E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkodra e post përmbytjeve voton majtas, Mbishkodra për PD

Për herë të parë në këta 20 vjet, PS ka mundur të fitojë komuna bastion të PD, si ajo e Gruemirës në Malësi të Madhe dhe e Berdicës e Gurit të Zi në Shkodër

SHKODËR PD në qarkun e Shkodrës ka shënuar humbjen më të madhe në këto 20 vjet, pasi 9, prej 33 njësive të qeverisjes vendore të këtij qarku, ku në njërën nuk u zhvillua votimi më 8 maj, do të drejtohen nga PS. Sipas deputetit të PS në Shkodër, Tom Doshi, ky rezultat ishte dënimi që i bëri qeverisë populli i Shkodrës me anë të votës, kryesisht Nënshkodra, që pësoi disa herë përmbytje gjatë vitit 2010. Doshi i ka quajtur heronjtë e kësaj beteje komisionerët që, sipas tij, me gjithë presionet e kundërshtarit nuk pranuan të manipulohen. Për herë të parë në këta 20 vitet të pluralizmit politik në Shqipëri, PS ka mundur të fitojë komuna bastion të PD, si ajo e Gruemirës në Malësi të Madhe dhe e Berdicës e Gurit të Zi në Shkodër, të cilat asnjëherë më parë nuk janë drejtuar nga socialistët. Kryetari për dy mandate i komunës Berdicë, Qamil Xhurreta, i cili humbi në zgjedhjet e 8 majit, ia ka faturuar këtë humbje degës lokale të PD në Shkodër dhe drejtuesve të saj. Sipas Xhurretës, përfaqësues i Aleancës për Qytetarin, por që nuk u mbështet nga PD në Shkodër, e cila doli publikisht në mbështetje të kandidatit të pavarur, Besnik Tahiri, nga kjo humbje nuk fitoi askush por humbën të gjithë. “Kush fitoi nga besëprerja që më bënë mua dhe AQ? Askush, humbën të gjithë dhe bënë që të fitojë PS. Humbën demokratët e Bërdicës, që ndihen më të braktisur se kurrë”. Xhurreta duke përmendur me emra drejtues të PD në Shkodër që, sipas tij, janë shkaktarë të humbjes së komunës bastion të së djathtës, ka përmendur dhe faktin se këtë herë humbën dhe komuna që u mbështetën fuqimisht nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe qeveria si Gruemira, Rrethina, Velipoja etj. Sipas tij, humbja e PD ka ardhur si pasojë e pazareve e allishverisheve të disa individëve në PD të Shkodrës, që tallen me fatet e ndjenjat e demokratëve të kësaj zone. Ai ka shtuar se me humbjen e drejtimit të kësaj komune nga e djathta, mbetën pa u realizuar shumë projekte të dobishme për komunitetin, të hartuara e të miratuara më parë”. PS në qarkun e Shkodrës ka humbur në 5 bashkitë e këtij qarku, Shkodër, Koplik, Vau Dejës, Pukë e Fushë –Arrës, ndër të cilat vetëm Bashkia e Shkodrës nuk është drejtuar asnjëherë prej saj, ndërsa ka fituar në katër nga 6 komunat e përmbytura të zonës së Nënshkodrës, në Velipojë, Berdicë, Gur i Zi, Ana e Malit, në komunat Temal e Pult, të cilat prej disa mandatesh drejtohen po nga PS, komunën Gruemirë në Malësi të Madhe dhe atë Fierzë në Pukë. Në 04.00 të së premtes ka përfunduar numërimi i votave të komunës Ana e Malit, ku fitues ka dalë kandidati i PS, Xhevat Molla, 1176 vota, kundrejt kryetarit aktual Arben Ceni që mori 957 vota.

Diana Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›