Festohet 60-vjetori i minierës së Bulqizës, harrohen viktimat e saj
Festa e 60-vjetorit të Minierës së Kromit Bulqizë, e cila u zhvillua dje, është kthyer thjesht në një reklamë promovuese për firmën ruso-austriake që menaxhon aktualisht këtë minierë. Në ceremoni ra në sy një pjesëmarrje e vogël minatorësh që aktualisht punojnë në minierë dhe një prani e madhe administratorësh të firmës koncesionare, si dhe të atyre private që ushtrojnë aktivitet në Bulqizë. Gjithashtu, asnjë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nuk kishte marrë mundimin dhe guximin për të ardhur në festën e 60-vjetorit të minierës më të madhe të kromit në vend. Në galeritë e kësaj miniere dhe jashtë tyre në stoqe të mineralit, kanë humbur jetën gjatë një viti 13 minatorë, por kjo çështje u prek përciptas gjatë ceremonisë së djeshme, vetëm nga persona që nuk kanë më lidhje me minierën. Kompania e huaj dhe administratorët shqiptarë të saj, kishin bërë përgatitjet e duhura që gjithçka të shkonte sa më mirë, gjë për të cilën kishin angazhuar një kompani të shtrenjtë reklame, për të mos lënë shijen e hidhur te përfaqësuesi i pronarëve të "Albanian Chrome" (ACR), konsulli Herbert H.Depisch. Ky i fundit tha se "xeherori i kromit, që natyra i ka falur Bulqizës shkon drejt Kinës dhe vendeve të BE-së, madje ka kërkesa edhe nga kontinenti amerikan, pasi ai ka cilësi tepër të veçanta, gjë që e bën atë tepër të kërkuar dhe vlerësuar". Drejtori i minierës, Petrit Duva, tha dje se në më pak se një vit nga marrja e minierës në pronësi, nga ACR-ja, janë dyfishuar rrogat e minatorëve dhe janë plotësuar të gjitha kërkesat e tyre për kushte më të mira pune dhe jetese.
Por në kundërshtim me këtë, numri relativisht i lartë i aksidenteve me vdekje minatorësh, në harkun kohor të një viti, flet për të kundërtën, ku kushtet e sigurisë në punë për minatorët ende lënë shumë për të dëshiruar. Vetëm kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, përmendi dje të vdekurit në minierë duke kërkuar me këtë rast rroga dhe kushte më të mira pune për 660 minatorët. Përfaqësuesi i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Mustafa Kaleci, nuk tha asnjë fjalë në mbrojtje të kërkesave të minatorëve për paga e kushte të sigurisë në punë, por vetëm falënderime dhe lavdërime për firmën e huaj. Ndërsa kryetari aktual i sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoxha, edhe pse nuk iu dha fjala, përshëndeti, duke kërkuar të mbahet një minutë heshtje për minatorët që humbën jetën në galeritë e thella të kësaj miniere.