E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feston Milani

Milan është kampion i ri i Italisë. Rossonerët siguruan titullin e tyre të 18-të në Serie A, pas barazimit 0-0 në Romë, të shtunën mbrëma, dy xhiro para përfundimit të kampionatit. Trajneri Massimiliano Allegri ka lavdëruar futbollistët e tij për kontributin e dhënë këtë edicion. Tani, synojnë të fitojnë edhe Coppa Italia. Nga Express më 08 maj 2011 në ora 18:25

Barazimi 0-0 në Romë i mjaftoi Milanit të fitojë titullin në Serie A, të shtunën mbrëma, kur Rossonerët u kurorëzuan kampionë të rinj të Italisë, për herë të parë nga viti 2004. Suksesi i Milanit shënon përfundimin e serisë pesëvjeçare fituese të rivalit të qytetit, Inter dhe barazon klubet me nga 18 tituj.

Juventus udhëheq me rekord 27 (dy të tjerë i humbën në skandalin Calciopoli). Trajneri Massimiliano Allegri, i cili erdhi në detyrë në vend të Leonardos, gjatë verës së kaluar, shfrytëzoi startin e dobët të Interit për të udhëhequr në renditje për pjesën më të gjatë të sezonit dhe barazimi 0-0 në Romë, të shtunën mbrëma, siguron se ata nuk mund të zihen, dy xhiro para përfundimit të kampionatit në Serie A.

“Ishte me rëndësi të përfundojmë çështjen e titullit kundër Romës që ende ka ambicie për pozitën e katërt. Kemi luajtur me përqendrim të madh për të sjellë Scudetton në Milan, pa pritur të dielën e ardhshme”, tha Allegri.

“Më duhet t’u falënderohem djelmoshave, presidentit që më dhuroi këtë mundësi dhe këtë ekip me përforcimet që janë sjellë shkëlqyeshëm në zhveshtore. Këta futbollistë kanë fituar shumë tituj, por ata ishin profesionistë që punonin së bashku në grup. Kjo është arsyeja pse fituam Scudetton. Të jem i sinqertë, ende nuk mund të besoj. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe me fat. Kam në dispozicion një ekip të shkëlqyeshëm dhe gjithmonë mbizotëron respekti mes futbollistëve. Momenti më i mirë ishte në derbi, pasi aty ishte momenti i duhur për t’i ikur Interit. Mëkat që tani nuk jemi në Milano”, deklaroi ai.

Alexandre Pato, i cili është bashkërealizatori më i mirë i Milanit, me Zlatan Ibrahimovicin, me nga 14 gola tha: “Është hera e parë që kam fituar Scudettton dhe kjo është një mbrëmje e shkëlqyeshme”.

Mesfushori veteran, Gennaro Gattuso lavdëroi trajnerin e tij duke shtuar: “I jap notën dhjetë Allegrit. Është një ndjenjë fantastike meqë kishin thënë se kemi vdekur”.

Mbrojtësi Alessandro Nesta beson se vazhdimësia e Rossonerëve ishte vendimtare për triumf. “Kemi qenë në krye gjatë gjithë vitit. Është normale që do të përfundonim të parët”.

Milan është ende në garë në Coppa Italia dhe do të synojë kalimin në finale në ndeshjen e kthimit, kundër Palermos, këtë javë. Ata barazuan 2-2 në takimin e parë në San Siro.

“Ky është një moment i bukur. Tani do të mundohemi të fitojmë edhe Coppa Italia, për të kompletuar një vit të përkryer”, tha mesfushori Clarence Seedorf.

Për kuriozitet, Ibrahimoviç përfundoi në krye të tabelës në tetë sezonet e tij të fundit, në pesë klube në tri liga të ndryshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›