Vatra të reja zjarri në Ndroq dhe Gjirin e Lalzit, ende asnjë ndërhyrje
Tiranë- Vatra të reja zjarri po shënohen në vendin tonë me rikthimin e temperaturave të larta e nxitur kjo shpesh herë edhe nga piromania e qëllimshme.
Një ditë pasi u arrit të vihej nën kontroll zjarri në fshatin Priskë, një vatër tjetër zjarri është shënuar dje në afërsi të kryeqytetit, pa mbërritur në fshatin Ndroq, saktësisht në krah të djathtë të rrugës nacionale.
Banorët e zonës njoftojnë se ende nuk ka patur ndërhyrje për shuarjen e flakëve dhe policia e zjarrfikësit nuk kanë ndërhyrë për të izoluar zonën.
Ndërkohë, një tjetër zjarr masiv ka rënë në pyjet në fshatin Shën Pjetër, pranë Gjirit të Lalzit, ku situata duket tejet e rënduar.
Sipas informacioneve të fundit, flakët e zjarrit kanë djegur një sipërfaqe të madhe me pisha dhe duket se po avancojnë. Ndërkohë sërish banorët bëjën me dije se pavarësisht njoftimit të autoriteteve përkatëse, ende nuk është paraqitur askush për të vënë nën kontroll flakët.
Deri para pak ditësh qindra hektarë pyje dhe kullota ishin përfshirë nga zjarret në veri dhe jug të vendit. Ekspertët në Drejtorinë e Policisë Pyjore deklaruan se ishin rreth 30 vatra zjarri aktive, për shuarjen e të cilave ishin angazhuar të gjitha forcat e emergjencave civile.
Zjarri që ra para një javë në afërsi të fshatin Priskë në komunën Dajt është vënë nën kontroll falë edhe ndërhyrjes së forcave të armatosura dhe tashmë mësohet se Parku Kombëtar i Dajtit është jashtë rrezikut dhe se flakët janë neutralizuar.
Autoritet bëjnë me dije se pjesa më e madhe e zjarreve kanë si shkak dorën e njeriut, të qëllimshme ose jo, ndërkohë që mungesa e mjeteve për shuarjen e zjarrit nag ajri ka bërë të vështirë në shumë raste të pamundur ndërhyrjen në zonat e prekura nga flakët.
/IDEA/