E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i nuk do të zvogëlojë sivjet numrin e trupave

Nga Express më 08 maj 2011 në ora 16:30

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Buhler, ka thënë se gjatë vitit 2011 nuk do të ketë zvogëlim të ri të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë.

“Ne tashmë kemi pasur reduktime të forcave. Nga 1 marsi kemi marrë një strukturë krejtësisht të re dhe mendoj se duhet mbajtur këtë strukturë, që të mund të shohim se sa do të jetë ajo e aftë që të mbahet me obligimet. Për këtë shkak mendoj se deri në fund të vitit 2011 nuk do të ketë zvogëlim të mëtejmë të forcave. Duhet të kryejmë disa detyra para se të bëjmë hapin tjetër në reduktim”, ka thënë Buhler në një intervistë për mediat serbe, siç transmeton Kosovapress.

Sipas tij, ka shumë detyra që KFOR-i duhet t’i transferojë te Policia e Kosovës, para se gjithash ruajtjen e kufijve dhe trajnimin për veprim gjatë protestave.

“Pastaj ne do të mundemi që në bazë të vlerësimit të vendosim nëse është edhe më tej e nevojshme zvogëlimi i forcave”, ka thënë gjenerali gjerman.

Ai ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është stabile dhe e qetë, ndërsa nuk ka dashur shumë të flasë rreth kompetencave që pritet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës pasi këtë e ka vlerësuar një pyetje politike.

Buhler ndër tjera ka thënë se ka bashkëpunim të mirë me ushtrinë serbe me të cilën ka edhe takime, ndërsa ka sqaruar edhe rreth përgjegjësive të misioneve ndërkombëtare në veri, duke thënë se “nëse strukturat paralele mblidhen dhe duan të zgjedhin udhëheqësin e komunës, atëherë kjo nuk është përgjegjësi e KFOR-it”.

Sipas gjeneralit gjerman, nëse në veri raportohet se ka grup të armatosur atëherë kjo do të jetë temë për KFOR-in. Megjithatë, Buhler ka thënë se për momentin nuk ka informacione të tilla.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›