Gjykata të pranojë padinë për tatimet
Shoqëria Botimet Periodike "Spektër" sh.a., i është drejtuar me një padi gjykatës për shfuqizimin e një vendimi të Komisionit të Apelimit Tatimor pranë Ministrisë së Financave. Në seancën gjyqësore të 23 nëntorit 2007, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë vendosi rrëzimin e kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe degës së Tatim-Taksave në Tiranë, për nxjerrjen e çështjes civile jashtë juridiksionit gjyqësor. Sipas përfaqësuesit ligjor të Shoqërisë Botimet Periodike "Spektër" sh.a., Isuf Shehu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Apelimit Tatimor vendosi që ta konsiderojë të vlefshëm njoftim vlerësimin tatimor Nr.25013, datë 10.11.2006, të degës së Tatimeve Tiranë, për interesa për pagesë të vonuar të vlerësuara nga sistemi për bazën e detyrimit tatimor të vetëdeklaruar nga Shoqëria "Spektër". Bazuar në-pikën 4 të nenit 44, të Ligjit Nr.8560, datë 22.12.1999 "Për Procedurat Tatimore në RTSH", i ndryshuar, interesat sipas njoftim vlerësimit janë të pagueshme automatikisht dhe nuk falen apo zvogëlohen nga asnjë autoritet. Interesat llogariten mbi bazë e një detyrimi dhe përse ky detyrim tatimor ekziston, interesat për pagesë të vonuar të llogaritura automatikisht janë të drejta dhe ju bëjnë me dije se interesat rriten automatikisht për gjithë periudhën, deri në momentin kur kryhet pagesa e detyrimit bazë. Bazuar në nenin 55, të Ligjit 8560, dt.22/12/1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, nëse nuk jeni dakord, keni të drejtë të ankoheni brenda 30 ditëve, në Komisionin e Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave. Pas Ankimit të kryer, Komisioni i Apelimit Tatimor vendosi të lërë në fuqi vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dega e Tatimeve Tiranë, të kompensojë ose kthejë tatimet e paguara tepër për vitin 2003, së bashku me interesat përkatëse sipas ligjit. Sipas avokatit Shehu, bazuar në nenin 324 e vijues të Kodit të Procedurës Civile dhe në përputhje me Ligjin 8560, dt.22.12.1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, neni 55, 58 dhe 59 të këtij ligji është paraqitur ankim drejtuar gjykatës duke parashtruar edhe argumentet juridikë: "Njoftim vlerësimi për detyrimet " për shumën 306.336 lekë interesa, sipas përfaqësuesit ligjor të Kompanisë "Spektër" është i pavlefshëm dhe kërkohet shfuqizimi sepse në Ligjin Nr.8560, datë 22.12.1999 "Për procedurat tatimore në RSH", neni 44, "Interesat për pagesë të vonuar", pika 1, thuhet: "Nëse një tatimpagues nuk paguan ndonjë detyrim tatimor, brenda afatit të përcaktuar në legjislacionin tatimor, ai është i detyruar të paguajë interesa për pagesë të vonuar mbi shumën e papaguar, nga data e afatit deri në datën kur bëhet pagesa". Në këtë rast subjekti "BP Spektër" sh.a., nuk ka pasur dhe nuk ka detyrim për tatim fitimin e vitit 2004 të papaguar në afat, për të cilin të kenë lindur interesa për pagesë të vonuar. Në qoftë se do të kishte ndonjë detyrim për tatim-fitimin, ai do të ishte pasqyruar ose në "deklaratën e pagesës së tatim mbi fitimin e vitit 2004, si përcaktohet nga Ligji Nr.8560 , datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në RSH". Përsa i takon "deklaratës së pagesës së tatimit mbi fitimin" të vitit 2004, të dorëzuar në degën e Tatimeve Tiranë, nëpërmjet Bankës së Kursimeve "Tirana 2", me 31.03.2005, sipas kësaj deklarate jo vetëm që "Spektër" sh.a., nuk ka pasur detyrim për të paguar, përkundrazi është Dega e Tatimeve Tiranë që i detyrohet asaj, për mbi pagesë të tatimfitimit në shumën 1.719.464 lekë, për të cilën i është drejtuar edhe shkresërisht për "kthim të shumave të paguara më tepër (kompensim detyrimi) me shkresën Nr.120 Prot., datë 20.07.2005, protokolluar në degën e Tatimeve Tiranë për të cilën, pas këmbënguljes nga ana e kompanisë, është kthyer përgjigja me Nr.14748/1, datë 11.11.2005. Përsa i takon nxjerrjes së detyrimit me "njoftim vlerësim detyrimi " për tatim- fitimin e vitit 2004, avokati i "Spektër" sh.a., bën të ditur se nuk ka pasur, në asnjë rast, një të tillë të lëshuar nga dega e tatimeve në adresën e kompanisë, aq më tepër që nuk ka pasur arsye për ta nxjerr atë pasi nuk ka pasur detyrime të papaguara në afat, gjë që pranohet edhe nga Dega e Tatim Taksave Tiranë të paktën deri më datën 18.01.2006. Dega e Tatimeve Tiranë sipas Vër Vërtetimit Nr.4322 Prot., datë 27.02.2005 të kryetarit Durim Lamaj dhe Vërtetimit Nr.137 Prot. datë 18.01.2006 të kryetarit Ilir Mandri, vërteton se subjekti "Botime Periodike Spektër" nuk ka pasur detyrim për TVSH,Tatim Fitimi, Akciza, Kontribute të Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore, apo lloje të tjera detyrimesh. Përfaqësuesi Ligjor i "Spektër" sh.a., thotë se nuk është dakord me përgjigjen e kthyer nga Drejtoria e Apelimit Tatimor Nr.12210 Prot., datë 10.01.2007 sipas të cilës rezulton se situata për Tatim- Fitimin për t'u paguar që është paraqitur sipas deklaratës nuk përputhet me atë të degës së Tatimeve dhe për pasojë, sistemi informatik llogarit interesat për pagesë të vonuar, për disa arsye, siç janë, Dega e Tatim-Taksave e ka për detyrë që në bazë të Ligjit Nr.8560, dt.22.12.1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" nenit 27, "mbajtja e regjistrimeve" të bëjë regjistrimet në mënyrë sistematike dhe kronologjike dhe në bazë të nenit 33 "Vlerësimi Tatimor" pika 2, germa (a) të po këtij ligji, të nxirrte njoftim vlerësimin për detyrimin për Tatim Fitimin qysh në muajin prill 2005 (në rast se do të kishte detyrim të papaguar) dhe t'ia kishte dërguar subjektit, pra pas dorëzimit të deklaratës që është bërë në 31.03.2005, por një veprim i tillë nuk ka ndodhur edhe sot pas 2 vjetësh, për të vetmen arsye se gjatë të gjithë periudhës ka qenë subjekti ynë që i ka kërkuar Degës së Tatimeve Tiranë të kthejë detyrimet e paguara më tepër të faktuara me dokument dhe të evidentuara edhe prej tyre në sistemin informativ. Këto kërkesa janë bërë shumë herë verbalisht, por edhe shkresërisht. Sa për kërkesën e bërë nga "Spektër" për "kthim të shumave të paguara më tepër (kompensim detyrimesh), në faqen 2 të përgjigjes së apelit tatimor, thuhet se kërkesa është bërë në datë 26.10.2006, kur në fakt është e vitit 2005, por me sa duket një "gabim" i tillë mund të jetë bërë prej tyre qëllimisht pasi ka rreth dy vjet që nuk është kthyer detyrimi, kur sipas ligjit një gjë e tillë duhej bërë brenda 60 ditësh dhe si për çudi, jo vetëm që nuk i kthejnë ato por kërkojnë edhe detyrime të paqena . Sipas avokatit Isuf Shehu, kemi të bëjmë me shkelje të procedurave tatimore nga Dega e Tatim Taksave, e cila kërkon që kompania "Spektër" të paguajë detyrime për interesa kur nuk ka detyrim të papaguar në afat. Dega e Tatim Taksave Tiranë nuk disponon asnjë dokument ligjor që të na i ketë dërguar ne si subjekt, ku të vërtetohet detyrimi i subjektit. Meqenëse nuk ka ekzistuar asnjëherë një detyrim për tatim- fitim të vitit 2004, të papaguar në afatet ligjore, nuk ka si lindin interesa për pagesë të vonuar, pasi një gjë e tillë vjen në kundërshtim me kërkesat e nenit 44, "Interesat për pagesë të vonuar", të Ligjit 8560, datë 22.12.1999 "Për procedurat tatimore në RSH " të sipërcituar, përfaqësuesi ligjor i kompanisë "Spektër" sh.a., kërkon caktimin e një date për gjykim dhe pranimin nga ana e Gjykatës e Kërkesë-Padisë ndaj Komisionit të Apelimit Tatimor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.