Invalidët e punës, padi kundër shoqatës së urbanëve dhe bashkisë
Shoqata e Invalidëve të Punës do të padisë në gjykatë Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu paralajmëron fillimin e një greve urie në shkallë kombëtare. Sipas tyre shkak është bërë sjellja brutale e fatorinove të linjave urbane, të cilët i kanë zbritur nga autobuzët invalidët e punës pa marrë parasysh dëshmitë e tyre. Kjo sjellje ka vijuar edhe gjatë ditës së hënë, me gjithë deklaratat e Bashkisë së Tiranës, ku urdhërohej zbatimi i ligjit nga operatorët e transportit. "Lidhur me transportin ju vëmë në dijeni se kemi përgatitur dokumentacionin përkatës për të hapur një padi civile në Gjykatën e Tiranës, kundrejt Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas. Ne disponojmë në cilësinë e provës materiale, përveç dëshmive të vetë personave, disa pamje filmike ku tregohet se si invalidët e punës zbriten nga urbanët brutalisht. Këto pamje do t‘i kemi të disponueshme për publikun që nesër" deklaroi kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdullah Omuri. Ai njoftoi të gjithë invalidët e punës, familjarët e tyre, si dhe të gjithë njerëzit që po diskriminohen sot nga mënyrat e transportit urban; se nëse deri me datën 12 Maj 2008, gjendja nuk ndryshon, invalidët e punës do të hidhen në grevë të përgjithshme urie në shkallë kombëtare.