E Diel, 1 Nëntor 2026

Feston fitimin e kryekomunarit militanti i PS plagos 6 fshatarë

Ngjarja ka ndodhur në zonën malore të Mokrës, pas fitores së kësaj komune nga kandidati i së majtës

Pogradec Përgjaket festa e socialistëve, militanti nga gëzimi plagos 6 bashkëfshatrë. Duket si absurde po kështu ka ndodhur në një nga komunat e largëta të rrethit të Pogradecit në zonën e thellë malore të Mokrës. 6 persona kanë mbetur të plagosur pas shkrehjes me një armë gjahu në qendër të fshatit. Burime të policisë pogradecare kanë bërë të ditur për gazetën se 6 persona janë plagosur lehtë pasi një militant i PS ka qëlluar me armë në ajër gjatë festimeve për fitoren e PS-së në komunën Dardhas. Të lënduarit, mes tyre 5 të rinj dhe një 35-vjeçar janë lënduar nga saçmat e armës së gjahut. Autori i identifikuar i ngjarjes në fjalë është Fatmir Pere banor i fshatit Grunjas në komunën Dardhas. Policia arrestoi autorin e plagosjes 35-vjeçarin Fatmir Pere, ndërsa 6 të lënduarit kanë marrë mjekimin në spital e më pas janë larguar. Militanti i PS ka plagosur shtetasit: K.Çela 19 vjeç, I.Shkullaku 18 vjeç, E.M. 16 vjeç, Xh.Liço 19 vjeç, P.Perre 35 vjeç dhe M.Beleshko. Menjëherë 6 të plagosurit janë dërguar në spitalin e Pogradecit ku po marrin ndihmën mjekësore dhe sipas burimeve spitalore gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq për autorin e kësaj ngjarje që ka shokuar fshatin e vogël malor Grunjas në rrethin e Pogradecit rëndon akuza e “Plagosjes”. Policia lokale është duke hetuar ngjarjen, ndërsa nga shpjegimet që ka marrë nga dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes bën të ditur se shkak i saj ka qenë gëzimi për fitoren e kandidatit të PS në drejtimin e komunës Dardhas për të cilin ka vendosur te festojë duke qëlluar në mes të fshatit me një çifte në ajër.

Edhe në datë 11 maj në Dibër ka ndodhur një ngjarje e ngjashme. Mësohet se Elton Keta, me profesion mjek, përgjegjës i pavionit të pathologjisë në spitalin lokal të Bulqizës, vëllai i kryetarit të kësaj bashkie, Roland Keta, ka plagosur rreth mesnatës, të datës 11 maj, Haziz Ketën, babain e tij. Burime policore saktësuan se plagosja ka ndodhur nga pakujdesia dhe se 66 vjecari kishte marrë dy plumba në këmbë dhe se ishte dërguar në fshehtësi në spitalin ushtarak. Duke gdhirë dita e djeshme policia ka mësuar lajmin për plagosjen e babait të kryebashkiakut dhe ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes kriminale.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›