E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Nuk ka abuzime në Teatër

 
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Teatrin Kombëtar
Një tjetër dokument vërteton "pastërtinë" e Teatrit Kombëtar. Dje, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, bëri të njohur për mediat raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka dalë më 14 dhjetor 2007. Duke marrë për bazë raportin e auditit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, grupi i KLSH-së e ka përqendruar punën e vet vetëm në ato pika që ishin edhe më të dyshimta dhe për të cilat akuzohej administrata e teatrit. Dhe pikërisht në prodhimin e biletave, në arkëtimin e të ardhurave nga shitja e tyre, në realizimin e blerjeve të vogla dhe në inventarët e pasurisë së Teatrit për periudhën janar-tetor 2007. Pasi kanë bërë verifikimet e nevojshme në shitjet dhe arkëtimit e biletave të famshme 150 dhe 300 lekëshe kontrolli rezulton se "nuk u vërtetuan nga ana jonë abuzime në lidhje me korrigjimin e biletave 150 lekë, pasi nuk ka asnjë biletë të arkëtuar gjatë kësaj kohe me vlerën 150 lekë". Kontrolli ka hasur parregullsi në prodhimin e këtyre biletave, si në kohën e drejtimit të teatrit nga ish-drejtori Kiço Londo, ashtu edhe nga ai aktual Kristaq Skrami. Të dy nuk kishin ngritur komisione për të bërë këtë procedurë, por në lidhje me këtë kontrolli ia vë "fajin" Ministrisë së Financave që nuk ka nxjerrë aktet nënligjore përkatëse për këtë çështje. "Jam ndier i pastër që në momentin që në teatër ka ardhur kontrolli i parë", - u shpreh Skrami. Sipas tij, kjo histori nuk mund të mbyllet kaq lehtë dhe ata që stisën gjithë këtë situatë duhet të paguajnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›