimin Shëndetësor Stomatologjik" sipas të cilit, do të ketë disa ndryshime për këtë shërbim krahasuar me ligjin aktual. Këtë e pohon shefja e Zyrës së Shërbimit Stomatologjik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Çiljeta Pasholli, e cila shpjegon ndryshimet që do të sjellë projektligji për sektorin e Stomatologjisë. Ndërkohë ajo thekson se masat ndëshkimore ndaj kundravajtësve në këtë projektligj, janë shumë herë më të rënda se në ligjin aktual.
Hiqet stazhi
Nëse deri më sot, studentëve të sapodiplomuar nuk iu jepej e drejta që të punojnë mbi gojën e pacientit pa bërë stazh të paktën një vit, ndërsa me projektligjin e ri për këtë shërbim nuk do të ndodhë kështu. Kështu, një i sapodiplomuar në degën e Stomatologjisë mund të hapë klinikën e tij dhe të punojë mbi të gjithë klientët që i paraqiten për ndihmë mjekësore. Sipas specialistes Çiljeta Pasholli kjo është parashikuar në projektligjin e Shërbimit Stomatologjik, duke pasur parasysh përgatitjen e studentëve. "Kjo është bërë për arsye se mendohet që studentët dalin të përgatitur sepse kanë bërë praktika mësimore dhe mësim të rregullt, çka iu jep mundësinë të punojnë direkt mbi gojën e pacientëve",-pohon Pasholli. Sipas saj, nëse të sapodiplomuarit kanë dëshirë të punojnë si asistent pranë një dentisti me eksperiencë kjo është në dëshirën e tyre, por nuk janë të detyruar ta bëjnë.
Ndëshkimet
Projektligji për "Shërbimin Shëndetësor Stomatologjik" parashikon masa të rënda ndëshkimore ndaj kundravajtësve të këtij shërbimi. Sipas Çiljeta Pashollit me ligjin aktual masat ndëshkimore janë tepër të lehta dhe të papërfillshme, çka ka sjellë që stomatologët jo vetëm të shkelin ligjin, por këto shkelje të jenë të herëpasshershme. "Deri tani këto ndëshkime kanë qenë të lehta dhe të papërfillshme dhe stomatologët kundrejt këtyre ndëshkimeve të vogla kanë bërë shumë kundravajtje. Tani gjobat do të jenë nga 500 mijë deri në 1 milionë (lekë të vjetra) dhe me heqje licence në rast ripërsëritje të kundrajvajtes",- shpjegon Pasholli. Sipas saj, ndëshkimet mund të jenë për stomatologët që punojnë pa licencë, për ushtrim të profesionit pa pasur afishim të listët së çmimeve, që pacienti të jetë i mirinformuar për shërbimet që merr dhe për pagesën kundrejt shërbimeve. Gjithashtu ajo shpjegon se ndëshkime do të ketë edhe për reklamat jo të ndershme pasi, sipas saj, ka stomatologë që thonë se bëjnë shumë shërbime, por në fakt nuk realizojnë as gjysmën e tyre.
Sipas specialistes, Pasholli, veteranët dhe invalidët do të rimbursohen 100%. Për pensionistët rimbursim 50%
Shërbimi dentar, ja kategoritë që do të rimbursohen
Ndryshimet në ligj kanë të bëjnë edhe për dhënien e ndihmës stomatologjike falas, për një grup të caktuar njerëzish. Kështu u shpreh shefja e sektorit të Shërbimit Stomatologjik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Çiljeta Pasholli, e cila pohoi se grupet përfituese do të rimbursohen nga shteti për këtë shërbim. Kështu, sipas Pashollit, do të përfitojnë në masa 100 për qind shërbim falas veteranët dhe personat me aftësi të kufizuar. Ndërsa, sa i përket pensionistëve edhe ata do të përfitojnë shërbim dentar me tarifa më të ulëta, pasi rimbursimi nga shteti do të jetë më i lartë. "Nëse deri tani ky rimbursim ka qenë në masën 20 për qind nga shteti dhe 80 për qind e shërbimit dentar që paguhej nga pensionistët, ndërsa tani kemi menduar që rimbursimi të jetë 50 për qind nga pensionisti dhe 50 për qind nga shteti",- pohon Pasholli. Sipas saj, këtë shërbim këto kategori mund ta marrin në shërbimin publik, por po negociohet edhe me shërbimet private për t'u ofruar shërbim këtyre kategorive. Kështu ajo shpjegon se nuk e kanë të mundur që ky shërbim t'u ofrohet të gjitha kategorive përfituese vetëm në shërbimin shtetëror, ndaj dhe shërbimet private do të rimbursohen nga shteti nëse vendosin t'u shërbejnë këtyre kategorive. Për këtë arsye Pasholli pohon se për të realizuar shërbimin dentar për këto kategori, me privatët do të lidhin kontrata.
Pasholli: Grup pune për të frenuar fluksin e studentëve
Numri i lartë i stomatologëve që po dalin çdo vit është shqetësues ndaj dhe po përgatitet një grup pune, që do të frenojë këtë fluks studentësh. Këtë pohon specialistja, Pasholli, sipas të cilës po mendohet që me anë të një bordi që do të ngrihet, apo me anë të një grupi pune që do ngrihet mes Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, do të bëhet balancimi i studentëve dhe shpërndarja e tyre. "Pra do të bëhet harta e shpërndarjes së stomatologëve sidomos në qytetin e Tiranës, ku është numri më i madh i stomatologëve",- pohon Pasholli. Sipas saj, nëse do të vazhdojnë të dalin çdo vit nga 200 stomatologë dhe 200 mjekë, nuk do të kenë ku të punojnë dhe si të punojnë.
Shamata: Ndëshkime për prindërit që nuk arsimojnë fëmijët
Numri i fëmijëve të cilët braktisin shkollën dhe trafikohen vazhdon të jetë në shifra alarmante. Kështu Ministra e Arsimit ka vendosur të penalizojë çdo prind që nuk i dërgon fëmijët në shkollë. Këtë e bëri të ditur zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata, në një konferencë për shtyp organizuar nga IOM për fushatën sensibilizuese "Bankat e shkollave, barrikadë ndaj trafikimit". Ndërsa zv/ministrja e Rendit, Iva Zajmi theksoi se parandalimi i këtij fenomeni mund të bëhet vetëm përmes arsimimit dhe informimit. Sa i takon shifrave të braktisjes së shkollës, bëhet e ditur se ato janë shumë më të larta në zonat ku papunësia dhe varfëria është e lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›