E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vasil Shanto” nën vëzhgim, orët e fundit të ankthit

Tension, mosbesim dhe luftë nervash në kutitë e fundit që do të shpallin fituesin më të rëndësishëm të zgjedhjeve të 8 Majit

Tiranë Palestra e shkollës “Vasil Shanto”, edhe gjatë ditës së djeshme ka qenë nën vëzhgimin e gjithë Shqipërisë. Në ditën e gjashtë të numërimit të votave për Tiranën, kjo njësi bashkiake vazhdonte e vetme procesin, për të nxjerrë që aty kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës. Pas ndërprerjes së numërimit, rreth orës 03:30 të mëngjesit të së enjtes, ai ka nisur sërish rreth orës 09:00. Edhe pse në fillim u duk se ritmi i numërimit të votave ishte i shpejtë, deri në orën 21:00 ishin numëruar gjysma e tyre, pra 8 kuti. E ndërsa orët kalonin, në KZAZ-në 49 rritej prania e përfaqësuesve politikë të të dyja palëve, ku binin në sy deputetët Tom Doshi, Dritan Prifti, Sajmir Tahiri, të cilët në ditët e mëparshme nuk ishin të pranishëm në këtë KZAZ. Po ashtu, një numër i madh vëzhguesish ishin stacionuar ditën e djeshme në këtë KZAZ, duke pritur mbylljen e këtij procesi të tejzgjatur. Ashtu dhe si dy ditë më parë, nuk munguan as diplomatët ndërkombëtarë, si ambasadori danez, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe delegacioni i Parlamentit Europian. Ndërsa në mbrëmje, në turin e ambasadorëve në këtë KZAZ, që po mban mbërthyer në ethe gjithë vendin, u shfaq sërish ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, i cili kontaktoi me deputetët socialistë dhe demokratë. Numri i madh i personave të pranishëm në palestrën e shkollës “Vasil Shanto” detyroi drejtuesit e kësaj KZAZ-je, që së bashku me deputetët e dy partive të merrnin një vendim për të nxjerrë jashtë sallës të gjithë personat që nuk ishin të pajisur me një autorizim përkatës nga KQZ-ja. Nga ana tjetër e rrugës, tifozët politikë sa vijnë e shtohen, njësoj si ankthi për votat që dalin prej kutive e prijnë kandidatët drejt humbjes apo fitimit të kësaj gare që pritet ta mbajë frymën deri në votën e fundit. Th.Samarxhiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›