Rritet tensioni në KZAZ 49, luftë kontestimesh për votat
Tiranë Gara e ashpër për kryebashkiakun e kryeqytetit është përqendruar në kontestimin e sa më shumë fletëve të votimit në njësinë nr.5. Mbrëmjen e djeshme, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në KQZ, por edhe vëzhgues dhe komisionerë të kësaj force politike ngritën një pretendim, që sipas tyre mund të ndryshojë rezultatin. Përveç votave të shpallura të pavlefshme deri tani, është krijuar edhe një tjetër kategori votash, shuma e të cilave mbetet e konsiderueshme në krahasim me diferencën mes kandidatëve Lulzim Basha dhe Edi Rama. Bëhet fjalë për votat e kontestuara nga vëzhguesit e dyja forcave politike, të cilat duket se kanë qenë të shumta në numër, kryesisht në njësinë nr.5 në kryeqytet. Përgjatë ditës së djeshme, numërues të dy kampeve politike kanë kontestuar një sërë votash që u numëruan nga qendrat e votimit të njësisë nr.5 në kryeqytet. Edhe pse kjo situatë e krijuar me votat e kontestuara parashikohet mjaft qartë në Kodin Zgjedhor, palët duket se do të ndjekin rrugën ligjore, e cila mund të përfundojë deri në Kolegjin Zgjedhor. Mesatarja e votave të kontestuara ka qenë rreth 5 të tilla për çdo njësi, ndërsa ato janë rivlerësuar nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e KZAZ-së nr.59. Në përfundim të rivlerësimit të votave të kontestuara, sipas kreut të kësaj KZAZ-je, numri total i këtyre votave ishte 24 të tilla. Ky numër votash u përket vetëm 5 prej kutive të numëruara ditën e djeshme, ndërsa përfaqësues të Partisë Socialiste pretendojnë se 90 për qind e votave të kontestuara dhe atyre të pavlefshme janë për kandidatin socialist për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama. Duke qenë se kjo kategori votash është kundërshtuar edhe pas rivlerësimit që është bërë nga anëtarët e KZAZ-së, sipas Kodit Zgjedhor ato do të depozitohen në një zarf të veçantë për t’u dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duke qenë se Partia Socialiste pretendon se votat e kontestuara, së bashku me ato të shpallura të pavlefshme, janë në numër të konsiderueshëm, duke ndikuar madje dhe rezultatin final, çështja pritet të përfundojë në KQZ pas përfundimit të procesit të numërimit. Sipas Kodit, në rast se institucioni i administrimit të zgjedhjeve nuk pranon kërkesat e palëve, atëherë çështja përcillet në Kolegjin Zgjedhor, si institucioni më i lartë vendimmarrës në procesin zgjedhor. Por votat e kontestuara apo ato të pavlefshme, përveç ndryshimit të rezultatit të pretenduar nga Partia Socialiste, kanë sjellë jo pak probleme në procesin e numërimit të votave. Vetëm për një nga kutitë e numëruara ditën e djeshme në KZAZ-së nr.59, procesi i numërimit është ndalur disa herë për shkak të kontestimit të vëzhguesve për vota të veçanta. Numërimi i kësaj kutie, ku ishte parashikuar një diferencë prej rreth 100 votash në favor të kandidatit socialist, ka zgjatur rreth katër orë, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme, si pasojë e kontestimit të votave nga vëzhguesit e PD-së dhe LSI-së.