Feston trefish në qytetin e lindjes

Ferizaj do t'i bashkohet listës së qyteteve shqiptare që kanë organizuar aktivitete për të shënuar 100-vjetorin e pavarësisë.
Evenimenti kulturor, që mbahet me 22 të këtij muaji, do të bëjë bashkë këngëtarë të njohur shqiptarë.
Në Sallën e Sporteve të Ferizajt, do të performojë edhe Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, e cila do të bëjë hapjen e këtij evenimenti bashkë me këngëtarin kosovar Mentor Haziri.
“Rrjedh në këngë e Ligjërime”, është kënga që do ta hap mbrëmjen, në një skenë që do të ngritët enkas për këtë manifestim.
Haziri ka konfirmuar për Indeksonline se do të bëjë hapjen e këtij evenimenti, duke mos fshehur entuziazmin e tij, se nikoqir i një evenimenti të tillë, është pikërisht Ferizaj, qyteti i tij i lindjes.
Këngëtarë të tjerë të cilët do ti bashkëngjiten këtij evenimenti janë edhe Selami Kolonja, Irma dhe Eranda Libohova, ndërsa nuk do të mungojë as performanca e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”.
Krahas 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ferizajasit do të festojnë edhe për 45 vjetorin e themelimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” dhe 40 vjetorit të festivalit “Kosovarja Këndon”.
I gjithë aktiviteti është realizuar nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliu.
E për ata që s’kanë mundësi të jenë prezent në këtë eveniment, do të kenë mundësinë që ta shohin drejtpërdrejtë në tri televizionet publike, në Radiotelevizionin Shqiptarë (RTSH), në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) si dhe në Radio Televizionin e Maqedonisë (RTM)/D.H/Indeksonline/