E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohet Dita e Ujit te Bekuar

Besimtarët ortodoksë festojnë sot Ditën e Ujit të Bekuar. Qindra besimtarë ortodoksë në Durrës festuan Ditën e Ujit të Bekuar. Pas meshës së drejtuar nga Peshkopi Nikolla, në katedralen e Shën Pavlit dhe Shën Astit, besimtarët, së bashku me dhjetra qytetarë të tjerë durrsakë, megjithë reshjet e shiut që vazhduan pa ndërprerje, janë drejtuar në portin detar të Durrësit, ku u zhvillua edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit në ujë. Shtatë djem të rinj u përpoqën të kapin Kryqin në ujërat e ftohtë, por fati i buzëqeshi 21-vjeçarit, Fatjon Bushi, student në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Djali tha se "jam i gëzuar dhe se këtë fat shpreson ta ndaj me të gjithë ata që ndjehen të vetmuar dhe kanë nevojë për mbështetje".
Po kështu dhe në Berat me gjithë rreshjet e shiut të rëna pa pushim festa e ujit të bekuar është zhvilluar normalisht, duke mbledhur mbi urën shekullore të Goricës besimtarë të të gjitha besimeve fetare. Ritualet e kësaj feste kanë nisur në Katedralen e Shën Dhimitrit që ndodhet në qendër të qytetit, ndërsa më pas korri i kishës është drejtuar drejt urës së Goricës nga ku është hedhur kryqi i shenjtë. Hedhja e kryqit në ujrat e lumit Osum është kryer nga Petraq Simsia, prifti i Katedrales së Shën Dhimitrit. Në ujrat e ftohta të lumit Osum janë futur 10 të rinj, por fati këtë vit ka qënë me 35 vjeçarin Edmont Gjeçi, i cili arriti të nxjerr nga lumi kryqin e shenjtë. Ndonëse i përket besimit myslyman Gjeçi është bërë pjesë e kësaj feste duke u bërë kështu protagonist i saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›