E Diel, 1 Nëntor 2026

Festohet 95-vjetori i pullës së parë postare

Me rastin e 95-vjetorit të pullës së parë shqiptare, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur një ekspozitë filatelie. Aty janë ekspozuar të gjitha emetimet e "shenjës postare", që nga pulla e parë shqiptare deri tek emetimi më i fundit, pulla me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, u shpreh se "kur shikon sot koleksionin shqiptar, me mbi 3000 pamjet e pullave të realizuara në 95 vjet, doemos që ndjen krenari. Është bota shqiptare në "ekranin" e vogël të pullës, e cila nëpërmjet kujtesës historike konfirmon gurët kilometrikë të historisë së kombit tonë". Sipas tij, përpos tematikës së gjerë që rrok dhe gjuhës së pasur vizive të realizimit të saj, i përgjigjet çdo evenimenti, siç ka ndodhur, me ngjarje të tilla si vizita e Presidentit Bush në Tiranë, pulla për pavarësinë e Kosovës, apo ftesa për anëtarësim në NATO. Drejtori Gorea ka theksuar se "pulla dhe filatelia shqiptare, me arritjet e konsiderueshme në këto 95 vjet, qëndrojnë sot denjësisht përkrah pullave dhe filatelive më të mira të vendeve të tjera. Ato kanë qenë dhe do të jenë përherë të pranishme në të gjitha evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare, në ekspozitat ballkanike, evropiane e botërore dhe njëherësh konkurruese në tregun e madh filatelik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›